A mund ta heq shaminë thjesht për faktin që nuk jam e bindur për mbajtjen e saj?

Pyetje:

A mund ta heq shaminë thjesht për faktin që nuk jam e bindur për mbajtjen e saj?

Përgjigje:

Së pari, na duhet të sqarojmë se çfarë kuptohet me fjalën ‘bindje’. Dikush mund të mos jetë i bindur se Islami është feja e vërtetë, dhe natyrshëm ndodh që derisa të krijojë bindjen për vërtetësinë e Islamit, do t’i duhet kohë për të hedhur hapin e pranimit të tij dhe shqiptimin e shehadetit. Kjo kohë do të varet nga intensiteti me të cilin ai do të përballet me argumentet dhe provat bindëse për këtë gjë, si dhe me procesin emocional dhe racional që ai do të kalojë brenda vetes, derisa të marrë hapin e pranimit të Islamit si fenë e tij. Në këtë linjë mund të themi se, një muslimane që ka pranuar se feja e vërtetë për t’u lidhur me Zotin është Islami, nuk duhet ta vërë në dyshim faktin se mbulesa islame e femrës është një obligim i vendosur nga vetë Allahu. Kjo është një çështje për të cilën nuk ka asnjë dyshim mes muslimanëve, sepse ajo sanksionohet në të tre burimet bazë të Islamit, pra në Kuran, në Udhëzimin Profetik (Sunneh) dhe në Konsensusin e dijetarëve të Islamit (Ixhma). Shtrirja e kësaj praktike në kohë dhe hapësirë, kurdo dhe kudo janë gjendur muslimanët, është vetëm një prej dëshmive që provon sigurinë e këtij obligimi islam. E nëse do ta detajojmë në përmendjen e disa prej argumenteve fetare mund të themi: Në suren en-Nur, ajeti 31, Allahu duke iu drejtuar Profetit (alejhi salatu ue selam) thotë:

“Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre, ta ruajnë nderin e tyre dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre (trupore), përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre (trupore), përveçse bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave a grave të tyre, ose atyre që i kanë nën zotërim (si skllave), ose shërbëtorëve që nuk kanë epsh ndaj femrave, apo fëmijëve që nuk i dinë ngacmimet e femrave.”

Fjala “mbulesat e tyre” e përdorur në këtë ajet, në gjuhën arabe është ‘khumur’, shumësi i falës ‘khimar’ që në shqip do të thotë “mbulesë e kokës”, prandaj në përkthimin e H.Nahit është vendosur në kllapa fjala “të kokës”, ndërsa në atë të Sh. Ahmedit, fjala “shami”, sepse pikërisht bëhet fjalë për shaminë e kokës. Kështu në Kuran nuk thuhet drejtpërdrejt, siç e kërkojnë disa, ‘mbulohuni’, sepse kjo nuk ishte aspak e nevojshme, pasi gratë muslimane e mbanin mbulesën edhe para Islamit, por ajeti kërkon diçka më tepër, kërkon mënyrën e mbajtjes së tyre, lëshimin e tyre mbi kraharor dhe jo pas shpine, siç bënin në atë kohë dhe në atë vend një pjesë e grave. Pra, Zoti në Kuran kërkon që gratë me shamitë e kokës të mbulojnë kraharorin e tyre dhe tregon mënyrën se si duhej bërë ky mbulim, pikërisht me anë të shamive të kokës që ato mbanin.

Ndërsa në ajetin 59 të sures el-Ahzab, Allahu përsëri i drejtohet Profetit (alejhi salatu ue selam) duke i thënë:

“O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”

Fjala e përdorur në këtë ajet në gjuhën arabe është ‘xhelabib’ shumësi i fjalës ‘xhilbab’, një tjetër sinonim ky për termin e mbulesës në islam, por që më specifikisht identifikon gjuhësisht një mbulesë më të madhe sesa shamia e kokës, e cila edhe ajo vendoset mbi kokë dhe lëshohet mbi tërë trupin si mbulesë dhe mbështjellëse dhe që përdoret kur gruaja del nga shtëpia dhe në udhëtim. Ajeti në këtë rast identifikon një mbulim shtesë mbi atë që identifikon ajeti i mësipërm.

