Dita e Arafatit – dita më e madhe e vitit

Download PDF

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar besimtarë e besimtare!
Vëllezër e motra!
Sot është dita e tetë e muajit të haxhit (ndryshe, e muajit dhulhixhe). Nesër është dita e Arafatit, dita e njohjes me të vërtetën, dita e njohjes së vetvetes, dita e njohjes së Krijuesit dhe e urdhëresave të Tij, dita kur Allahu krenohet me ne si krijesa të Tij, dita e dëshmisë së arsyes për të cilën është krijuar lloji ynë, qenia njerëzore! Është dita dhe vendi i manifestimit të kuptimit, adhurimit, devotshmërisë, përkushtimit ndaj Krijuesit të gjithësisë!
Vendi i kodrës dhe i rrethinave të Arafatit është shtylla më e rëndësishme e farzit të haxhit. Prandaj, besimtarët të cilëve Allahu ua ka mundësuar të jenë në ato vende në këtë ditë duhet ta adhurojnë Atë me lutje të vazhdueshme nga agimi deri në perëndim të diellit. Ata mund të luten për veten, për të afërmit, për ummetin e tyre, për të gjallët dhe për të vdekurit nga ummeti i Muhammedit a.s.
Profeti ynë i dashur është shprehur në mënyrë të posaçme për rëndësinë e kësaj dite: “Haxhi është Arafati!” Pra, siç mund ta kuptojmë, shtylla kryesore për të pranishmit në haxh është kodra e Arafatit. Të tjerët, në pamundësi për të qenë atje, le të agjërojnë në këtë ditë. Çdo çast i asaj dite duhet shfrytëzuar për të bërë vepra të mira, si me gjymtyrë, ashtu me gjuhë dhe me zemër, një prej të cilave nëpërmjet këtyre të fundit është lutja për të dashurit tanë. Besimtarët duhet të luten duke qenë të bindur se në ato momente Allahu, Krijuesi, krenohet me lutjet e tyre tek banorët e qiellit.
Siç na tregon Profeti ynë, Muhammedi a.s., Zoti u drejtohet melekëve të Tij ditën e Arafatit me krenarinë që i shkon për shtat madhështisë së Tij: “Shikojini robtë e Mi të ardhur nga çdo cep i botës, të lodhur e rraskapitur nga rruga e gjatë, për të dëshmuar në këtë ditë dhe në këtë vend besimin e tyre duke m’u lutur Mua që t’i fal e t’i mëshiroj, t’i shpërblej me xhennetin të cilin nuk e kanë parë, t’i mbroj nga dënimi i zjarrit që po ashtu nuk e kanë parë. O melekët e Mi të bindur! A ju kujtohet dita kur ju tregova për krijimin e njeriut të parë, Ademin, e ju ishit skeptikë. E Unë ju thashë se e di atë që nuk e dini. Ja, kjo është arsyeja e krijimit të tyre.”
Besimtarët që nuk munden të jenë në atë vend të bekuar e adhurojnë Zotin e tyre me agjërimin e kësaj dite. Agjërimi është ai lloj adhurimi i veçantë për të cilin Krijuesi i gjithësisë ka thënë: “Agjërimi më përket Mua, dhe vetëm Unë mund ta jap shpërblimin.” Dhe për ditën e Arafatit, siç na thotë i Dërguari i Tij i përzgjedhur, “Kush e agjëron ditën e Arafatit i falen mëkatet e vitit të kaluar dhe të vitit që vjen.”
Pas kësaj dite madhështore vjen çasti i festës së Kurban Bajramit. Kjo festë, së cilës Allahu i ka kushtuar një sure (kapitull kur’anor) të plotë, ku therjen e kurbanit e ka barazuar me shtyllën e dytë të Islamit, namazin, e të dyja së bashku i ka vendosur në brigjet e lumit Keuther të xhennetit. Allahu i lartësuar urdhëron e thotë: “Ne të kemi dhënë ty Keutherin, prandaj fale namazin dhe ther kurbanin…” Muhammedi a.s. ka thënë: “Kurbani me gjakun e vet do të vijë ndërmjetësues në ditën e kiametit për të shpëtuar pronarin e tij.”
