Gjuha si evolucion apo e mësuar?

Download PDF

Valter Nasufi

 

Shpesh herë hasim debate dhe kundërshtime midis argumenteve se si ka ardhur që njerëzimi të flasë. Dhe kemi një ndarje midis dy taborëve, të evolucionistëve dhe kreacionistëve rreth kësaj tematike. Evolucionistët pretendojnë, që e foluara ka kaluar një proces evoluimi, dhe njeriu e ka fituar aparatin e të folurit me  kalimin e kohës, duke kaluar disa etapa zhvillimi. Në të kundërtën, kreacionistët theksojnë, se njerëzimi e ka mësuar këtë gjë me ndihmën hyjnore.

Në të gjitha librat e shenjtë të feve ibrahimije (që rrjedhën e tyre e kanë nga profeti Ibrahim) përmendet dialogu midis Zotit dhe Ademit, që në fillim të krijimit të tij. Prej këtyre feve, siç është ajo Islame, në të cilën përmendet në librin hyjnor Kuranin, kur Zoti ia mësoi emrat Ademit. Në një ajet të Kuranit Famëlartë thuhet: “Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje…” (Bekare, 32). Po ashtu edhe në fenë e Krishtere, gjegjësisht në Dhjatën e Vjetër ekzistojnë pasazhe të kësaj natyre. Njëkohësisht, kjo është edhe baza në të cilën mbështeten ata teoricienë, që thonë se njeriu që në fillim ka ditur të flasë, dhe ajo pra e folura, ka qenë e mësuar prej Zotit. Ndërkaq pala tjetër mbështet sipas teorisë evolucioniste të zhvillimit të njeriut, që njeriu në fillim s’ka ditur të flasë, pastaj ka filluar komunikimin kinetik me gjestikulacionne, pastaj me klithma, dhe më vonë dalë nga dalë ka nisur të flasë.

Sipas të gjithave feve monoteiste njeriu i parë në faqen e tokës ka qenë Ademi me gruan e tij Havën, dhe emërtimet e këtyre dy emrave u bënë nga ana e Zotit. Kuptimi i emrit Adem, është njeri i përulur ndaj Zotit, që jetën e tij në tokë e kaloi duke iu bindur urdhrave të Zotit, ashtu siç i këshilloi edhe djemtë e vet në ndjekjen e besimit në Zot, dhe të parimeve fetare në përgjithësi. Kurse emri Hava nga ana tjetër ka kuptimin e jetës, ajo e cila ka qenë nëna e parë në rruzullin tokësor dhe ka shtuar racën njerëzore. Ky fakt tregon gjithashtu, se baza fillestare e besimit ka qenë monoteizmi (Njësimin e Zotit një të Vetëm pa i bërë Atij shok askënd). Dhe nuk ka qenë politeizmi apo paganizmi, ashtu siç pretendojnë teoricienët e evolucionit, apo animizmi dhe natyralizmi, dhe aq më pak totemizmi, të gjitha këto paganizma.

Emërtimi i njeriut dhe gjësendeve në natyrë ishin një nevojë e patjetërsueshme për njeriun dhe jetesën e tij në përgjithësi. Kjo nevojë lindi si arsye për mirëqenien e njeriut, për gjetjen e ushqimit, se si ai do t’i ndante ato, se si do t’i kuptonte ato njëra nga tjetra. Pra, patjetër që duhej të emërtoheshin në fillim të gjitha gjësendet e natyrës përreth, që e tërë jetesa e njeriut të shkonte në një rrjedhë normale. Domethënë, aspekti i njohjes në lidhje me emërtimet e gjësendeve ishte me rëndësi shumë të madhe, ngase kështu dallimi i një sendi me tjetrin do të ishte shumë më i lehtë. Si pasojë, në këtë mënyrë formohet dhe koncepti i diçkaje, ku njeriu arrin ta përceptojë në trurin e tij, mban mend formën, erën dhe shijen. Si të thuash, të gjitha këto duheshin për indentifikimin dhe klasifikimin e objekteve në natyrë. Dhe për këtë gjë ishte tepër e nevojshme gjuha dhe emërtimet, që i viheshin atyre, si nga dimensioni i vendit ashtu edhe i kohës. Të dyja këto janë shumë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe bashkëpunimi, interaksioni, ndërveprimi midis njeri-tjetrit dhe komunikimi bëhej i lehtë, gjë që mundësonte rrjedhshmëri në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe në veprimtaritë e përditshme të njeriut.