Ndërsa nga Tradita e Profetit këtu mund të veçojmë hadithin e njohur të Esmasë, ku Profeti i drejtohet duke i thënë: “O Esma, kur gruaja arrin në moshën madhore (pubertetin) nuk lejohet të shihet prej saj vetëm se kjo edhe kjo- dhe tregoi me dorë fytyrën dhe pëllëmbët e duarve.” (Ebu Daudi nr. 4104)

Dijetarë të ndryshëm islamë, si Ibn AbdulBerr (v. 463 h.) dhe mjaft të tjerë kanë cituar konsensusin e dijetarëve islamë, rreth obligimit islam të mbulesës për femrën, që ka mbushur moshën e pubertetit. Në të gjitha shkollat juridike islame gjenden me dhjetëra citime nga një numër i madh dijetarësh për këtë çështje, aq sa diskutimet e tyre rreth mbulesës së femrës shpesh fokusohen në çështjen nëse është obligim që femra muslimane të mbulojë edhe duart dhe fytyrën e saj në disa raste apo jo, dhe asnjëherë për të vënë në dyshim vetë mbulesën.

Nuk ka pasur asnjëherë, përgjatë gjithë historisë islame dyshim mbi këtë obligim islam. Dyshimet dhe tentativat për ta zhveshur atë nga të qenit obligim, janë vetëm të kohëve të sotme dhe nga njerëz të paditur ose me agjenda të caktuara ideologjike. Për më shumë detaje rreth argumenteve fetare për mbulesën e femrës në Islam dhe përgjigje ndaj dilemave bashkëkohore, mund t’i referoheni librave të Fikhut Islam ose atyre që flasin për këtë temë në veçanti.

Kështu që nisur nga sa thamë më sipër, çështja e mbulimit të një femre muslimane, që ka pranuar Islamin si fe, Allahun si Zot, Muhamedin si Profet dhe veten si pjesë e bashkësisë së madhe muslimane, nuk ka vend për asnjë mëdyshje se mbulesa është obligim islam (farz), i kërkuar nga vetë Zoti.

 

Së dyti, nëse me fjalën ‘bindje’ keni për qëllim nivelin e besimit dhe devotshmërisë, pra se ju e keni të vështirë ta kryeni këtë obligim, sepse akoma nuk gjeni forcë besimi të mjaftueshme në veten tuaj për ta zbatuar këtë normë, atëherë vendosja e saj është një nga mënyrat më të mira dhe kryesorja për ta kapërcyer këtë dobësi. Ju ndoshta mund të druheni nga ambienti dhe shoqëria që mendoni se do t’iu paragjykojë, por ky nuk është justifikim i pranuar para Allahut për të mos e vendosur mbulesën. Ai thotë në Kuran:

“Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.” (el-Ankebut: 2-3)

Dhe obligimet islame, mes tyre edhe mbulesa, janë një lloj testi, krahas sprovave të tjera, për ne, se a do t’i bindemi Allahut apo jo. Është një provim se a do të mundemi ne që për hatër të besimit dhe për të fituar dashurinë e Allahut, të mos e marrim parësore botën, njerëzit e saj dhe opinionet e tyre. Allahu në shkëmbim të kësaj sprove të vogël, na dhuron bekimin dhe mëshirën e Tij të pakufishme, na dhuron Xhenetin e amshuar, na dhuron lumturinë e përjetshme. Dhe jemi ne ata që kemi nevojë për to, dhe jo Ai. Besimi krahas vendit kryesor dhe madhor që ka në zemër, është edhe praktikë dhe reflektim i jashtëm dhe në Islam nuk ka ndarje mes tyre.

Vërtet çdokush është i lirë të veprojë si të dojë, por a mund të ndihet e qetë një besimtare, kur ajo nuk plotëson një obligim të rëndësishëm të fesë?

Qetësia e shpirtit dhe kënaqësia e zemrës së besimtares fitohet duke kënaqur Zotin, sepse vetëm Ai e ka këtë forcë ta dhurojë kënaqësinë e ëmbëlsisë së besimit, dhe Ai kënaqet kur besimtaret e Tij i binden të gjitha obligimeve të Tij, çfarëdo qofshin ato. Një femër muslimane, e cila e pranon obligimin e mbulesës, por nuk e praktikon atë, ka diçka të rëndësishme mangët në adhurimin e saj ndaj Zotit. Ajo i ngjan –deri diku- një muslimani që p.sh. falet vetëm në ditën e xhuma, një i tillë  natyrisht që nuk arrin shpërblimin e atij që falet çdo ditë dhe padyshim që nuk ka të njëjtin nivel besimi, apo përgjegjësie dhe gjynahu të atij që braktis, apo përton të kryejë të plotë detyrimin ditor të namazit. Kështu që një muslimane që nuk e mbart shaminë, është fetarisht në të njëjtën pozitë me atë që e heq atë. Fakti që nuk e ka mbajtur asnjëherë, nuk e bën atë më pak përgjegjëse para Allahut dhe me më pak gjynah sesa kur e ka vënë dhe më pas e ka hequr mbulesën, edhe pse në sytë e njerëzve duket e tillë. Besimi shtohet me vepra dhe adhurime praktike, dhe njeriut ato i bëhen më të dashura, sa më shumë t’i praktikojë ato, kështu që edhe mbulesa islame nuk bën përjashtim në këtë drejtim. Mbartja e saj e shton dashurinë dhe bindjen për të dhe i lehtëson edhe obligimet e tjera, edhe pse në fillim mund të vihet me një farë dobësie dhe hezitimi, për shkak të opinionit. Por, një femër muslimane e pambuluar, nuk do të thotë automatikisht se është e pamoralshme dhe nuk e do fenë dhe Zotin e saj dhe se asaj do t’i mungojë mëshira e Allahut. Jo, por ama ajo ngelet me diçka mangët, me të cilën ajo do të përmbush një detyrim madhor karshi besimit dhe shpirtit të saj.