Besimtari kujton në këtë ditë babain e profetëve, Ibrahimin a.s., dhe bindjen e tij të palëkundur për të sakrifikuar gjënë më të shtrenjtë në këtë botë, të birin, Ismailin a.s., vetëm e vetëm që urdhri i Krijuesit të zbatohet. Zoti u sjell një dash pas kësaj bindjeje absolute, për ta konsumuar babë e bir, si një shpërblim të vogël në këtë botë të përkohshme, dhe në botën e amshueshme i shpërblen me xhennet. Për besimtarët e vërtetë, urdhrat dhe porositë e Krijuesit e të Dërguarit të Tij, Muhammedit a.s., duhet të zbatohen pa ngurrimin më të vogël pasi i dëgjojnë dhe i kuptojnë siç duhet. Allahu i Lartësuar na jep hollësi të kësaj ngjarjeje sublime, kur thotë: “Dhe kur të dy (Ibrahimi dhe Ismaili) u dorëzuan para urdhrit të Allahut (dhe vendosën ta zbatojnë atë), e baba ia uli kokën fëmijës së vet dhe u bë gati ta therë, Ne i thirrëm, ‘O Ibrahim, ti tashmë e tregove gatishmërinë tënde për ta zbatuar urdhrin Tim, prandaj Ne të shpërblejmë ty duke ia falur jetën djalit dhe duke ju ulur në një tryezë për të ngrënë mishin e dashit të kurbanit.’”
Pak përpara ditës së Arafatit, ja dhe disa rregulla e dispozita në lidhje me agjërimin e kësaj dite dhe Kurban Bajramin:
A) Dita e Arafatit
1 – Nijeti. Besimtari e bën nijet që të agjërojë ditën e Arafatit deri para agimit të saj.
2 – Agjërimi i ditës së Arafatit është sunnet për besimtarët që nuk janë në haxh (pra, vepër shumë e pëlqyer tek Allahu, por jo detyrim, farz).
3 – Rregullat e agjërimit janë të njëjta si në agjërimin e një dite të muajit ramazan.
B) Kurban Bajrami
1 – Kurban Bajrami zgjat katër ditë.
2 – Besimtari këshillohet që në agim të kësaj dite të lajë të gjithë trupin (pra, të marrë gusul).
3 – Këshillohet të veshë rrobat më të mira që ka. Të falë sabahun në xhami ose në sheshin ku do të falet Bajrami.
4 – Të bëjë sa më shumë tekbire, ta përkujtojë Allahun duke e madhëruar Atë, duke e falënderuar, deri në momentin që fillon falja e namazit të Bajramit.
5 – Besimtari dëgjon hytben pas faljes së namazit të Kurbanit.
6 – Hytbeja e Kurban Bajramit këshillohet të jetë e shkurtër dhe në formën e një mesazhi urimi.
7 – Besimtari këshillohet që në shtëpi të kthehet nga një tjetër rrugë, e jo nga rruga e bërë për të vajtur në vendin e faljes së Bajramit; gjithmonë nëse ka disa rrugë për në shtëpi.
8 – Ai këshillohet që më pas të përgatitet të therë kurbanin nëse ka mundësi. Sugjerohet që besimtari ta mbajë për vete një pjesë të kurbanit dhe pjesët e tjera t’i shpërndajë tek të afërmit dhe nevojtarët.
9 – Këshillohet që ushqimi i parë i ngrënë prej besimtarit në këtë ditë të jetë prej kurbanit të tij.
10 – Dhe pas kësaj këshillohen vajtjet e ardhjet tek të afërmit, vizitat tek njëri-tjetri, duke i kushtuar krahas kësaj vëmendje të veçantë gëzimit të fëmijëve në familje e më gjerë me dhënien e dhuratave.

Imam Neki Kaloshi

Share