A ta ndërpresim agjërimin me rastin e fundit të epidemisë?

Download PDF

Pyetje: Për ne që agjërojmë zakonisht ditën e hënë dhe ditën e enjte a është e këshillueshme, që ta ndërpresim agjërimin në këtë rastin e fundit të epidemisë, meqë këshillohet të pimë ujë e mos e lemë fytin e thatë?

Përgjigje: Së pari duhet verifikuar saktë, se a është e vërtetë kjo këshillë mjekësore apo jo, që të mos ngarkohen njerëzit me gjëra të panevojshme.

Ndërsa për sa i përket agjërimit ditën e hënë dhe ditën e enjte është një traditë e bukur profetike, që praktikohet nga shumë besimtarë. Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut do ta largojë Allahu për atë ditë nga Zjarri i Xhehenemit shtatëdhjetë vjeshta.” Transmetuan Buhariu dhe Muslimi. Në një hadith tjetër që e shënon Tirmidhiu thuhet: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu do të vendosë një hendek mes tij dhe Zjarrit të Xhehenemit, sa është hapësira mes qiellit dhe tokës.” Pra agjërimi i një dite të vetme ka një shpërblim shumë të madh për këdo, që ka dëshirë të agjërojë në formë vullnetare. Andaj këshillojmë që agjërimi mos të ndërpritet nëse agjëruesi është i shëndoshë fizikisht dhe nuk ka simptoma të sëmundjeve gripale apo shqetësime të tjera. Në të kundërt, nëse vëren diçka shqetësuese mund ta ndërpresë agjërimin gjatë ditës dhe shpresojmë që Allahu t’ia japë shpërblimin e plotë përderisa qëllimin e kishte ta vazhdonte agjërimin deri në fund.

 

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

 

Share