Mbulesa islame, krahas normave të tjera të fesë, e bën femrën muslimane më të plotë dhe më të barabartë me mashkullin në prezencën e saj publike, kjo, sepse mbulesa e privatizon seksualitetin e femrës dhe nuk e bën atë element tërheqës për meshkujt e huaj. Një femër e mbuluar mbron veten e saj nga çdo joshje e mundshme, që natyrshëm mund t’i lindë një mashkulli të huaj, për ta parë atë si një objekt të kënaqësisë së tij seksuale, qoftë edhe vetëm me vështrimin e tij. Profeti ynë na ka treguar se edhe sytë edhe veshët bien në pozita të një lloj imoraliteti seksual, nga i cili njerëzit nuk mund të shmangen dot. Kura më e mirë për këtë, padyshim është mbulesa e femrës, sepse ajo për nga natyra, forma fizike dhe pamja që i ka dhënë Zoti, është më e bukur dhe më tërheqëse sesa mashkulli, kështu që mbulesa e vë atë në këtë aspekt, në kushte të barabarta me të, duke i imponuar kështu mashkullit respekt dhe trajtim të njëjtë, larg joshjes fizike dhe e vendos planin e kontaktit mes tyre, mbi baza më racionale dhe më pak emocionale e seksuale. Kështu që një femër e mbuluar shpërblehet dyfish nga Zoti, pra shumë më tepër sesa një mashkull, në këtë drejtim, sepse ajo jo vetëm përmbush obligimin, por edhe mbron veten dhe tjetrin nga rënia në gjynah.

Është e vërtetë se njeriu ka liri zgjedhjeje, si në veshje, në sjellje dhe në atë që beson ose jo, por liria e njeriut, në mënyrë absolute është e kufizuar, brenda përzgjedhjes së modeleve sociale, kulturore dhe identitare që ambienti dhe shoqëria i ofron atij. Ai kurrë nuk e krijon lirinë e tij dhe as modelin që përvetëson, por vetëm përzgjedh dhe kombinon mes atyre që sheh dhe dëgjon, vetëm këtu ekziston liria e mundshme e njeriut, e cila padyshim, edhe pse mbetet liri e kufizuar, është liri që shoqërohet me përgjegjësi, përndryshe nuk do të ishte liri. Ndërkohë, mendësia apo opinioni i gabuar se mbulesa islame të kufizon lirinë dhe të privon nga një ‘kënaqësi’ e kësaj bote, është thjesht një vesvese e shejtanit, që buron nga mendësia materialiste dhe nga pikëpamja hedoniste e botës së sotme, mbi kënaqësinë dhe lumturinë, e ndër të tjera, edhe se seksualiteti njerëzor duhet shijuar në të gjitha përmasat e tij, vizive, verbale dhe fizike, qoftë edhe jashtë marrëdhënies së ligjshme martesore. Normaliteti dhe natyraliteti nuk është zbulimi i trupit, siç mundohen ta paraqesin, por mbulimi dhe zbulimi i trupit janë dy zgjedhje që mbartin pas tyre pikëpamje të ndryshme mbi jetën dhe botën, mbi Zotin dhe njeriun, mbi besimin dhe mosbesimin. Një besimtare muslimane, më shumë se çdokush tjetër, e ka të qartë se cili është modeli dhe përzgjedhja e saj në këtë jetë. Ajo zgjedh t’i bindet Zotit të saj dhe urtësisë së Tij dhe të vendos mbulesën islame që Ai ka bërë obligim për të.

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

 

 

Share