Dilema jonë osmane dhe identitare…

Download PDF
Justinian TOPULLI
Historiografia jonë zyrtare, arti dhe ligjërimi politik për dekada me radhë e kanë paraqitur sundimin osman si diçka shumë të keqe, si pushtim monstruoz, që vrau e preu, shkatërroi e dogji tokën e Arbrit në mënyrën më mizore të mundshme, aq sa edhe “bari nuk mbinte, aty ku shkelte turku”! Ky turku “i lig”, madje tentoi të ndryshojë edhe ADN-në tonë gjenetike dhe kulturore, duke na islamizuar me dhunë, duke tentuar të prishë racën tonë të pastër pellazgo-ilire (apo ariane, quajeni si të doni), duke sjellë këtu edhe kolonë aziatikë, apo edhe duke përdhunuar gratë shqiptare, për të ngjizur mes nesh racën e tyre të pështirë orientale! Ai nuk na la të mësonim dhe shkruanim gjuhën tonë të lashtë e hyjnore dhe u përpoq të na tjetërsonte, por në fund dështoi! Edhe pse nuk ia doli ta mposhtë këtë racë krenare, që luftoi për pesëqind vjet kundra këtij pushtimi, ai na la pas dhe të prapambetur!
Për pesë shekujt e sundimit osman, pak a shumë, kjo është panorama e cila u mësohet shqiptarëve, brez pas brezi për më se një shekull, sidomos në gjysmëshekullin e sundimit komunist, në atë që shohin, lexojnë dhe dëgjojnë nga politikanët, historianët, artistët dhe mediat e shkruara dhe audiovizive.
Në anën tjetër, përkundrejt kësaj qasjeje kryesisht elitare, gjejmë një shumicë popullore, që ka ardhur ndër vite duke u tkurrur, të vazhdojë të përdorë në fjalorin e saj të përditshëm fjalë me origjinë turke, arabe dhe perse, të cilat kanë ngelur që nga koha osmane, edhe pas spastrimit gjuhësor të bërë më pas. Gjuhëtari i shquar Tahir Dizdari, ka përpiluar shumë vite më parë një fjalor me mbi katër mijë fjalë, që shqiptarët kanë përdorur dikur, të cilat kanë origjinë osmane, madje disa prej tyre i kanë mbijetuar kohës dhe sot e kësaj dite vazhdojnë të përdoren si të ishin shqipe e kulluar, dhe për të cilat nuk ka asnjë fjalë ekuivalente të pastër në gjuhën tonë.
Shqiptarët në shumicë pëlqejnë, shijojnë dhe gatuajnë kuzhinën orientale osmane, që nga byreku, fërgesa, e bakllavaja, e deri tek rrufitja e kafesë dhe çajit turk, ku të gjitha këto vazhdojnë të ruajnë edhe emrin e tyre turk mes nesh, si dhe të sendit me të cilin përgatiten dhe serviren.
Disa nga qytetet më të rëndësishme shqiptare u themeluan, ose u ngritën dhe u zhvilluan në periudhën osmane. Tirana, Korça, Elbasani, Gjirokastra, Berati, Durrësi, Vlora, Shkodra, Ulqini, Prizreni, Manastiri, Shkupi, Janina etj., vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të ruajnë gjurmë të periudhës osmane me objekte të tilla si xhamitë, shtëpitë, kalatë, kullat e sahatit, medresetë, mejtepet, teqet, hanet, pazaret, çarshitë, hamamet, puset, urat, rrugët me kalldrëm, vakëfet e ndryshme etj. Me disa prej këtyre ne mburremi dhe krenohemi, sepse të huajt na i kanë përfshirë edhe në trashëgiminë kulturore botërore, por që të gjitha, ku më shumë e ku më pak flasin heshtur, se janë trashëgimi e periudhës sonë osmane.
Mbartim me shumicë mbiemra osmanë, si Hoxha e Shehu, e emra si Ahmet e Mehmet, përdorim prapashtesa gjuhësore turke për mbiemrat tanë familjarë si “llari” dhe “olli” dhe për mjaft fjalë përdorim edhe shumësin e kësaj gjuhe.