Sepse njeriu në ndryshim nga kafsha nuk ka instikte dhe gjithashtu nuk i ka të përparuara shqisat, në atë mënyrë si kafshët, instikte të cilat ua bëjnë të mundur mbijetesën e tyre në natyrën e egër. Me anë të strukturës trupore që zotërojnë kafshët, p.sh kur është fjala për shpejtësi disa kafshë formën e kanë aerodinamike, gjithashtu disa kafshë të tjera për t’u fshehur nga rreziku ose gjatë gjuetisë trupi i tyre është i pajisur në atë formë për t’u kamufluar mirë me ambientin, saqë arrijnë të bëhen njësh me natyrën përreth. Të mos harrojmë edhe ndërlikime të tjera trupore, siç janë receptorët matës të aromave te mjaft kafshë, apo super termometri i nxehtësisë tek disa të tjera, i cili është i specializuar të kap temperaturën trupore të gjallesave sado larg që ndodhen, dhe t’i seleksionojnë për të gjetur vendndodhjen. E shumë sofistikime të tjera, të cilat kafshët i kanë me bollëk, dhe të panumërta, dhe kjo gjë nuk mund të shpjegohet kuturu, dhe as me një metodë shkencore, ngase është përtej saj, i tejkalon kufijtë e shkencës. E vetmja përgjigje e arsyeshme, që mund të jepet, është vetëm të themi, se u krijua nga Zoti në mënyrë të përsosur, që të mbijetojnë. E jo nga teoria e “seleksionimit natyror”, siç hipotezoi Darvini më shumë se 150 vjet më parë, kur shkenca nuk ishte në gjendje të vërtetonte teorinë e tij, dhe gjithashtu as sot e kësaj dite nuk munden ta argumentojnë. Kjo për arsye se ka shumë pikëpyetje të mëdha dhe pika ndërprerëse në vetë teorinë evolucioniste, të cilat pamundësojnë kalimin e logjikshëm të argumenteve.

Pra, shqisat e kafshëve dhe instikti i tyre iu mjaftojnë për mbijetesë. Kurse njeriut i duhet të mendojë dhe të logjikojë mirë për mbijetesën e tij, dhe këtë nuk mund ta bëjë dot, nëse më parë nuk e vë mendjen në punë dhe të fillojë të mendojë  për llogaritjen e veprimeve dhe pasojat e tyre. Pra tek njerëzit instikti është zëvendësuar me mendjen dhe arsyen e tij. Mendja funksionon si komanduesi kryesor i shqisave të njeriut. Kështu për pasojë mendjes i duhet të përdorë zgjidhjet e duhura për të jetuar. Por këto zgjidhje nuk mund të realizohen, nëse nuk ka një komunikim dhe interaksion ndërmjet njëri-tjetrit, e ky komunikim është i domosdoshëm për të bërë gjëra të tilla të nevojshme, për të cilën u desh të formohej një strukturë e tillë shoqërore, që nuk do të ishte e mundur, nëse në fillim njeriu nuk do të fliste. Të gjitha këto do të ishin të pamundura për të, pra si të thuash, gjuha është mjeti kryesor për mbijetesën e njeriut. Ngase njeriu është një qenie sociale.

Emrëtimi i sendeve ka lidhje të drejtpërdrejt me gjuhën, ngase me lindjen e nevojës, domosdoshmërisht duheshin dhe emërtimet, në mënyrë që veprimet dhe situatat të kishin kuptim. Në të kundërtën, jeta do të ishte e pakuptueshme, absurde dhe utopike. Siç e cekëm edhe në fillim, ishte Zoti që ju dha emrat dy njerëzve të parë dhe ua mësoi emërtimet dhe rrjedhimisht edhe të folurën. Gjithashtu, ua mësoi dijen e përgjithshme për jetën. Si pasojë, rrodhi gjuha dhe dija e trashëguar, e cila u mbart brez pas brezi. Sepse do të ishte e paarsyeshme, nëse Zoti do të krijonte njeriun dhe ta linte pa informacion për botën dhe ambientin ku do të jetonte.

Sipas teoricienëve të gjuhës njeriu ashtu siç ka evoluar nga kafsha në njeri, ka evoluar edhe gjuha e tij me gjestikulacione, klithma e deri në fjalë të artikuluara mirë. Lind pyetja, si mundet njeriu nga një stad primitiv që pretendohet, të shkojë në një nivel kaq të strukturuar të artikulimit të fjalëve, duke formuar fjali të gjata? Që është në gjendje të shqiptojë gjithë ato gërma dhe t’i radhisë në mënyrë perfekte për formulimin e çdo fjale e fjalie. Ose, si e ka gjetur këtë rregull? Cila ishte faza e parë e ndryshimit? Cili ishte kufiri ndarës midis klithmës dhe fjalës? Sa zgjati kjo periudhë dhe si ndodhi? Të gjitha këto pyetje dhe shumë të tjera janë si një mur kinez i hekurt i pakapërcyeshëm për teoricienët e evolucionit, që do të mundoheshin t’i përgjigjeshin këtyre pyetjeve. Dhe padyshim që ata nuk janë në gjendje t’iu japin përgjigje këtyre pyetjeve. Nëse do të pyeten për gjuhën, ata që në fillim do të mundohen të citojnë atë që kanë thënë zakonisht për shfaqjen e njeriut dhe evoluimin që ka pësuar ai. Kurse interpretimi i fesë nga ana tjetër, ka argumente të shkruara, ka arsye logjike dhe plus shumë dijetarë fetarë, të cilët kanë qenë njëkohësisht shkencëtarë, që me anë të fesë e zhvilluan më tepër shkencën dhe dijen njerëzore në përgjithësi.

