Djegia e flamurit të ISIS-it!

Download PDF

sfida-m-euml-e-re-pas-asaj-t-euml-akullit-djegia-e-flamurit-t-euml-isis-it-video_hd

Djegia e flamurit të ISIS-it!

Hoxhë Justinian Topulli
Kryetar i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë

Flamujt janë shenja e simbole dhe ato nuk identifikojnë vetëm shtete e organizata të caktuara, por edhe kombe, popuj, komunitete dhe ideale të ndryshme. Kështu që djegia e flamurit të një kombi apo organizate, padyshim që është shenjë e mospranimit dhe e refuzimit të atij kombi apo asaj organizate. Një veprim i tillë mund të interpretohet edhe si shenjë e racizmit dhe urrejtjes ndaj këtij kombi, grupi, apo komuniteti. Çdo flamur mbart simbole që paraqet shenjtëri dhe parime apo ideale me të cilat ai komb apo ajo organizatë identifikohen. Këto parime apo simbole dhe shenjtëri mund të jenë universale që përfshijnë të gjithë njerëzit, si p.sh. simbole të paqes, të besimit, të lirisë, drejtësisë etj. ose të kufizuara që paraqesin një komunitet apo bashkësi të caktuar njerëzish, si p.sh. shqiptarët, hebrenjtë, gjermanët etj. Kështu që flamujt e organizatave apo edhe kombeve të ndryshme, edhe pse me to identifikohen drejtpërdrejtë ata që i mbartin ato, brenda simboleve që ato paraqesin identifikohen edhe grupime e komunitete shumë më të gjera sesa thjesht mbartësit e tyre. Flamuri që përdor ISIS-i, në fakt nuk është flamur që mbart simbole ekskluzive me të cilat identifikohet vetëm ajo si organizatë, simboli që përdor kjo organizatë mbart maksimën islame më të lartë të muslimanëve, ajo mbart të shkruar në gjuhën arabe dëshminë e njëshmërisë së Zotit dhe profetësisë së Muhamedit. Djegia e këtij flamuri që mbart këtë simbol të shenjtë për muslimanët nuk cenon dhe prek vetëm mbartësit e tij, por të gjithë muslimanët që e identifikojnë veten me përmbajtjen e kësaj shenjtërie edhe pse ata absolutisht nuk e identifikojnë veten me ISIS-in dhe abuzimet që kjo organizate i mbulon me pa të drejtë nën këtë flamur. Kështu që djegia e simboleve të Islamit të paraqitura në flamurin që përdor ISIS-i, është një veprim i dënueshëm dhe i papranueshëm nga mbarë komuniteti musliman dhe në thelb tregon injorancën e atyre njerëzve që bëjnë të tilla veprime, që nuk bëjnë dot dallime mes simboleve të kufizuara të një organizate dhe simboleve që përfshijnë një bashkësi që i tejkalon mbi një miliard njerëz në mbarë botën; kështu që injorancës i duhet vënë kufi, nga cilado palë qoftë, ndryshe do të na marrë në qafë të gjithëve.
Ne si shqiptarë pas rrëzimit të komunizmit ia hoqëm flamurit yllin pesëcepësh, sepse me të identifikoheshin idealet e marksizmit, por kurrë nuk ndodhi që mospranimi që kishim ndaj kësaj ideologjie të na shtynte të digjnim gjithë flamurin, sepse me të identifikohej shteti komunist! Kështu që një veprim i tillë i papërgjegjshëm i djegies së flamurit që mbart maksimën islame, është i destinuar të jap mesazhe negative, të cilat çojnë ujë vetëm në mullirin e polarizimit dhe konflikteve shoqërore në mes muslimanëve dhe pjesës tjerë të shoqërisë shqiptare.

Share