A mund të plotësoj ditët kaza të Ramazanit bashkë me nijetin e Shevvalit?

Download PDF

Pyetje: A mund të plotësoj ditët kaza, që kam nga Ramazani bashkë me nijetin e gjashtë ditëve të Shevvalit?

Përgjigje: Është i njohur diskutimi në mesin e dijetarëve nëse lejohet të bashkohen dy adhurime bashkë më nijet të përbashkët, apo nuk lejohet dhe zakonisht ata që e lejojnë flasin më tepër për bashkimin e nijetit mes dy adhurimeve vullnetare. Kurse në rastin e agjërimit të ditëve kaza të Ramazanit dhe gjashtë ditëve sunet të muajit Shevval ka dallim të qartë për vetë faktin, se vetë Profeti (alejhis-salatu ues-selam) i ka renditur këto dy adhurime të ndara nga njëra-tjetra, kur thotë: ““Kush agjëron muajin e Ramazanit pastaj e pason atë me gjashtë ditë nga muaji Shevval do të shpërblehet sikur të ketë agjëruar të gjithë vitin.”  Transmetoi Muslimi.

Pra, për arritjen dhe përmbushjen e sevapeve për të gjithë vitin duhet që agjërimi i gjashtë ditëve në muajin Shevval të jetë veç nga agjërimi i Ramazanit, sepse të dyja këto agjërime bashkë plotësojnë sevapet e një viti të tërë. Për t’u kuptuar kjo më mirë mund të marrim shembull faljen e dy suneteve të sabahut dhe faljen e dy farzeve të sabahut, të cilat janë dy namaze të ndryshme, të cilat nuk bashkohen bashkë me nijet të përbashkët. Ndërsa  kur qëllon agjërimi kaza i ditëve të Ramazanit ditë hëne ose ditë e enjte, apo dita e dhjetë e Dhul-Hixhes apo dita e Arafatit shumë dijetarë kanë thënë, se mund të bashkohet nijeti dhe shpërblimi është i dyfishtë, kurse në rastin konkret agjërimi i ditëve kaza të Ramazanit duhet të jetë më vete dhe jo i përzier me agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Shevval.

 

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.

Share