Por ajo që është më e rëndësishme është, se feja me shkencën nuk ishin të ndara, por që të dyja ecnin paralel me njëra-tjetrën, duke mos i kryqëzuar udhët e tyre, ato të dyja janë të dobishme dhe luajnë një rol shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e zhvillimit të qenies njerëzore. Feja jep rregullat e përgjithshme për jetën dhe i nxit njerëzit në kërkimin e dijes, dhe në zbulimet shkencore. Feja është hyjnore dhe rregullator i përgjithshëm njerëzor i pandryshueshëm, kurse shkenca është përpjekje njerëzore e ndryshueshme, duke u munduar vazhdimisht të zbuloj gjëra të reja. Shekulli XVIII solli një kthesë në historinë njerëzore, ku ndau shkencën nga feja, me anë të propagandës iluministe dhe Revolucionin Francez, i cili si të thuash shkëputi fenë prej shtetit, por e ndau njëkohësisht edhe nga shkenca, që deri atëherë funksiononin si një binom i vetëm.

Nga ana tjetër, edhe Karl Poper i influencuar nga Iluminizmi e sheh fenë si jo shkencë, por kur fletë për paradigmën, mes të tjerash shprehet, se që të formosh një teori të re në radhë të parë duhet të jetë më e mirë se pararendësja. Pra modeli apo paradigma pasrendëse duhet të jetë më e plotë në mbushjen e mangësive të së parës. Por që në fakt në trajtesën tonë është e kundërta, ngase Teoria e Evolucionit, megjithëse është e shumë e përhapur, do të vërejmë boshllëqe, e cila nuk është në gjendje ta mposhtë interpretimin fetar. Prandaj njeriu menjëherë do ta kuptonte, që nuk ka shpjegim, dhe të lë shumë për të dëshiruar. Shikimi sipërfaqësor që mund t’i bëhet gjërave gjithmonë është i cekët, nuk bën llogari dhe përgjithësues me argumentet iluzionare, ireale dhe imagjinare, të cilat e bindin njeriun duke menduar, se nëse i mbështet ato është i zhvilluar dhe përparimtar.

Ndërkaq, si kundër-argument fëmija mëson të flasë, sepse dëgjon prindërit apo familjarët e tjerë dhe me kalimin e kohës një mori fjalësh injektohen (përbrendësohen) në trurin e tij, duke i dhënë kështu një bagazh fjalësh, që do t’i nevojiten për me vonë. Pra, njeriu nuk mund të flasë nëse në fillim nuk ka një depo, magazinë fjalësh të caktuar, të cilat do ta ndihmojnë të kuptojë njerëzit dhe t’iu kthejë përgjigje të tjerëve në rrethana të caktuara. Të njëjtën gjë e pranojnë edhe shkencat shoqërore dhe ato të komunikimit, që janë marrë me studime të tilla, siç është për shembull psikologjia, psikologjia-sociale dhe sociologjia me faktorët socializues, që ndikojnë në rritjen e fëmijës, pra, familja dhe në veçanti prindërit.

Kështu që koncepti i gjuhës ka qenë që në fillim, njeriu ka folur që në fillim dhe nuk është mësuar ta flasë më vonë vetvetiu. Ngase aparatin e të folurit njeriu e ka patur që kur u krijua dhe gjuha iu mësua njeriut, që në fillim prej Zotit. Ky nuk është vetëm një shpjegim fetar, që evolucionistët do të thonin, por është dhe shumë i arsyeshëm, për vetë faktin se në çfarë do lloj shpjegimi, që i kanë dhënë evolucionistët ka qenë shumë i mangët dhe aspak argumentues. Pra, shkurtimisht ata kurrë nuk kanë arritur të shpjegojnë ashtu siç duhet, se si njeriu arriti të flasë. Shpjegimi fetar sa është i lehtë për arsyen njerëzore, aq është edhe i logjikshëm dhe racional për shkencëtarët, të cilët duhet të lënë shpjegimet evolucioniste dhe t’iu rreken ashtu siç iu ka hije shkencëtarëve. Ata duhet të shohin çdo burim të mundshëm, që të arrijnë deri tek e vërteta, këtë gjë në fakt e kërkon edhe shkenca.

