A mund të mos e japim dorën kur i druhemi COVID 19?

Download PDF

Pyetje:  E dimë që dhënia e dorës është një traditë e mirë islame, traditë profetike, mirëpo në rastin e Covid-19,  ku nuk dimë se kush mund të jetë i infektuar, a mund të mos e zbatojmë këtë traditë, sepse kemi raste ku disa muslimanëve iu mbetet hatri pse nuk ia jep dorën dhe ndjehen të ofenduar?

 

Përgjigje: Është e vërtetë që dhënia e dorës në takimet e ndërsjella është  traditë islame. Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Çdo herë që dy muslimanë takohen duke shtrënguar duart e tyre do t’iu falen mëkatet para se të ndahen.” Transmetuan Ebu Davudi dhe Tirmidhiu. Ky hadith dhe të tjera të ngjashme na tregojnë për rëndësinë e dhënies së dorës gjatë takimit të muslimanëve me njëri-tjetrin, gjë e cila tregon për vllazërinë, afrimitetin dhe dashurinë reciproke. Mirëpo në raste frike nga infektime të ndryshme është e natyrshme, që njeriu të ruhet dhe është e arsyeshme mos-dhënia e dorës.  Për këtë kemi hadithin profetik nga  Shurejd ibn Suvejdi, i cili na tregon se në mesin e delegacionit të fisit Thekif, të cilët kishin ardhur te Profeti (alejhis-salatu ues-selam) për t’i dhënë besën për Islamin e tyre ishte dhe një njeri me lebrozë, prandaj Profeti (alejhis-salatu ues-selam) dërgoi dikë t’i thoshte: “Ta kemi marrë besën tënde prandaj mund të kthehesh!”  Transmetoi Muslimi. Pra bëri kujdes dhe nuk lejoi, që një njeri i infektuar me sëmundje ngjitëse të afrohet dhe të përshëndesë me dorë. Dhe në rastin konkret kur dyshohet, ose dikush ka frikë nga infektimi mund të mos e japë dorën e tij, dhe të tjerëve nuk duhet t’iu mbesë hatri për këtë gjë, por duhet ta mirëkuptojnë, sepse jo të gjithë njerëzit kanë të njëjtën natyrë, dikush kujdeset më shumë për veten, dikush ka frikë më tepër etj. Madje kërkohet nga të gjithë së bashku, që të ruhemi e të bëjmë kujdes sa të mundemi.

 

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.

Share