Disa këshilla për besimtarët jo hoxhallarë që mbajnë hytbe në Perëndim

Download PDF
xhamiaDisa këshilla për besimtarët jo hoxhallarë që mbajnë hytbe në Perëndim
Pyetje:
       Es-selamu alejkum Te nderuar hoxhallarë! Une jetoj prej kohësh ne Evropë dhe siç dihet aty jeton një numër i madh shqiptarësh muslimanë, të cilët për fat të keq vuajnë nga mungesa e madhe e hoxhallarëve. Kjo ka bërë që shpesh herë të detyrohemi që namazin e të xhumasë ta fali njëri prej nesh, edhe pse përgatitija jonë fetare është tepër modeste. Do ju lutesha të na jepnit disa sugjerime për gjërat më të domozdoshme që duhet të plotësojë një musliman për të mbajtur hytben dhe për të falur namazin e të xhumasë me xhemat sipas normave islame, pavarësisht përgatitjes së tij modeste nga ana fetare. Nëse është e mundur dhe disa këshilla të përgjithshme rreth përgatitjes së hytbes.
Përgjigje:
      Së pari duhet të dimë se Hytbeja e ditës së Xhuma është detyrë (vaxhib) dhe nje nga kushtet e Xhumasë. Për këtë arsye nuk duhet anashkaluar, por duhet kryer qoftë edhe duke plotësuar kushtet minimale të saj. Në vendet Evropiane ku ka shumë refugjatë, muslimanët mund të organizohen edhe vetë për faljen e xhumasë duke mbajtur ndonjëri prej tyre hytben shkurt dhe duke falur namazin e xhumasë edhe pse nuk mund të jetë i përgatitur si hoxhë. Kjo vlen edhe për studentët në shkollat apo fakultetet e ndryshme.
     Nëse në një vend mblidhen së paku tre vetë dhe dikush prej tyre mban dy hytbe njëra pas tjetrës në kohën e duhur, dmth kur ka hyrë koha e drekës, pasi Dielli anon nga kupa e qiellit, madhëron dhe falënderon Allahun duke dërguar edhe salavate për Profetin Muhamed (alejhissalatu uesselam), u drejtohet të pranishmëve më këshillë nëpërmjet ndonjë argumenti fetar dhe më pas fal Xhumanë, atëherë kjo është e mjaftueshme edhe pse mund të mbahet fare shkurt. Përsa i përket namazit të xhumasë është detyrë të falen vetëm dy rekate namaz ku këndon me zë njësoj si në namazin e sabahut. Duhet patur parasysh se ai njeri që do e falë namazin e xhumasë të mundohet të lëxojë të paktën suren el-Fatiha pa gabime brenda mundësive.
       Sidoqoftë, nëse jepet mundësia për të mbajtur një hytbe më të mirë dhe më ndikuese te njerëzit nga persona apo nga studentë ose nxënës të shkollave të ndryshme të cilët nuk kanë njohuri të thella fetare por kanë hapësira për të përgatitur një ligjërim të mirë le t’u përmbahen këtyre këshillave:
1-) Të vendosë temën e hytbes më parë që të jetë i qartë dhe përçues i mesazhit gjatë ligjërimit. Mundet ta përgatisë hytben edhe të shkruar në letër.
2-) Të hipë në mimber (nëse është e mundur prezenca e mimberit) ose të qëndrojë në një vend më të lartë ku mund të shfaqet më mirë, por në varësi të numrit të vogël të pjesmarrësve mund të qëndrojë në këmbë para tyre.
3-) Ta fillojë hutben duke madhëruar dhe falënderuar Allahun pastaj duke dërguar salavate Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam).
4-) Të paraqesë temën e hutbes në mënyrë që të qartësohet më shumë tek njerëzit.
5-) Të përmendë ndonjë ajet ose hadith ku mund të mbështesë tematikën e hytbes.
6-) Të zhvillojë temën.
7-) Të jetë i qartë në ligjërim duke përdorur fjalë të thjeshta e të kuptueshme.
8 -) Të përqendrohet brenda temës duke mos dalë jashtë saj dhe duke mos u zgjeruar në tema dytësore.
9-) Mundësisht të pasurojë hytben me ajete të tjera, hadithe apo thënie të dijetarëve nëse është e mundur por pa e tepruar.
10-) Të vëzhgojë dhe të kontrollojë xhematin dhe përqëndrimin e tyre që të mos zgjatet shumë e mos t’i rëndojë me fjalë të tepërta.
11-) Në përfundim të hytbes së parë të ulet për një pushim shumë të shkurtër.
12-) Cohet dhe fillon hytben e dytë duke madhëruar dhe falënderuar Allahun pastaj duke dërguar salavate Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam).
13-) Mundohet të ligjërojë në hytben e dytë më pak se në të parën.
14-) Bën përmbledhjen e temës që është mbajtur në hytben e parë dhe jep udhëzimin apo moralin e temës në formë këshille të përmbledhur në pak fjalë.
15-) Bën dua sipas nevojës dhe rrethanave.

16-) Zbret nga mimberi dhe pas ikametit menjëherë udhëzon për rregullimin e safeve dhe fal namazin e xhumasë

Share