A është shirk dhe kufër sexhdja që bëhet me qëllim përshëndetje për njerëz apo për dijetarë?

Pyetje:

Me sa di, sexhdja që bëhet me qëllim përshëndetje për njerëz apo për dijetarë është shirk dhe kufër, sepse sexhdja është një adhurim që i kushtohet vetëm Allahut. A është e vërtetë kjo?

Përgjigje:

Së pari duhet të dimë që veprat vlerësohen sipas qëllimeve. Jo çdo sexhde, ruku, përulje apo përgjërim që mund të shohim te njerëzit për krijesat e tjera duhet të përkthehet patjetër në shirk dhe dalje nga feja. Ndërkohë sexhdja ose përkulja në formë respekti dhe jo adhurimi ka qenë traditë e popujve të mëparshëm. Allahu i lartësuar na e përshkruan në Kuran[1] sexhden e engjëjve për Ademin (alejhi selam) si dhe sexhden e vëllezërve të Jusufit (alejhi selam) për të pasi doli në pah e vërteta.[2] Në shpjegim të këtij ajeti, imam Kurtubiu sqaron: “Kjo ka qenë traditë te popujt e mëparshëm dhe është shfuqizuar si gjykim dhe traditë në sheriatin tonë. Të gjithë komentuesit e Kuranit kanë rënë dakord se kjo sexhde e vëllezërve të Jusufit për Jusufin (alejhi selam) ka qenë në formë respekti, përshëndetjeje dhe jo në formë adhurimi. Imam Katade thotë se kjo ka qenë forma e përshëndetjes së mbretërve ndërsa për umetin tonë, Allahu përcaktoi selamin që është përshëndetja e banorëve të xhenetit.”

Po kështu edhe imam Ibn Kethiri thotë: “Kjo ka qenë e lejuar në sheriatin e tyre, që kur përshëndesin një të madh i binin në sexhde atij dhe kjo ka qenë e lejuar që nga koha e Ademit deri në sheriatin e Isait (alejhi selam), por u bë haram në këtë sheriat. Sexhdja (në Islam) bëhet vetëm për Zotin e madhëruar.”[3]

Nga ana tjetër duhet të kemi kujdes që të mos futemi në zemrat e njerëzve dhe të lexojmë qëllimet e tyre me hamendje, por të gjykojmë me dituri dhe maturi vetëm atëherë kur na bëhet e qartë çështja dhe qëllimi. Për këtë arsye shikojmë se kur Profeti (alejhissalatu uesselam) e pa Muadhin që iu përul dhe i bëri sexhde, nuk gjykoi menjëherë, por e pyeti përse po e bën këtë sexhde? Atëherë Muadhi e sqaroi se ishte në Sham dhe kishte parë njerëzit atje t’i përshëndetnin dhe t’i nderonin në këtë mënyrë parinë e tyre dhe se ai dëshironte ta nderonte Profetin në të njëjtën mënyrë. Edhe pse rezultoi që Muadhi nuk po bënte sexhde adhurimi, por sexhde nderimi dhe respekti Profeti (alejhissalatu uesselam) gjithsesi ia ndaloi.[4] Pikërisht për këtë dijetarët e sqarojnë çështjen duke gjykuar ndryshe për sexhden e adhurimit dhe ndryshe për sexhden e nderimit dhe respektit. Këtu përfshihen dhe përkuljet në formën e rukusë dhe jo vetëm sexhdet. Imam el-Buxhejremi thotë: “Përkulja për krijesën, siç bëhet zakonisht në takimet e parisë është pa diskutim haram kur nuk synon madhërimin sikur madhëron Allahun. E nëse e bën me qëllimin për ta madhëruar sikur madhëron Allahun ka bërë kufër.”[5] Kurse imam Mustafa ibn Sa’d er-Ruhajbani thotë: “Sexhdja që u bëhet pushtetarëve ose të vdekurve në formë adhurimi është kufër, sipas mendimit unanim të të gjithë muslimanëve. Ndërsa përshëndetja që u bëhet krijesave nëpërmjet sexhdes konsiderohet prej gjynaheve të mëdha.”[6] Ndërsa imam Neveviu shkon akoma më larg kur thotë se sexhdja që bëjnë shumë injorantë para hoxhallarëve të tyre është haram, nëse bëhet për nder të tyre, por edhe nëse kjo bëhet për Allahun në drejtim të kibles, por para prezencës së tyre. Madje ka shumë raste kur këto sexhde bëhen në forma dhe mënyra që tregojnë kufër apo diçka të përafërt me të.[7]

Siç shikojmë të gjitha llojet e sexhdes të cilat bëhen para hoxhallarëve apo dijetarëve, nëse nuk janë kufër dhe shirk së paku janë të ndaluara. Madje imam Burhanuddin et-Tarabulusi shkon dhe më tej kur thotë: “Është haram puthja e tokës përpara një dijetari në formë nderimi për të.”[8] Ndërsa Fahrudin ez-Zejlai thotë: “Ajo që bëjnë ata, që puthin tokën para dijetarëve, është haram, dhe si ai që e bën dhe si ai që kënaqet me të, që të dy janë mëkatarë, sepse kjo i ngjason adhurimit të idhujve.”[9]

 

Kështu nuk duhet që muslimanët të nxitohen dhe të akuzojnë për shirk ose kufër muslimanë të tjerë kur ata bëjnë sexhde të tilla, kur nuk e dinë qëllimin e tyre në e bëjnë për adhurim apo nderim, por njëkohësisht nuk duhet që disa muslimanë të tjerë të tolerojnë në këto lloje përuljesh të cilat janë të ndaluara rreptësishtë në sheriatin tonë edhe nëse mund të bëhen për respekt dhe nderim siç shpjeguam nëpërmjet thënieve të dijetarëve.

Allahu e di më së miri.

 

Komisioni Pyetje &Përgjigjeve pranë LHSH

[1] Surja el-Bekare ajeti 34.

[2] Surja Jusuf ajeti 100.

[3] Tefsir el-Kuran el-Adhim 4/412

[4] Shih hadithin nr 1853 në sunenin e Ibn Maxhes. Në disa transmetime të tjera tregohet se Muadhi kishte ardhur nga Jemeni dhe atje kishte parë njerëzit të bënin sexhde të tilla. Disa dijetarë janë të mendimit se ky hadith është i dobët, mirëpo shumë të tjerë e kanë konsideruar të saktë.

[5] Tuhfetul Habib ala Sherh el-Khatib 4/241. Shpjegim i Fikhut Shafi.

[6] Metalib Ulinnuha Sherh Gajeh el-Munteha 6/278. Shpjegim i Fikhut Hanbeli.

[7] el-Mexhmu Sherh el-Muhedhdheb 4/69. Shpjegim i fikhut Shafi.

[8] Durer el-Hukkam sherh Gurer el-Ahkam 1/318. Shpjegim i fikhut Hanefi.

[9] Tebjin el-Hakaik 6/25

 

Share