Fetva rreth punëdhënies gjatë kohës së faljes së xhumasë

Download PDF

 

900x450_uploads,2016,05,15,ad90bb147dFetva rreth punëdhënies gjatë kohës së faljes së xhumasë

Pyetje:

Esselamu alejkum!
Dihet që ditën e Xhuma është e ndaluar puna gjate faljes së xhumasë, por ndërkohë orari I punës së punëtorëve të mi është deri ne orën 16.00. Nuk është se kam punëtorë besimtarë të cilët falin namazin. E vetmja mundësi është që t’i lë të punojnë të Premten deri në orën 13.00, sepse rikthimi në punë nuk ia vlen.Zakonisht punohet deri në orën 15.30. Si mund të veproj nëse punëtorët nuk duan që ta ndërpresin punën kaq herët? Unë i kam premtuar që do të stimuloj cilindo, duke ia paguar orarin si të pandërprerë, nëse do shkojnë për t’u falur. Një mendim i imi është t’i detyroj ta ndërpresin punën rreth orës 13.30, pra t’i jap pushim të detyruar.
Si mund të veproj në këtë rast? A e kam detyrë që ta mbyll punën më herët apo lejohet që t’i lë të punojnë deri në fund të orarit?
Përgjigje:
Lavdërimi i takon Allahut, ndërsa salevatet qofshin për Profetin tonë.
Dita e Xhuma është padyshim një ditë e veçantë për besimtarët myslimanë, ajo është dita më e mirë e javës, sikurse përcillet edhe nga Profeti (alejhisalatuue selam). Megjithë këtë besimtarët nuk janë të detyruar ti lënë angazhimet e tyre në këtë ditë, me përjashtim të kohës kur ata duhet të mblidhen në xhami për të falur namazin e Xhumasë. Allahu i Lartësuar në Kur’anin Fisnik thotë:

“O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (9:62)
Ky ajet Kuranor obligon të gjithë besimtarët, të cilët përmbushin kushtet për të marrë pjesë në faljen e këtij namazi, që të angazhohen në këtë orë të ditës së premte me shkuarjen në xhami dhe ndalon në mënyrë të prerë të gjitha aktivitetet fitimprurëse.
Pjesa më e madhe e juristëve islamë duke shpjeguar ajetin e lartpërmendur janë të mendimit se në të përfshihet çdo aktivitet biznesi. Pra, në kohën që thirret ezani i namazit të xhumasëe deri në përfundim të faljes është i ndalur çdo aktivitet tjetër dhe përbën gjynah, ndërkohë disa dijetarë shkojnë edhe më tej duke e konsideruar si të pavlefshme juridikisht çdo transaksion që kryhet në atë kohë. Kjo ndalesë përfshin çdo kontratë të vlefshme mes dy palëve apo më shumë, qoftë ajo shitblerje, punëdhënie, punëmarrje…etj.
Duke parë që aktiviteti juaj përfshihet nga kjo e fundit (punëdhënës), atëherë duke iu referuar ajetit Kuranor të lartpërmendur, ju e keni detyrim që të ndaloni aktivitetin e biznesit tuaj në këtë orë, e cila ju obligon prezencën në xhami. Gjithashtu nisur edhe nga fakti se nga këndvështrimi islam edhe jomuslimanët konsiderohen si përgjegjës para Zotit për obligimet fetare (sipas shumicës së dijetarëve), atëherë atyre nuk mund t’iu ngarkohet një punë në një kohë e cila për muslimanët nuk lejohet. Por, duke qenë se punëtorët tuaj nuk janë praktikantë, sikundër përmendët, atëherë ju mund t’i paguani ata me orë të plota, nëse ata marrin pjesë në xhami gjatë orës së faljes se namazit të xhumasë. Me këtë veprim ju merrni shpërblim nga Zoti i gjithësisë. Por, nëse ata nuk pranojnë,atëherë ju keni si detyrim që ata të lënë punën në orën e faljes së xhumasë. Duke vepruar në këtë mënyrë ju nuk keni përgjegjësi të tjera fetare.
Allahu e di më së miri.
Komisioni i Pyetjeve & Përgjigjeve pranë LHSH

Share