Gjykimi i muslimanëve si qafira (të pafe): Shkaqet, pasojat dhe kurimi i këtij fenomeni.

KAFIRMe emrin e Allahut Mëshiruesit, Mëshiruesit

 

Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi zotërinë tonë, Muhamedin vulën e profetëve, mbi familjen dhe gjithë shokët e tij.

 

Vendimi nr. 208 (4/22)

 

Tema: Gjykimi i muslimanëve si qafira (të pafe): Shkaqet, pasojat dhe kurimi i këtij fenomeni.

Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i dalë nga organizata e Bashkëpunimit Islam, u mblodh në sesionin e tij të 22-të në shtetin e Kuvajtit nga datat 2-5 Xhemadul Akhir të vitit 1436 h, që korrespondon me 22-25 Mars 2015 e.s. Në këtë sesion ai u informua rreth studimeve që u paraqitën në akademi, në lidhje me temën “Gjykimin e muslimanëve si qafira, shkaqet, pasojat dhe kurimi i tij.” Pas diskutimeve të shumta që trajtuan këtë temë nga aspekte të ndryshme, duke parë edhe përshkallëzimin e rrezikshëm që ka marrë gjykimi me kufr dhe rideh (apostazi) i muslimanëve, qoftë kjo ndaj individëve, shoqërive, shteteve dhe qeverive të tyre, pa u bazuar mbi parimet e Sheriatit, objektivat dhe rregullat e vendosura prej tij, si dhe nisur nga pasojat e rrezikshme, siç janë vrasjet, shkatërrimi dhe dëbimi i njerëzve, pasi shqyrtuam masat që ka vendosur Sheriati, me të cilat ruhet jeta e Umetit, shoqërisë islame dhe individit nga rreziku i tekfirit, vendosi se:

E para: Konfirmohet vendimi i Këshillit me nr. 125 (1/18) nxjerrë në sesionin e 17 rreth temës: Islami, një umet i vetëm, shkollat doktrinare, juridike dhe edukuese; që konsideron të ndaluar emërtimin si kafir të çdo grupi musliman që beson në Allahun e Lartësuar, profetësinë e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), në shtyllat e besimit, shtyllat e islamit dhe nuk mohon ndonjë prej parimeve islame të ditura domosdoshmërish.

E dyta: Konfirmohet vendimi nr. 175 (1/19) me temë: Liria e besimit në Sheriatin Islam: dimensionet dhe rregullat e saj, i cili përmban ndër të tjera dhe vendimin se dhënia e gjykimit rreth apostazisë ose tekfirit është e veçantë vetëm për dijetarët, të cilët ushtrojnë edhe funksionin e gjykatësit islam[1] dhe se para se të jepet ky gjykim duhet të eliminohen të gjitha dyshimet -nga i akuzuari-, (aq sa të mos ketë më dyshime kundrejt të akuzuarit për apostazi). Ky vendim tërheq gjithashtu vërejtje mbi rrezikshmërinë e përpjekjeve të orientuara për t’i atribuuar këtë fenomen –tekfirin– vetëm një grupi muslimanësh, pa lënë mënjanë këtu rrezikun e gjykimit si qafira të sahabeve dhe nënave të besimtarëve -bashkëshorteve të Profetit-, apo cenimin e pozitës së tyre të lartë, Allahu qoftë i kënaqur me ta.

 

Nisur nga sa më sipër, Këshilli sugjeron:

Sekretariati i Këshillit duhet të përmbushë zbatimin e direktivave të mëhershme të cilat ftojnë e Këshillin që të organizojë konferenca dhe takime ku të trajtohen dhe studiohen çështjet e mëposhtme:

a)- Çështja e uela-s (miqësisë, afërsisë) dhe bera-s (distancimit) në fenë islame.

b)- Hadithin e grupit të shpëtuar, dhe përfundimet që dalin prej tij.

c)- Dhënia e gjykimit për apostazi për moszbatim të tërësishëm të dispozitave të Sheriatit Islam.

 

Këshilli gjithashtu këshillon:

1-    të rinjtë muslimanë dhe u tërheq vërejtjen t’i rrinë larg propagandës së bartësve të ideve të devijuara dhe ekstremiste, si dhe i orienton ata të marrin dijen e drejtë e të dobishme, në përputhje me metodologjinë e drejtë (mesme) dhe nën shembullin e muslimanëve të parëve të mirë të këtij umeti, siç janë sahabët dhe pasuesit e tyre.

2-    dijetarët islam dhe predikuesit të ruajnë lidhjet me rininë, të përmbushin përgjegjësinë që kanë në lidhje me thirrjen islame, urdhërimin për të mira e ndalimin nga e keqja, në përputhje kjo me rrugën e drejtë (të mesme).

3-    qeveritë dhe shtetet që të garantojnë mjetet e nevojshme dhe të lehtësojnë vështirësitë për dijetarët dhe mendimtarët muslimanë për të pasur sa më shumë kontakte me rininë në mënyrë që t’i orientojnë ata drejtë më të mirës.

4-    të përfitohet nga përvojat e suksesshme të vendeve të tjera në dialogun me individë që bartin ide ekstreme; mes këtyre praktikave vlen të përmendet edhe projekti “Këshillimi” që zbatohet në mbretërinë e Arabisë Saudite.

Allahu e di më së miri

 

Burimi: http://www.iifa-aifi.org/3984.html

[1] Në ato shtete ku gjenden këto gjykata. (shën.LHSH)

Share