A hidhet ujë mbi varret?

Download PDF

Pyetje: Kam lexuar në një libër të dijetarit Bin Baz, ku flet për varrin dhe hedhjes së ujit mbi varr, dhe thotë që është prej syneteve të harruara.

 

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut, qofshin mbi vulën e profetëve, Muhamedin, familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnik dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Ç’është e vërteta shprehjen “se hedhja e ujit mbi varr është prej syneteve të harruara” nuk e dimë se ku e ka thënë ky dijetar i njohur -Allahu e mëshiroftë-, porse në librin Mexhmu Fetava, kur është pyetur rreth hedhjes së ujit dhe guralecave mbi varr, ai është përgjigjur: “Një gjë e tillë është e pëlqyer, nëse është e mundur, sepse ajo e bën dheun mbi varr më të qëndrueshëm, kështu që varri është i qartë dhe nuk përdhoset për shkak të humbjes”. (13/198)

Për ta sqaruar edhe më mirë këtë çështje, do të përpiqemi të japim një përqasje rreth gjykimit islam rreth saj.

Pjesa më e madhe e juristëve dhe fukahave janë shprehur, se është e pëlqyer dhe prej sunetit, që të spërkatet apo të hidhet ujë mbi varrin e një personi të sapo varrosur.

Në Enciklopedinë e Fikhut (32/250) është përmendur: “Hanefitë, Shafi-itë dhe Hanbelitë janë shprehur, se është prej sunetit spërkatja me ujë e varrit menjëherë pas varrosjes së të vdekurit; kjo për faktin sepse Profeti -salallahu alejhi ue selem-, e ka bërë një gjë  të tillë pasi varrosi Sad bin Muadhin, madje porositi që një gjë të tillë ta bënin edhe me varrin e Uthman bin Medhunit pasi ta varrosnin. Madje Shafitë dhe Hanbelitë janë shprehur, se përveç kësaj është mire, që të hidhet dhe çakull, ose guralecë të vegjël, duke e bazuar këtë mbi trasmetimin e Xhafer bin Muhamed, ky nga i jati se Profeti -salallahu alejhi ue selem-, kur i vdiq djali i tij Ibrahimi (pasi e varrosi) e spërkati varrin e tij dhe vendosi mbi varr guralecë”. Kjo për faktin sepse uji e bën varrin të qëndrueshëm dhe që të mos rrafshohet e humbë si shkak i erës. Tebjin el Hakaik: (1/246), Esna el Metalib: (1328) dhe Keshaf el Kina: (2/138)

Shumë dijetarë janë të mendimit, se hadithi ku tregohet se Profeti -salallahu alejhi ue selem-, kur i vdiq djali i tij Ibrahimi (pasi e varrosi) e spërkati varrin e tij me ujë, të cilin e transmeton Taberaniu në el-Mu’xhem el-Euset është hadith i mirë, mes tyre dhe Shejh Albani, i cili shpjegon, se për këtë temë kanë ardhur dhe hadithe të tjera, por që përcillen me zinxhirë transmetimi të dobët.

Pra nga e gjitha kjo, del e qartë se spërkatja e varrit apo hedhja e ujit mbi të është sunet profetik, i cili është kryer në mënyrë që varri të mos humbë e rrafshohet si shkak i largimit të dheut nga era; sepse kur dheut i hidhet ujë, ai bëhet më i ngjeshur dhe forcohet, duke u bërë si një trup i vetëm. Pra shkaku pse Profeti -salallahu alejhi ue selem-, e bënte një gjë të tillë ishte, që të mos humbnin varret, sepse siç dihet toka e Medines dhe e Gadishullit Arabik është tokë ranore, e cila lëviz si shkak i erërave, gjë që mund të shkaktojë humbjen e varreve.

Ndaj dhe disa dijetarë janë shprehur, se spërkatja e varrit me ujë, mund të bëhet edhe pasi ka kaluar kohë nga varrimi, nëse një gjë e tillë shihet e domosdoshme dhe kihet frikë, se varrit mund t’i ngrihet dheu dhe mund të humb e rrafshohet. Hashijetu Rremli el Kebir: (1/328)

Megjithatë duhet të vemë theksin, se veprimi që bëjnë disa muslimanë, të cilët hedhin ujë në varre, apo i spërkasin ato sa herë që vizitojnë varret, duke menduar se një gjë e tillë i bën dobi të vdekurit; duhet të themi se ky nuk është veprim i ligjëruar, madje ai hyn tek bidatet (gjërat e sajuara në fe), të cilat nuk janë të pranueshme, sepse një veprim i tillë është ligjëruar, në mënyrë që dheu mbi varr të forcohet e të ngjeshet dhe jo se i vdekuri ka dobi shpirtërore prej saj!

Kështu që i nxisim muslimanët, që t’i përmbahen teksteve fetare dhe udhëzimit të Profetit -salallahu alejhi ue selem-, i cili e ka bërë të qartë shkakun e këtij veprimi, duke mos bërë sajesa, apo veprime që bien ndesh me këto udhëzime, sikurse bëjnë disa muslimanë, të cilët spërkasin dhe hedhin ujë edhe mbi varret e ndërtuara me beton dhe mermer, në të cilat kundërshtimi është i dyfishtë!

Kjo dhe Allahu e di më mirë.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.

Share