Emri i vjetër kombëtar i Shqipërisë në tekstet e vjetra shqip me alfabet latin dhe arab

Download PDF

prof. Osman Myderrizi

 

 

Shqipëria në kohën e mesme quhej Arbënë- Arbërë dhe banorët e saj Arbëneshë- Arbëreshë. Këta emra dëgjohen sot shumë rrallë, se vendin e tyree kanë zënë emrat e rinj Shqipëni- Shqipëri –Shqiptar. Tekstet e vjetra shqip, që u botuan në shekujt XVI e XVII emrat e rinj nuk i përdorin, se në kohë të tyre këta emra nuk ishin përhapur. Edhe Arbëreshët në Greqi, Itali e Dalmati emrat e rinj nuk i njohin dhe nuk i përdorin. Këta Arbëreshë emrat e vjetër vazhdojnë t’i përdorin si emra kombëtarë edhe sot.

Për të kuptuar ç’përhapje kishin emrat e vjetër dhe si përdoreshin duhet të shikojmë sot po tekstet e vjetra shqip, që u botuan në shekujt XVI e XVII. Si tekst më të vjetër shkruar në Shqipëri dhe botuar më 1555 ne njohim sot Mesharin e Gjon Buzukut. Ky tekst i vjetër është një tekst liturgjik mbushur me meshë dhe litani.

Trajta e parë e emrit ka qenë Arbani. Këtë trajtë e gjëjmë tashti te Buzuku Arbania. Pjetër Budi më 1621 botoi në Romë edhe dy tekste të tjera po fetare: Rituale Romanum dhe Speculum Confessionis. Edhe në këto dy tekste emëri kombëtar shkruhet me po ato trajta që i gjetëm në Dottrina Christiana (Arbën, Arbënesh). 14 vjet pas dy librave të fundit të Pjetër Budit, Frangu i Bardhë shtypi në Romë më 1635 Dictionarum Latino-Epiroticum. Në tekstin e fjalorit renditen Albania: Arbëni; Epirus: Arbëni; Epirote: i Arbëneshë, turcice Arnautlar.

Për emrat e vjetër mund të shikojmë tashti edhe tekstet e vjetra shqip me alfabetin arab. Emrat e vjetër në këto tekste nuk i gjejmë. Në tekste që u shkruan në gjysmën e parë të shek. XVIII nuk gjejmë edhe të rinjtë.

Si shkrimtar që ka shkruar shqip me alfabetin arab në gjysmën e parë të shek. XVIII ne njohim sot Nezim Frakullën. Në veprat shqip që janë gjetur deri tashti të këtij shkrimtari emrat kombëtarë, të rinj o të vjetër qofshin, nuk gjenden. Bërthamën e emrave të rinj, fjalën shqip, e gjejmë disa herë: Këtë Divan e nisa shqip, po emrat e prejardhur prej kësaj bërthame: Shqiptar- Shqipëri nuk i hasim asnjë herë. Në gjysmën e dytë të shek. XVIII, në 1788 kur u bë vali i Janinës Ali Pashë Tepelena, Hasan Zyko Kamberi nga Starja e Kolonjës shkruan:

Këtë devlet që ke tinë,

Ishallah, të ja lësh djalit,

Po të blethç Shqipërinë

E t’i vinç hak Nemce kralit.

Nga kjo strofë e Hasanit kuptohet, se emrat e rinj në gjysmën e dytë të shek. XVIII ishin përhapur në tërë Shqipërinë dhe të vjetrit i kishin zëvendësuar mirë. Lufta në mes emrave të rinj dhe të vjetër do të ketë vazhduar disa kohë. Kjo luftë sigurisht nuk ka filluar e mbaruar në një shekull, vetëm në shek. XVIII, se që në fillim të këtij shekulli emërin e ri e gjejmë si emër kombëtar pranë të vjetrit. Më 1706 u botuan në Romë vendimet Koncilit Provincial I ose Kuvendit të Arbënit, që u mblodh në Mërqinjë të Lezhës më 1703. Vendimet në këtë kuvend së pari u shkruan në latinisht, pastaj Arqipeshkopi i Tivarit, Visk Zmajeviçi, po më 1703, i përktheu vetë edhe në shqip. Në faqen 105 shkruhet: …a diinë gjuhën e Shqipëtarëvet,- domethënë Arbëreshët më 1703 për gjuhë ishin bërë edhe Shqiptarë.

Në gjysmën e dytë të shek. XVIII emëri i ri (Shqiptar), duket e fitoi luftën në shkallë kombëtare dhe e zëvendësoi të vjetrin plotësisht. Johan Thunman, duke u mbështetur në dëshminë e një voskopojari, Kostë Haxhi Jorgji Xhehanit shkroi më 1774 për emërin e vjetër (Arbëri, Arbër, Arbani, Arbën): “Populli vetë e përbuz këtë emër dhe nuk do të emërohet më me të”. Ç’ngjau, pse e përbuzi populli ynë emërin e vjetër në gjysmën e dytë të shek. XVIII dhe adoptoi një emër tjetër të ri pa histori?