Përveç këtyre, nuk harrojmë të krenohemi me racën tonë, që zuri për dhjetëra herë postin më të lartë të shtetit osman, pas atij të sulltanit, për qindra pashallarë, vezirë, kajmekamë, ushtarakë e bejlerë që bënë karrierë gjatë gjithë kohës së sundimit osman në Ballkan.
Për gjatë një shekulli kemi mbajtur marrëdhënie diplomatike të mira me Turqinë, pothuajse asnjëherë të tensionuara, kemi bërë dhe bëjmë tregti me të, hyjmë dhe dalim lirshëm dhe pa viza në të, shkojmë me pushime dhe shijojmë plazhet dhe kuzhinën turke. Nuk detyrohemi të ndërrojmë emrin, as mbiemrin, as të “pagëzohemi” në xhami dhe të ndryshojmë fenë, për të marrë një vizë apo leje qëndrimi, apo për të punuar në Turqi. Shkurt, ndjehemi si në shtëpinë tonë dhe nuk harrojmë t’iu mburremi turqve, se disa nga figurat më të shquara të atij shteti ishin arnautë.
Edhe pse ndajmë kaq shumë gjëra të përbashkëta me ta, ligjërimi publik, politik, historik dhe kulturor nuk rresht së përmenduri edhe sot, pas më se një shekulli shkëputjeje, se turqit ishin pushtuesit tanë gjakatarë, gjë që gati nuk ua themi kurrë as italianëve dhe as gjermanëve, edhe pse ata ishin pushtues më pak se një shekull më parë, e nuk e themi kaq shpesh as për fqinjët tanë grekë, serbë, malazezë e maqedonas, edhe pse vazhdojnë të mbajnë të pushtuara territore jo të vogla shqiptare! Por ndërkohë, e gjithë ligësia dhe fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve ndër shekuj, paska qenë pushtimi osman pesëqind vjeçar! Natyrisht, turqit osmanë nuk ishin engjëj të rënë nga qielli, por as djaj e shejtanë të dalë nga thellësia e ferrit, ishin njerëz si gjithë të tjerët, kishin edhe ata të mirat dhe mangësitë e tyre, por për më tepër, ishin shumë më tolerantë se bashkëkohësit e tyre përtej Adriatikut, me fetë, njerëzit dhe vendet ku ata u vendosën.
Kjo dashuri dhe në të njëjtën kohë urrejtje patologjike ndaj turkut, është një kontradiktë ulëritëse mes trashëgimisë sonë osmane pesë shekullore dhe ligjërimit elitar kulturor e politik, duke krijuar një absurditet logjik dhe çarje të thellë identitare, aq sa idiotësia fanatike ideologjike, fetare dhe sektare, për ta mbushur këtë boshllëk, ka prodhuar lloj-lloj çmendurish, që të vjen të qash e të qeshësh njëkohësisht. Në muzeun tonë kombëtar në mes të Tiranës, të themeluar nga një shqiptar osman, gjenden pavijone për historinë e trojeve shqiptare, që nga epoka e drurit dhe e gurit, e deri te periudha e komunizmit, madje gjen edhe një pavijon të veçantë për ikonat kishtare, por nuk gjen as edhe një pavijon të veçantë për pesë shekuj histori osmane e islame të këtij vendi! Në të njëjtën frymë çmendurie, të dëgjojnë veshët dhe shohin sytë, legjenda e mite pellazgo-ilire të stisura dhe të konstruktuara në shekullin e XX-të dhe të XXI-të, që kërkojnë të krijojnë një identitet racist, mitik, legjendar dhe parahistorik të shqiptarëve, që paskëshin qenë themeluesit e qytetërimeve më të mëdha në botë!
Natyrisht, e gjitha kjo tollovi shqiptare, ku përplaset realiteti me mohimin dhe mitin, nuk mund të prodhojë gjë tjetër, vetëm se krizë identiteti mes shqiptarëve, të cilët natyrisht pa një identitet të qartë, nuk do të duan as veten dhe as vendin e tyre, për të cilin kanë krijuar bindjen se nuk bëhet.
