A mund të falet namazi me rroba që kanë figura?

Download PDF

Pyetje:

A është i saktë namazi me rroba që kanë figura gjallesash në të? Po namazi që falet në vende ku ka fotografi ose piktura të gjallesave frymore?

 

Përgjigje:

Së pari, duhet të dimë se ekspozimi i figurave të gjalla frymore, njerëz apo kafshë qofshin, pra e çdo krijese me shpirt, është i ndaluar. Për këtë dijetarët bazohen në hadithin profetik ku thuhet: “Melekët nuk futen në ato shtëpi, ku ka qen apo figura të gjalla.” Transmeton Buhariu & Muslimi.

Së dyti, për sa i përket figurave të krijesave të gjalla që ndodhen në rroba, të cilave nuk iu jepet rëndësi e veçantë (siç iu jepet fotove që varen në mur ose statujave që vendosen diku dhe ruhen me kujdes), mendimi i dijetarëve është më i zbutur.

Disa prej dijetarëve e konsiderojnë paraqitjen e këtyre figurave si të ndaluar të shkallës haram (edhe pse jo njëlloj si fotot dhe figurat që varen në mur), ndërsa shumë të tjerë mendojnë, se paraqitja e figurave me shpirt në veshjet e ndryshme është mekruh (e papëlqyeshme fetarisht), por ndërkohë të gjithë janë të  mendimit se namazi nuk prishet, nëse dikush falet me një rrobë të tillë. Kjo sepse namazi nëse plotëson  kushtet e saktësisë së tij, ai është i saktë në vetvete,  pavarësisht faktit se në të njëjtën kohë namazliu bie në gjynah ose mekruh (sipas dy mendimeve të dijetarëve që përmendëm) me veprimin që ka bërë, pra kur falet me rroba që kanë figura të krijesave të gjalla.

Së treti, i njëjti gjykim për saktësinë e namazit vlen edhe për vendin apo dhomën ku ndodhen figura të tilla. Pra, pavarësisht ndalesës për varjen e fotove dhe figurave frymore, namazi në vetvete është i saktë, nëse i ka plotësuar të gjitha kushtet për të qenë i tillë, ndërsa gjynahu që merr njeriu për mbajtjen dhe varjen në mur të pikturave të gjallesave me shpirt, nuk ka lidhje të drejtëpërdrejtë me vlefshmërinë dhe saktësinë e namazit.

 

Allahu e di më së miri.

 

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.

Share