Ekuilibër…

Download PDF

nga hoxhë Justinian Topulli

Biologët shprehen se qeniet e gjalla në tokë, bashkë me mjedisin fizik në të cilin jetojnë, formojnë një ekosistem. Ekosistemi ruan lëndën dhe energjinë. Energjia rrjedh nëpër sistem, ndërsa materia riciklohet. Ekosistemet me biodiversitet të lartë, pra me larmi të madhe krijesash, priren të jenë më të qëndrueshme, të kenë rezistencë më të madhe, si dhe kanë aftësi ripërtëritëse, përballë çrregullimeve dhe ngjarjeve shkatërruese.

Pra, jeta në këtë planet mbahet në bazë të një baraspeshe, ku çdo krijesë, me jetën dhe vdekjen e saj, kontribuon në ruajtjen e ekuilibrit biologjik të jetës së gjallë, pra, të vetë ekosistemit. Asnjë nga qeniet e gjalla biologjike nuk mund ta prishë këtë ekuilibër, me përjashtim të njërit: njeriut. Edhe pse ai është pjesë e ekosistemit, është i vetmi që ka aftësi të sillet si të ishte një faktor shkatërrues i jashtëm i ekosistemit. Këtë fakt e konfirmon historia jonë e gjatë njerëzore, e shkuara dhe kjo aktuale. Por këtij fakti i ka paraprirë edhe pohimi i engjëjve, kur ata shprehën habi nga përfshirja e një krijese si njeriu, në këtë ekosistem:

“Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po vendos në tokë një mëkëmbës.”, ata thanë: “A do të vendosësh atje, dikë që do të prishë dhe do të derdhë gjak, ndërkohë që ne të madhërojmë Ty me lavdinë Tënde, e (vetëm Ty) të lavdërojmë?!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini.” (Kurani 2: 30)

Ndryshe nga krijesat e tjera biologjike, njeriu është i pangopur, ai është i etur për pushtet absolut mbi botën dhe për përjetësi, me të cilën kërkon të bëjë të mundur këtë dëshirë të brendshme për sundim totalitar, mbi sojin e tij dhe botën:
“Por atë e ngacmoi shejtani, duke i thënë: “O Adem! A do të të çoj te Pema e përjetësisë dhe sundimit që nuk rrënohet asnjëherë?” (Kurani 20: 120)

Është pikërisht kjo prirje e brendshme, që e bën njeriun, krijesën biologjike më të rrezikshme në tokë për ekosistemin biologjik, sepse është i vetmi që mund të prishë ekuilibrin e ekosistemit, duke qëndruar në krye të tij. Nëse njeriu nuk do të ekzistonte, jeta e ekosistemit nuk do të rrezikohej dhe as rrënohej nga ndonjë prej krijesave të tjera biologjike. Por, nëse njeriu është e vetmja krijesë mbi këtë tokë, që mund ta prishë ekuilibrin e jetës së krijesave të tjera, atëherë si ruhet vetë ekosistemi njerëzor nga shkatërrimi dhe rrënimi i tij përfundimtar, ndërkohë që njeriu kurrë nuk ndalet nga pangopësia e tij për pasuri dhe pushtet?
Përgjigjja është se ekosistemi njerëzor, ruhet nga vetë njerëzit, të vetëdijshëm ose jo për këtë. Kjo, sepse ata janë individë, fise, bashkësi, raca e kombe të ndryshme dhe kurrë nuk bien dakord mes tyre, për çdo gjë. Ata kanë kultura, tradita dhe besime të ndryshme, kanë potenciale, fuqi dhe demografi të ndryshme, e askush prej tyre, sado i fuqishëm që të jetë, nuk ka mundur dot dhe nuk do të mundet të vendosë pushtetin e tij totalitar mbi gjithë sojin njerëzor. Larmia e botës njerëzore, jo vetëm që është pasuri, por ajo është edhe një nga garantët e ruajtjes së ekosistemit njerëzor, ku të gjithë, kush më shumë e kush më pak shtyjnë dhe zmbrapsin njëri-tjetrin, duke mbrojtur veten dhe duke ruajtur ekuilibrin e botës njëkohësisht:
“E sikur Allahu të mos i zmbrapste njerëzit me anë të disave prej tyre, toka do të shkatërrohej. Por Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzimit.” (Kurani 2: 251)

Kjo është një nga ligjet apo vijueshmëritë më të rëndësishme të shoqërisë njerëzore, për të cilën është dëshmitare historia e shkuar, e tashme dhe e ardhme. Kështu që nuk ka për të pasur konspiracion, sado i madh qoftë ai, që do t’i mundësojë dikujt në këtë botë, të ketë pushtetin absolut mbi të:
“Të fuqishme qenë vërtet kurthet që përgatitën ata; por kurthet e tyre ishin në dorë të Allahut, edhe sikur të ishin të tilla që të shkulin malet.” (Kurani 14: 46)
“Nëse ju gëzoni ndonjë të mirë, kjo i dëshpëron ata. E nëse ju godet ndonjë e keqe, ata gëzohen për këtë. Po në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe të devotshëm, intriga e tyre nuk do t’ju dëmtojë aspak. Allahu përfshin me dijen dhe pushtetin e Tij gjithçka që ata veprojnë.” (Kurani 3: 120)
“Edhe ata, që kanë qenë para tyre, thurën intriga, por çdo intrigë është në dorën e Allahut. Ai e di se çfarë vepron çdo njeri dhe mohuesit do ta kuptojnë mirë se për kë do të jetë Fundi i lumtur.” (Kurani 13: 42)
“Edhe ata që ishin para tyre thurën intriga të shumta. Por Allahu e rrënoi që në themel atë që ndërtuan dhe ua shembi mbi kokë kulmin e saj. Atyre iu erdhi dënimi pa u ndier.” (Kurani 16: 26)
Historia dhe jeta e njerëzve nuk është në dorën e asnjë “zoti” tokësor, por vetëm në dorën e Zotit të tokës e të qiellit.

Share

LHSH ju uron Bajramin e Ramazanit…