Themeli mbi të cilin ngrihet mbrothësia dhe kohezioni i një kombi dhe shoqërie është identiteti i tij fetar, kulturor dhe etnik, dhe këtë identitet e formëson dhe e dominon shumica demografike e tij. Ndërkohë që kjo e vërtetë sociale e historike ka qenë në qendër të vëmendjes së shumë prej kombeve të tjetra, çuditërisht nuk ka qenë e tillë për ne shqiptarët. Konstruktimin e identitetit tonë kombëtar në mjaft raste, sidomos në periudhën komuniste, e kanë uzurpuar pakicat etnike dhe fetare mes shqiptarëve, të cilët edhe pse kanë jetuar në paqe mes kësaj shumice, e kanë dominuar atë shpeshherë politikisht, qoftë edhe me idetë e tyre islamofobe, dhe sunduar kulturalisht, gati gjatë gjithë kohës. Edhe pse është e kuptueshme që politikisht, në të gjitha regjimet që kaloi ky vend pas shkëputjes nga shteti osman, emrat që do të vinin në krye do të ishin në shumicë nga familje myslimane, si Ismail, Sherif, Ahmet, Enver, Sali etj., por gjithashtu është fakt i pakundërshtueshëm se elitat kulturore e akademike që do të konstruktonin pikërisht këtë çarje identitare të shqiptarëve, do të ishin në shumicë nga pakicat jomyslimane dhe joshqiptare. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe kjo urrejtje patologjike ndaj trashëgimisë sonë osmane, qoftë kjo fetare dhe kulturore, por vetëm se me urrejtje fanatike fetare e etnike. Në thelb nuk ka ndonjë dallim ideologjik spastrimi mes ish-kryetarit të bashkisë së Durrësit, që deklaronte publikisht në televizion para disa vitesh me arrogancë, se Veliera e tij e shëmtuar prej betoni, kishte më shumë rëndësi sesa rrënojat e mureve të kalasë osmane, që nuk meritonin të ruheshin dhe nuk kishin asnjë vlerë historike, pikërisht sepse ishin osmane, dhe arvanitasit Zerva, që gjuhë të nënës kishte shqipen, por që masakronte shqiptarët myslimanë në Çamëri, për llogari të Greqisë jomyslimane. E njëjta mendësi urrejtjeje është shfaqur historikisht nga kjo elitë politike dhe kulturore, në zellin e saj të madh për të zhbërë trashëgiminë tonë osmane e islame, ndërkohë që ka qenë dhe është indiferente karshi toponimeve sllave, që gjenden me shumicë nga veriu në jug në trojet ku ka shqiptarë, pa ndërmarrë gati asnjë nismë serioze për shqiptarizimin e tyre.
Toleranca fetare dhe etnike që i ka karakterizuar shqiptarët, është padyshim virtyt i shumicës myslimane dhe i fesë së tyre, sepse i madhi toleron më të voglin, por kjo tolerancë për një kohë të gjatë është keqpërdorur dhe vazhdon të shfrytëzohet nga kjo elitë, si kamuflazh i diskriminimit të identitetit fetar dhe kulturor të shumicës, duke e bërë atë të ndjehet e dobët, e kompleksuar dhe shpesh edhe pa identitet dhe imunitet kulturor. Kjo elitë me vetëdije ose jo, janë armiqtë e vërtetë të kombit shqiptar, edhe pse mund të qurraviten gjithë ditën e natën për të, e të mburren se nuk i përkasin asnjë feje. Duke goditur dhe mohuar në themel identitetin fetar dhe kulturor të shumicës myslimane shqiptare dhe duke ushtruar ndaj saj presion asimilues arsimor dhe kulturor të jashtëzakonshëm, nuk bëjnë gjë tjetër, vetëm se vrasin zemrën dhe trupin e këtij kombi.
Për vetë rrethanat historike, ekonomike dhe politike, shqiptarët e sotëm mund të kenë busull politike dhe ekonomike Evropën dhe Perëndimin, por nëse ata zhvishen në vazhdimësi nga identiteti i tyre fetar e kulturor mysliman, qoftë kjo në emër të shekullarizmit apo fesë së të parëve, ky komb pa këtë identitet do të zhbëhet së qeni ende shqiptar, dhe le të mburret pastaj me identitetin e tij të ri evropian, me të cilin edhe sot, akoma nuk mburret asnjë komb i Evropës.
Share