Agjërimi i ditëve kaza të Ramazanit ose 6 ditët e Sheualit pas ditës së parë të Fitër Bajramit

 A mund të fillohet agjërimi i ditëve kaza të Ramazanit ose 6 ditët e Sheualit pas ditës së parë të Fitër Bajramit?

Pyetje:  Kur mund të filloj agjërimin e ditëve kaza të Ramazanit ose 6 ditët e Sheualit, një ditë pas bajramit apo të pres tre ditë? Sepse kemi dëgjuar që Bajrami zgjat tre ditë dhe jo një. Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigje: Muslimanët kanë dy bajrame në vit, Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin. Fitër Bajrami është një ditë dhe ndryshon nga Kurban Bajrami. Kurban Bajrami zgjat katër ditë, dita e parë e Bajramit dhe tre ditët e teshrikut. Profeti (alejhissalatu uesselam) kur ka folur për këto ditët ka thënë se këto janë ditë kur hahet, pihet dhe përmendet Allahu. Siç përcillet kjo nga Ebu Davudi (nr. 2418)Muslimi (nr. 1141) etj. Këto ditë përkojnë me qëndrimin e haxhinjve në Mina.

Ndërsa në rastin e Fitër Bajramit, siç e përmendëm, çështja është më e thjeshtë, sepse fetarisht Fitër Bajrami është vetëm një ditë, dita e parë, ndërsa ditët e tjera janë thjeshtë shtesë nga zakonet e njerëzve për të cilat nuk ka ndonjë argument. Ndërkohë Profeti (alejhissalatu uesselam) ka ndaluar të agjërohet vetëm Dita e Bajramit, por jo ditët e tjera. Kështu që ditët kaza të Ramazanit ose gjashtë ditët e Shevalit mund të fillojnë menjëherë pas ditës së Fitër Bajramit.

 

Allahu e di më së miri.

 

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Share
>
Facebook