Hafiz Muharremi dhe përkushtimi ndaj ezanit

Download PDF

Hafiz Muharrem Lika i përket atij brezi të vjetër të edukuar nga hoxhallarët e para vitit 1967, ku të cilët me qetësinë dhe dashamirësinë që ta jep besimi ia doli t’i mbijetojë ndeshtrashave të komunizmit dhe të shërbente për gati 30 vjet në demokraci në Xhaminë e Madhe të Kavajës. Në rrjetet sociale u përhap menjëherë lajmi për largimin e tij nga kjo botë, ku të gjithë shprehnin fjalë miradije ndaj xha Rremës dhe shërbimit të tij shembullor në Xhaminë e Madhe të Kavajës (17 shtator 2020). Ai u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë dhe u përcoll me shumë nderim e respekt nga i gjithë xhemati i Kavajës, të cilët shihnin tek xha Rrema, njeriun e përkushtuar ndaj misionit që kishte marrë përsipër, atë të myezinit. Mision i lartë ky për xha Rremën, i cili i thërriste pesë herë në ditë të gjithë bashkëqytetarët e vet të paraqiteshin në xhami për të adhuruar Zotin e Gjithësisë. Hafiz Muharremi kujtonte me respekt hoxhën dhe mësuesin e tij Sulejman efendi Misirin, myftiun e Kavajës dhe si asokohe kur mësonte me të kishte mësuar se si t’i gjente vaktet nëpërmjet orës diellore. Në vijim do t’ju përcjellim dëshminë e marrë hafiz Muharrem Likës nga një intervistë e vitit 2017, si pjesë e projektit “Dëshmi nga e kaluara”, dhe e botuar në faqet e revistës KIBLA e Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë. Kjo dëshmi e Hafiz Muharremit i përket kohës së errët të komunizmit dhe se si me shumë vështirësi e telashe ia dilnin të agjëronin.

Dëshmi nga hafiz Muharrem Lika, Kavajë – Revista Kibla, nr. 1, 2017.

Hafiz Muharrem Lika vazhdon të jetë në shërbim të Xhamisë së Madhe të Kavajës pa u shkëputur në çdo vakt të ditës. Ne i morëm atij nëpërmjet një interviste një dëshmi mbi vështirësitë  që kaluan besimtarët pas vitit të errët 1967, kur u ndalua feja me ligj. Me zërin e tij të dobët për shkak të moshës së shtyrë, por me besimin dhe me bindjen e patundur në Allah, ai na rrëfeu telashet e kaluara gjatë regjimit monist.

Hafiz Muharremi tregon se si pushteti i kohës e prishi xhaminë e madhe të Kavajës me stalinez (një lloj buldozeri i madh prodhim sovjetik). Ai gjithashtu na tregon, se si organizata e gruas ju bënte propagandë grave të mos agjëronin dhe propagandistët e partisë ua prishnin agjërimin. Njerëzit agjëronin fshehtas sipas Hafiz Muharremit, dhe ata që rrinin “pranë qeverisë” ua prishnin agjërimin. Në Ramazan agjëronin dhe falnin teravi, por me shumë kujdes, që të mos merrej vesh. Hafiz Muharremi e agjëronte fshehurazi, sepse të largonin nga puna, nëse do ta merrnin vesh. Megjithatë ai ka vazhduar ta agjërojë dhe nuk përzihej në muhabete me njerëzit e tjerë, duke iu përkushtuar punës, dhe kështu nuk e ngacmonin për çështjen e agjërimit. Kalendarin e Ramazanit për të agjëruar e falur namaz e përgatisnin me kalendarët e vjetër të botuar më herët, pra para vitit 1967. “Përgatisnim nëpër fletë të posaçme 10-ditëshin e parë, pastaj 10-ditëshin e dytë, e pastaj 10-ditëshin e tretë. Kur e shembën xhaminë ne u trembëm, dhe komunizmi u sollën keq, na prisnin me karamele dhe na i jepnin për të na provuar.”

Fshatarët i mbanin në arë deri në darkë vonë për inat, ngaqë agjëronin, pra pasi kishte hyrë akshami dhe kishte mbaruar koha e agjërimit. Komunizmi ka qenë i keq dhe e luftonte fenë,- na tregon Hafiz Muharrem Lika, i cili është edhe myezini i xhamisë së madhe të Kavajës.

Share