“Bankimi dhe ekonomia islame në epokën moderne”

Download PDF

Problemet e ekonomisë islame dhe të bankimit në botën islame dhe më gjerë ishte në qendër të vëmendjes së takimit mujor të organizuar nga stafi i LHSH në bashkëpunim me studiuesin e mirënjohur nga Kuvajti Prof. dr. Muhamed Emin Ali Katan*. Tema që referoi profesor Katan titullohej “Bankimi dhe ekonomia islame në epokën moderne”, dhe ku me shumë aftësi profesori i nderuar anëtar i disa bordeve kontrolluese bankash të mirënjohura në botën muslimane arriti të përçojë mesazhe shumë të vlefshme për realitetin tonë shqiptar. Në fillim të fjalës së tij prof. Katan referoi fakte nga historia islame, ku përmendi ngritjen e institucioneve ekonomike qysh në kohën e Profetit alejhi selam, duke u bërë kështu pararendëset e institucioneve të ndryshme ekonomike moderne. Më pas ai u ndalua në konceptet e funksionimit të bankimit islam dhe duke specifikuar kontratat dhe marrëveshjet e ndryshme ekonomike sipas Islamit. Ai u ndal dhe zgjeroi temën e tij te Mudarebe, një kontratë ortakërie e njohur nga ligji islam, ku njëra palë vendos mjetet financiare dhe pala tjetër vendos punën, duke e parë këtë si një nga mënyrat e mundshme të bashkëpunimit midis aktorëve të ndryshëm. Një pikë e cila u trajtua me shumë kujdes nga prof. Katan ishte edhe ajo e leasing, e cila kërkon kushte të rrepta islame për funksionimin e saj. Në kuadër të kësaj teme profesori i nderuar Ali Katan dha edhe statistika të ndryshme rreth vendeve muslimane, që i zbatojnë më shumë rregullat e bankimit dhe të ekonomisë islame, ku në krye të listës qëndrojnë Turqia dhe Kuvajti. Tema dhe biseda e mbajtur nga prof. Katan ngjalli kureshtjen dhe interesimin e madh të hoxhallarëve të pranishëm në këtë takim, ku ky interesim u shfaq gjatë të gjithë bisedës me pyetjet e vazhdueshme në drejtim të lektorit të shquar.

 

 

* Prof. dr. Muhamed Emin Ali Katan dtl. 09/04/1966 Pedagog i Ekonomisë Islame qysh nga viti 1995 në universitete të ndryshme evropiane dhe në botën muslimane. Titullin e profesorit e ka marrë në Bankimin Islam në Universitetin e Birmingamit në Angli 2001. Menaxher i Programeve Arsimore në Organizatën Ndërkombëtare Islame të Bamirësisë, Kuvajt; anëtar i shumë Komiteteve Kontrolluese të Bankave Islame të botës muslimane, anëtar themelues dhe aksioner i United Consultants & Co, një kompani private konsultimesh për ekonomi dhe financim islam në Kuvajt 2005.

Share