Dardha e tezave marksiste e ka bishtin prapa

Download PDF

Nga hoxhë Justinian Topulli

Kur studentët e Dhjetorit u ngritën në protestat e 1990, gjëja më e largët që mund t’iu shkonte në mendje ishte të përkrahnin kauzën e tyre për liri dhe demokraci me teza marksiste. Shumë prej tyre vërtet mund të mos kishin ideale të djathta, ose konservatore, por gjëja më e urryer për ta në ato momente ishte pikërisht pjella teorike dhe praktike e Marksit në Shqipëri. Edhe pse ajo lëvizje realizoi shumë ndryshime pozitive në dobi të këtij vendi, një pjesë e arritjeve të saj u mor peng nga ata, që gjithë jetën ishin formësuar me mësimet e këtij ideologu ateist dhe pjellave të tij, dhe që papritur e kishin braktisur atë, por pa mundur të zhvishen dot nga idetë e “njeriut të ri”, që ai sistem edukoi.

Me të tillë njerëz të formësuar në shpirt dhe intelekt në atë regjim, të pa-din e pa-iman, dhe që befas kuptuan se ishin mashtruar mori rrugën faza e re e historisë së këtij vendi të vogël. Periudha e re, të cilën vazhdojmë ta jetojmë akoma, karakterizohet në një masë të madhe, pikërisht nga pasojat e kobshme, që ai regjim la në shpirtrat dhe mendjet e shqiptarëve. Ky ishte edhe dëmi më i madh që i bënë këtij vendi “njerëzit e rinj”. Ai sistem edukoi një brez të tërë njerëzish dhe intelektualësh me shpirt materialist e ateist, që veç ndërgjegjes komuniste për të mirën e përbashkët, që vinte vetëm nga mësimet e marksizëm-leninizmit, nuk shihte asnjë ideal tjetër të përtej kësaj bote. Ishte pikërisht ky “njeri i ri”, që me shumicë gjeti përsëri vetveten të ricikluar nëpër poste shtetërore, parti të ndryshme politike, shoqata të ndryshme, shtëpi botuese, katedra universitetesh, gazeta e medie të ndryshme etj., duke u hedhur tashmë në gjirin e një tjetër ideologjie rrënuese, që ishte forma e një përzierje të çuditshme të një kapitalizmi egërshan dhe paskrupuj moral, individual e social. Më të eturit prej tyre i lanë teoritë dhe fjalët mënjanë dhe u morën me gjithfarë tregtie të paligjshme, vjedhje e trafiqesh imorale… Dhe ja ku jemi sot, përsëri duke kujtuar periudhën e protestave të dikurshme!

E gjithë kriza individuale, familjare, sociale, ekonomike, administrative dhe politike, si dhe në çdo fushë tjetër të jetës, që ne vazhdojmë të vuajmë sot, është pikërisht kriza e moralit dhe e identitetit, që prodhoi “njeriu i ri i socializmit”. Epoka dhe prirjet globale në të cilat ne jetojmë sot, jo vetëm që nuk e kurojnë këtë krizë etike dhe identitare, por i lënë asaj hapësirë të jetoj dhe të rritet. Kështu që as të mos presim, që ne do të na shërojë bota e huaj dhe reformat që ajo na kërkon, sepse asaj nuk i dhimbset, as shpirti dhe morali ynë, por mbi të gjitha ka si synim stabilitetin e vet.           

Ky vend nëse do me të vërtetë të rregullohet dhe të bëhet për së mbari, së pari duhet të çlirohet sa më shpejt nga kjo trashëgimi djallëzore, me të gjitha format, mentalitetet dhe nuancat e saj. Dhe dyti, të mos lejojë kurrsesi që ajo të ngrejë kokë përsëri me këta marksistët e rinj, që kërkojnë sërish të shfrytëzojnë studentët dhe çdo lloj pakënaqësie popullore për kauzat e tyre marksiste, sado të drejta që ato të duken tani. Dhe së treti, t’i kthehet burimit të vetëm të qëndrueshëm e të pacenueshëm të moralit, identitetit dhe dinjitetit njerëzor, që është ai hyjnor. Padyshim që ky ndryshim nuk ndodh me revolucione të tipit jakobin dhe as brenda një dite, por me edukim dhe ndërgjegjësim real për atë që na mungon me të vërtetë. Përndryshe, dardha e ka bishtin prapa, dhe sado e ëmbël që iu duket disave, nuk duam ta hamë më atë frut, as ne dhe as pasardhësit tanë.

Share