A vlen të agjëroj vetëm Natën e Kadrit?

Download PDF

Pyetje:  A më vlen nëse agjëroj vetëm Natën e Kadrit, sepse kam dëgjuar se një ditë e vetme nuk është e vlefshme dhe nëse po më duhet të bëj lutje për të qenë brenda Natës së Kadrit natën para datës 27 apo natën pas datës 27?

 

Përgjigje: Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Islami është i ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e Haxhit.” Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.

Nga ky hadith profetik, por edhe nga argumente të tjera, që janë përmendur në Kuran apo në hadithe të tjera vërtetohet, që është detyrë të agjërohet i gjithë muaji i Ramazanit dhe nuk duhet të neglizhojë askush që i thotë vetes musliman nga ky detyrim, që vjen nga veti Zoti që na krijoi. Sidoqoftë nëse dikush në varësi të rrethanave dhe kushteve ku jeton nuk ka agjëruar përgjatë muajit dhe mendon të agjërojë të paktën një ditë nga Ramazani shpresojmë, që ajo ditë të jetë e vlefshme dhe Allahu ta pranojë, sepse çdo ditë agjërimi është adhurim më vete nga ditët e tjera. Në të njëjtën kohë çdo punë, çdo vepër dhe çdo adhurim që njeriu e bën, sado e vogël qoftë ajo është shenjë besimi. Pra njeriu, që i beson Allahut dhe Ditës së Gjykimit, beson librat e shenjtë, profetët dhe melekët dhe këtë besim e shfaq me vepra të ndryshme, siç është agjërimi, namazi i xhumasë ose i bajramit, sadakaja etj., shpresojmë që Zoti t’ia ketë ruajtur sevapet dhe shpërblimet në Ditën e Gjykimit dhe të jetë një resurs për atë për të shpëtuar nga dënimi i Zjarrit të Xhehenemit.

Ndërsa për sa i përket lutjeve të ndryshme, që duhen bërë në Natën e Kadrit, e cila te shumica e njerëzve mendohet të jetë nata e 27  duhet të veçohet qoftë për lutje apo për ngrënien e syfyrit natën para datës 27 dhe jo natën pas saj, sepse nata që vjen më pas është nata e datës 28  Ramazan. Lusim Allahun e Plotfuqishëm që të hapë zemrat njerëzve dhe t’ia bëjë të mundur të falen dhe të agjërojnë rregullisht për të qenë muslimanë të vërtetë!

 

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.

Share

LHSH ju uron Bajramin e Ramazanit…