A është e ndaluar të agjërohen të gjitha ditët e para të muajit Dhul-Hixheh?

Download PDF

Pyetje: A është e ndaluar të agjërohen të gjitha ditët e para të muajit Dhul-Hixheh, sepse kam dëgjuar që Profeti nuk i ka agjëruar dhe për këtë arsye nuk bën të agjërohen?

Përgjigje: Fillimisht duhet të dime, se nuk ka asnjë argument në sheriatin islam, që e ndalon agjërimin në ditët e para të muajit Dhul-Hixheh. Ndërsa për sa i përket transmetimit, ku Aishja r.a. ka thënë, se Profeti (alejhis-salatu ues-selam) nuk i ka agjëruar ansjëherë 10 ditët e para të Dhul-Hixhes ai është hadith i saktë, që e transmeton Muslimi, mirëpo hadithi nuk tregon, se nuk ka agjëruar në ditët e para të Dhul-Hixhes, por nënkupton se nuk ka agjëruar të gjitha ditët bashkë.  Por edhe kjo nuk është argument për ndalimin e agjërimit në të gjitha ditët e para të Dhul-Hixhes (përveç ditës se dhjetë, e cila është dita e Bajramit), sepse Profeti (alejhis-salatu ues-selam) mund të tregojë për vlerën e një adhurimi vullnetar, edhe pse vetë nuk e zbaton, siç është rasti kur Profeti ka treguar për vlerën e agjërimit të Davudit (alejhis-selam) një ditë po dhe një ditë jo, ndërkohë që vetë nuk e ka agjëruar. Nga ana tjetër  mos të harrojmë, se Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Nuk ka ditë prej ditëve ku puna e mirë është më e dashur tek Allahu, se sa adhurimi në 10 ditët e para të Dhul-Hixhes. E pyetën: “Edhe vetë lufta në rrugë të Allahut nuk është më e vlefshme? Profeti tha: “Po, dhe vetë lufta në rrugë të Allahut nuk është më e vlefshme përveç në rastin kur njeriu del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet më.” Transmetuan Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

 

Pra agjërimi është pjesë e punëve të mira. Ashtu sikur e përcakton për të lexuar Kuran për çdo ditë në ditët e para të Dhul-Hixhes, apo për të falur namaz vullnetar për çdo ditë ashtu përcakton dhe të agjërosh për çdo ditë, pra është pjesë e punëve të mira dhe nuk ka asnjë ndalesë për këtë. Sa më shumë punë të mira dhe adhurime, aq më shumë shpërblime ka. Për këtë arsye dijetarët e medh’hebeve të njohura dhe më gjerë kanë thënë, se agjërimi i ditëve të para të muajit Dhul-Hixheh është i pëlqyer (mustehab dhe jo mekruh).

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.

Share