A mund ta falin Namazin e Bajramit në shtëpi?

Download PDF

Pyetje: Në kushtet e pandemisë së shpallur ku ndodhemi momentalisht shumë xhami në Evropë janë të mbyllura dhe nuk do hapen për namazin e bajramit. A mund ta falin namazin e bajramit në shtëpi? Përgjigje: Namazi i bajramit është një nga adhurimet më të rëndësishme të ditës së Bajramit dhe një nga simbolikat e dukshme islame të asaj dite. Namazi i bajramit është pjesë e traditës profetike, që të falet me xhemat në sheshe të hapura ose në pamundësi në xhami. Në kushtet ku ndodhemi, për shkak të pandemisë në mjaft vende namazi i bajramit nuk do të mund të falet, as nëpër sheshe, dhe as në xhami. Sipas pjesës dërrmuese të dijetarëve islamë namazi i Bajramit është sunet dhe jo uaxhib dhe po ashtu ata mendojnë se në varësi të rrethanave mund të falet në shtëpi, me xhemat ose vetëm, por pa hutben e ditës së Bajramit. Koha e namazit të Bajramit hyn pasi të ketë lindur dielli dhe ai të jetë ngritur sa masa e një heshte mbi horizont, në shikimin e syrit, ose çerek ore afërsisht dhe përfundon në kohën e zenitit të diellit, pra pa hyrë koha e namazit të drekës. Namazi i Bajramit ka dy rekatë, pa ezan dhe ikamet para tij. Në rekatin e parë pasi bëhet tekbiri fillestar bëhen edhe gjashtë ose shtatë tekbire të tjera, ndërsa në të dytin pasi ngrihemi bëhen pesë tekbire. Është e pëlqyeshme, por jo e detyrueshme, që në rekatin e parë të këndohet pas sures El-Fatiha surja Kaf ose el-Ala dhe në rekatin e dytë surja el-Gashije ose el-Kamer, por mund të këndohen edhe sure të tjera.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.

Share

LHSH ju uron Bajramin e Ramazanit…