Në shek. XVIII ngjau një kthesë e madhe në Shqipëri. Shumica e popullit tonë për arsye të ndryshme e la Krishterimin dhe kaloi ne myslimanizëm. Emëri i vjetër nuk tregonte vetëm kombësinë, po edhe besimin. Me ndërrimin e besimit u ndje nevoja edhe e ndërrimit të tij. Emëri i ri SHQIPTAR që u adoptua si emër kombëtar bazohej në gjuhën, në një nga elementet kryesore të kombësisë. Ky emër mund të jetë përdorur si emër kombëtar nga myslimanët e parë shqiptar që në shek. XVI, po këta mbasi ishin të pakët, shumicës nuk ia impononin dot.

Më 1555, kur botoi Mesharin Buzuku myslimanët shqiptarë duket që nuk ishin aq të pakët, sa mos të përfilleshin. Pikërisht për këtë arsye Buzuku e përkufizoi lutjen e tij për popullin e kërshtenë ndë Arbaniit e jo për të tjerët që s’ishin më “të kërshtenë”.

Emri i ri që zuri vendin e të vjetrit ishte një emër i rëndomtë, i njohur mirë në popull. Këtë emër një familje prej Drishti në shek. XIV e kishte përdorur edhe si emër të saj. Është i prejardhur nga shqip, që përdoret edhe sot si ndajfolje, mbiemër e emër, me prapashtesën tar, si udhëtar, tregëtar, dhe tregon një njeri që flet shqip, që flet qartë. Ndofta ky emër ishte lindur atëhere kur Arbëreshët kishin ndjerë nevojën për t’u dalluar nga popujt e huaj në kufi, që nuk flitnin shqip, nuk flitnin qartë, për arsye se flitshin gjuhë që nuk kuptoheshin.

Për çdo popull emri i vjetër kombëtar nuk tregon vetëm origjinën, po edhe historinë e formimit të tij. Për këtë arsye ky emër pa një shkak të nrëndë nuk ndërrohet dot.

Anglia e Franca i kanë ndërruar emrat kombëtarë, po kjo ka ngjarë se janë pushtuar nga popuj të tjerë, të cilët iu kanë imponuar emrat e tyre si emra kombëtarë. Ndonjë gjë e tillë në Shqipëri në shek. XVIII nuk ngjau. Vërtet që nga shek. XV Shqipëria ndodhej nën pushtetin turk, po Turqit nuk erdhën të ngulen këtu edhe ta ndryshojnë përbërjen etnike të popullit shqiptar. Këtë gjë s’e bënë ata edhe në vende të tjera të Ballkanit, sidomos në Bullgari, që e patën shumë afër kryeqytetit të tyre.

Emri kombëtar në Shqipëri u ndërrua vetëm pse u ndërrua besimi. Ndonjërit ndërrimi i emrit kombëtar për shkak besimi do t’i duket sot si një gjë e pakuptueshme. Besimi në kohën e mesme ka luajtur në jetën e popujve një rol shumë të madh. Grekët e vjetër si emër kombëtar përdornin emrin Helen. Në kohën e Bizantinëve ata këtë emër e lanë dhe nisën ta quajnë veten Romei dhe gjuhën e tyre romeika. Emri Romeos, shumës Romei ishte emri i Romakëve, pushtuesve të Greqisë. Në përhapjen e këtij emri të huaj si emër kombëtar për Grekët e kohës së mesme si shkak kryesor shërbeu përhapja e Krishterimit.

Emri i vjetër kombëtar i Shqipërisë në fillim kishte qenë emri i një krahine në Ilirinë jugore, i krahinës në mes lumenjve Mat dhe Shkumbin. Gjatë procesit të formimit të popullit shqiptar ishte përhapur dhe ishte bërë emër kombëtar. Si emër i krahinës së vjetër ky emër me trajtën Arbën mbahet gjallë edhe sot. Edhe trajta e parë e tij Arban ruhet si emër fshati me gjininë femërore Arabanë, po në këtë krahinë (një fshat pranë Tiranës).

Prej kohës së Anzhuinëve (1271) gati pa përjashtim përdoret trajta Albania, të cilën Francezët sot e shkruajnë Albaniae, Gjermanët Albanien, Italianët Albania etj. Turqit Shqiptarin e quajtën herë Arnabud herë Arnaud. Këto trajta rrjedhin nga trajta Arvanitis, të greqishtes së re. Emrat tanë të rinj Shqiptar-Shqipëri të huajt nuk i njohin dhe nuk i përdorin.

 

* Shkrimi botohet me shkurtime.

Share