A lejohet mos-falja e xhumasë nga frika e virusit Korona?

Download PDF

Pyetje: Në Itali ku jetojmë disa komuna e kanë ndaluar daljen në vende publike dhe në disa raste e kushtëzojnë, që në publik të ruhet distancë fizike, pra jo vetëm për të mos u takuar, por duke mbajtur dhe distancë nga njëri-tjetri. Në rastin e dytë a lejohet të falet namazi i xhumasë në xhami të ndarë nga njëri-tjetri, sipas udhëzimeve që përcaktojnë ekspertët e mjekësisë dhe kur rrëzohet detyrimi i xhumasë në këto raste?

Përgjigje: Dijetarët dhe juristët islamë të shkollave të njohura tradicionale islame, medh’hebeve e kanë sqaruar në librat e fikhut, se i sëmuri nuk e ka detyrë të falë xhumanë, pra përjashtohet nga detyrimi për të falur xhumanë apo për t’u falur me xhemat (për ata që e shikojnë si detyrë faljen me xhemat në xhami përveç xhumasë) dhe në vend të xhumasë fal drekën vetë në vendin ku ndodhet, shtëpi, spital apo gjetkë.

Ndërsa në rastin e rrezikut të përhapjes së epidemive çështja është akoma më e rëndë, sepse rreziku dhe dëmi është më i madh. Sidomos në rastet e epidemive, si virusi Korona, i cili fillimisht nuk kuptohet kush e bart atë dhe po përhapet në masë. Në këto raste, nëse udhëzimet përkatëse, që dalin nga ministria e shëndetësisë, vendimet e qeverisë apo nga instancat zyrtare shtetërore porosisin, që të mënjanohen sa më shumë kontaktet me njerëzit në vendet publike për të parandaluar përhapjen e virusit, lejohet të falen në xhami të ndarë nga njëri-tjetri, duke ruajtur distancën e përcaktuar sipas udhëzimeve dhe duke përdorur masa mbrojtëse si maska, doreza etj.  Por në rast të përhapjes së virusit në masë, siç po ndodh në Itali, ku janë marrë vendime për të izoluar zona të veçanta bashkë me popullatën e tyre, atëherë namazi i xhumasë nuk është më detyrë për aq kohë sa epidemia kërcënon dhe rrezikon shëndetin dhe jetën e njerëzve. Madje dijetarët kanë përmendur në librat e fikhut, se në raste konkrete kur dihet se dikush është i prekur nga sëmundjet ngjitëse duhet të ndalohet të futet në xhami dhe në vende të tjera publike. Imam Ibn Haxher el-Hejtemi në librin e tij el-Minhaxh el-Kavim 1/150 sqaron, se dijetarët e kanë ndaluar, që një i sëmurë nga lebroza të futet në xhami për të falur namazin, ose xhumanë apo të përzihet me njerëzit në vende publike.  Andaj njerëz të prekur nga epidemitë e ndryshme duhet të izolohen dhe të kurohen me kujdes për të arritur në shërimin e tyre dhe për të parandaluar me çdo kusht rrezikun e përhapjes së epidemisë.

Në rastin konkret në Itali, në ato zona ku komuna e ka ndaluar rreptësisht përzierjen e njerëzve në vende publike lejohet mosfalja e xhumasë dhe në vend të saj të falet namazi i drekës në shtëpi. Kurse në rastin si Shqipëria, ku përhapja e virusit nuk ka marrë përmasa të mëdha është e mirë, që të ndiqen udhëzimet përkatëse për të mos dalë pa nevojë në vendet publike. Por nëse merren vendime qeveritare të prera ose nga ministria e shëndetësisë për të mos frekuentuar në asnjë mënyrë vendet publike, atëherë edhe te ne nuk është më detyrë namazi i xhumasë deri në qetësim të situatës dhe daljen nga rreziku.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Share