A mund të falet gruaja shtatzënë ulur?

Download PDF

Pyetje: Jam një grua shtatzënë në muajin e tetë  dhe a më lejohet të falem ulur në karrige, ngaqë e kam shumë të vështirë të ulem dhe të ngrihem nga sexhdeja?

 

Përgjigje:  Feja islame është fe me të cilën Allahu i urdhëron njerëzit, që të ndjekin rrugën e vërtetë, të kryejnë urdhëresat fetare me përpikmëri dhe të mos neglizhojnë, mirëpo në të njëjtën kohë nuk e ngarkon njeriun përtej mundësisë dhe dëshiron për të lehtësimin dhe jo vështirësimin. Në një ajet kuranor Allahu i Madhërishëm thotë: “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” Surja Bekare 185.

 

Duke u nisur nga kjo ka tolerancë dhe mundet që dikush të falet ulur, mirëpo nuk mundet njeriu ta përcaktojë, si dhe kur falet ulur nga vetja e tij, por duhet të ndjekë udhëzimet fetare. Pra dikush mund të ndjejë lodhje, ose këputje ose debulesë, që mund ta përballojë dhe ndërkohë falet ulur.  Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Falu në këmbë, nëse nuk mundesh falu ulur, e nëse nuk mundesh falu i mbështetur anash.”  Transmetoi Buhariu.  Pra është detyrë, që të falesh në këmbë, sepse qëndrimi në këmbë është një nga kushtet e namazit dhe nuk lejohet të anashkalohet një kusht prej kushteve të namazit pa arsye të konsiderueshme fetare. Andaj edhe në hadith përmendet, se kur nuk mundesh të falesh në këmbë, atëherë falesh ulur, pra sipas mundësisë.  Për rastin konkret, nëse femra shtatzënë e ka tepër të vështirë të ulet e të ngrihet mund të falet ulur, madje nëse ka rekomandim nga mjeku që të qëndrojë në regjim shtrati, ose të ketë sa më pak lëvizje për shkak të rrezikut të dështimit, atëherë lejohet që të falet dhe mbështetur ose shtrirë duke bërë rukunë dhe sexhden me përkulje të lehta dalluese. Kurse në rastin kur falet ulur të mundohet të përkulet për rukunë dhe sexhden, aq sa e ka të mundur.  Nëse për sexhden përkulet pak më shumë është edhe më mirë. Ndërkohë nëse është e mundur të qëndrojë në këmbë,  ndërsa  rukuja dhe sexhdeja të bëhen ulur në karrige apo shtrat kjo është më e mira, por në rastin kur as në këmbë nuk qëndron dot atëherë falet ulur.  Edhe në rastin kur nuk qëndron  dot në këmbë gjatë gjithë namazit, atëherë të mundohet brenda mundësive që tekbirin fillestar ta marrë sa është duke qëndruar në këmbë, e pastaj në rekatin e dytë e më tej mund të qëndrojë ulur.  Po ashtu kujtojmë se në pamundësi për t’u falur në këmbë shpërblimet (sevapet) do t’i ketë sikur është falur në këmbë.

Ky shpjegim vlen vetëm për namazet farze, kurse në namazet sunete ose vullnetare ka më tepër tolerancë dhe mund të falet ulur edhe kur ka lodhje, ose këputje të lehta, ose nuk ka fare, por ka dëshirë të falet ulur, por nuk e ka shpërblimin sikurse namazi, që falet duke qëndruar në këmbë.

Share

Kibla, reviste social, historike, fetare e historike 17