Është e çuditshme kur shikon se sa lehtë shumë studiues marrin si të mirëqenë teorinë evolucioniste të të folurit, dhe nga ana tjetër iu vjen vështirë të pranojnë faktin fetar, se Zoti e ka mësuar njeriun të flasë. Këtë fakt e shohin me një kritikë shumë të madhe dhe në fund thonë, se ky është thjesht një interpretim fetar dhe aspak shkencor. Për shkak se pjesa më e madhe e evolucionistëve janë ateistë dhe për pasojë, kur përmendet interpretimi fetar kjo i gjë i irriton, dhe e kundërshtojnë atë duke e quajtur si jo-shkencore, ndërsa teorinë e tyre e marrin si shkencore, duke mos e diskutuar fare, kur ajo në të vërtetë është thjesht një hipotezë njerëzore.

Në kohën kur kjo teori u shfaq shkenca nuk ka qenë e zhvilluar. Pas Revolucionit Francez Darvini gjeti terrenin e gatshëm për të përhapur teorinë e tij, megjithëse në fillim pjesa më e madhe e komunitetit e kundërshtoi. Mendimi Iluminist ka qenë i përhapur te filozofët e asaj periudhe, dhe këta kishin një ndikim të mjaftueshëm te masa, dhe  për një kohë të shkurtër shumë shpejt u pranua nga një pjesë e madhe e mendimtarëve të kohës, duke u bërë kështu një trend i kohës. Edhe para Darvinit ka pasur mendimtarë, që e kishin hedhur të njëjtën teori, por terreni nuk ka qenë i përgatitur ende.

Këta njerëz edhe të tjerë si intencë kryesore kishin t’i largonin njerëzit nga bindja e Zotit, i Cili i ka krijuar njerëzit, dhe të injektonin gjilpërën, që njerëzit të mendonin, se janë vetëm produkt i rastësisë dhe asgjë më tepër. Ata gjithashtu u përpoqën shumë të ndanin fenë nga shkenca dhe në një farë mënyre ia arritën. Ata me çdo mënyrë përpiqeshin të dëshmonin rastësinë duke shmangur krijimin nga Zoti. Nëse shumica e njerëzve janë teistë që besojnë në Zot, evolucionistët për zot kanë rastësinë. Si mundet natyra, që nuk është inteligjente të krijojë një qenie të gjallë me intelekt si njeriu?

Me zhvillimin e shkencës u shfaqën problemet fillestare të teorisë evolucioniste. Koha kalonte dhe bëhej me e vështirë për mbrojtjen e teorisë. Ajo ishte si sopata për teorinë e evolucionit, që dita ditës shkenca ia priste rrënjët e kësaj peme të ndërtuar në atmosferën konservatore të menduarit të Evropës. Racionalja e tyre në atë kohë u bë irracionale për kohën e sotme. Kështu si pasojë, kundër argumentet shtoheshin dhe mbështetësit e teorisë pakësoheshin për ditë.

Është interesante të ceket, se megjithëse Teoria e Evolucionit nuk ka asnjë argument, nga ana tjetër ka shumë teoricienë linguistikë, që e përkrahin akoma teorinë, se njeriu në fillim s’ka folur hiç, pastaj me gjestikulacione, komunikim kinetik (me shenja), klithma e më vonë u mësua të flasë (komunikim verbal). Kjo teori në origjinë ka probleme të shumta dhe plus kësaj asnjëherë nuk është vërtetuar dhe që njëkohësisht është jashtë logjikës njerëzore, dhe tejmase abstrakte, më se utopike. Nëse parimin fetarë të të folurit, që Zoti e mësoi njeriun do ta quanim si paradigëm apo model, atëherë teoria evolucioniste ishte një paradigëm e mëvonshme, që logjikisht duhet të ishte më kuptimplotë, më racionale dhe më argumentuese, por e kundërta ndodhi, sepse feja ishte dhe është modeli i vetëm i vërtetë ndërtues për botëkuptimin e fillimit dhe mbarimit të jetës njerëzore. Kurse, për sa i përket modelit evolucionist çdo gjë ishte në kundërshtim si me logjikën ashtu edhe me shkencën, e cila nuk gjeti mbështetje në kohën e zhvillimit teknologjik. Shkenca kthehet në origjinën e të gjitha njohurive të burimit njerëzor, tek Zoti i Gjithëdijshëm, duke gjetur rehatinë dhe përgjigjen e pyetjeve të shumta, që njerëzit vazhdojnë ende t’i bëjnë. Por, Zoti ashtu siç e krijoi njeriun gjithashtu e mësoi edhe të flasë.

Share