A jep imami selam nga mimberi?

Download PDF

Pyetje: Në ditën e xhuma kur imami hipën në mimber a duhet të japë selam për xhematin?

 

Përgjigje: Dijetarët kanë rënë dakord, se imami kur futet në xhami iu jep selam njerëzve që janë mbledhur aty për të falur xhumanë, por kur të hipë në mimber dhe kthehet me fytyrë nga xhemati disa mendojnë se duhet të japë selam dhe disa të tjerë jo. Dijetarët e medh’hebit Hanefi dhe Maliki mendojnë, se nuk duhet të japë selam pasi të ketë hipur në mimber. (el-Binajeh fi sherhi el-Hidajeh të Bedruddin el-Ajnit 3/62). Kurse dijetarët e medh’hebit Shafi dhe Hanbeli janë të mendimit, se është e pëlqyeshme që imami t’iu japë selam njerëzve të pranishëm pasi ka hipur në mimber dhe kthehet me fytyrë drejt tyre. Argument për këtë është një hadith, që përcillet nga Xhabir ibn Abdilahi, i cili tregon se Profeti (alejhis-salatu ues-selam) kur hipte në mimber jepte selam. Transmetuan Ibn Maxheh dhe Bejhekiu. Ky hadith edhe pse është përcjellur me zinxhir të dobët disa dijetarë mendojnë, se hadithi mund të forcohet nëpërmjet versioneve të tjera dhe prej dijetarëve bashkëkohorë që mendojnë kështu është shejh Albani (Allahu e mëshiroftë). Ndërkohë ka plot dijetarë të tjerë të hershëm, që hadithin e konsiderojnë të dobët, mirëpo e shikojnë çështjen të pëlqyer në praktikë, sepse ka qenë e njohur si vepër te sahabët dhe tabiinët. Ibn Ebi Shejbeh në Musanefin e tij nr. 5196 transmeton, se Othmani r.a, kur hipte në mimber iu jepte selam njerëzve. Po në këtë libër nr. 5197 transmetohet, se Omer ibn Abdul-Azizi kur hipte në mimber iu jepte njerëzve selam dhe ata ia kthenin gjithashtu. Ndërsa Imam Neveviu në librin e tij el-Mexhmu 4/527 sqaron, se imami kur futet në xhami iu jep selam njerëzve që janë atje në hyrje dhe kur hipën në mimber dhe kthehet me fytyrë nga njerëzit u jep selam njerëzve aty, të cilët e kanë detyrë pjesërisht e jo të gjithë (farz kifajeh) ta kthejnë selamin. Pastaj thotë: “Ky është mendimi i medh’hebit tonë dhe i shumicës së dijetarëve të tjerë. Të këtij mendimi janë dhe Abdullah ibn Abasi, Abdullah ibn Zubejri, Omer ibn Abdul-Azizi, imam el-Euzai dhe imam Ahmedi.” Për çka u tha më sipër mendojmë se kjo vepër është e pëlqyeshme. Allahu e di më së miri!

 

 

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.

Share

Kibla, reviste social, historike, fetare e historike 17