Haxhi Xhafa njeriu dhe hoxha i palodhur

Download PDF

 

Personazhi i këtij numri do të jetë Haxhi Xhafer Shkodra, apo siç njihej nga të gjithë qytetarët e Kavajës: Haxhi Xhafa. Para pak kohësh u nda nga kjo botë edhe Haxhi Xhafa duke lënë kujtime të mira mbrapa, për të gjithë qytetin dhe ata që kanë pasur rast ta njohin atë. Ne u takuam me familjarët e Haxhi Xhafës, të cilët na treguan mbi jetën dhe punën e tij plot përkushtim në dobi të fesë dhe të gjithë komunitetit qytetar kavajas. Kavajasit do të pritnin 27 vjet sa të riktheheshin sërisht te besimi në Zot, kjo jo se në zemrat e tyre nuk besonin, por se sistemi i pat ndaluar ta deklarojnë dhe ta praktikojnë besimin e tyre. Ata do të ishin të dytët që morën nismën për rikthimin e praktikimit të fesë mbas Shkodrës, akoma pa u vendosur mirë demokracia, për herë të parë pikërisht  në janar 1991 është bërë ceremonia madhështore e parë fetare mbas 27 vjetësh të bllokimit të ritualeve fetare dhe ndalimit të besimit, me organizator kryesor Haxhi Xhaferr Shkodrën, i cili ka qenë iniciues i shumë nismave pozitive në Kavajë, si në këtë rast por dhe ndërtimin e hapjen e xhamive të tjera në qytet dhe mbarë rrethin, gjithashtu është organizatori-iniciatori për rihapjen e Medresesë së Kavajës nga ku kanë dalë breza të tërë të edukuar në frymën islame, disa prej të cilëve vazhduan studjimet e larta fetare në vende të ndryshme të botës islame si në Turqi apo vendet arabe, pothuajse të gjithë hoxhallarët e sotëm në rrethin e Kavajës kanë qenë dikur në vitet ’90 nxënës të kësaj medreseje. Një nga gjërat që e kanë futur emrin dhe punën e Haxhi Xhafës në mendjen dhe në zemrat e gjithë atyre që e njohin atë është kthimi i oxhakut të Fabrikës së Tullave në Kavajë në një minare, nga ku do të dëgjohej rregullisht ezani 5 herë në ditë. Ai ishte shumë energjik dhe nuk lodhej të vihej në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kavajës. Kudo që shkonte e hynte jepte selam dhe kjo ishte një nga karakteristikat e komunikimit të tij, ku përçonte gjithnjë entuziazëm e optimizëm. Lexonte shumë dhe kishte njohuri nga të gjitha fushat e ndryshme dhe jo vetëm të Fesë Islame. Kontributi i tij më i madh ka qenë me hapjen e Medresesë së Kavajës, ku ai shpenzoi edhe nga pasuria e vet. Gjatë gjithë kohës që shërbeu nuk pranoi të merrte shpërblim. Haxhi Xhafa kur dilte nga shtëpia i mbushte xhepat me karamele dhe ua shpërndante të gjithë fëmijëve që gjente rrugëve të qytetit, duke na kujtuar këtu se po të njëjtin veprim e bënte edhe ish-myftiu i Durrësit Hafiz Musatafa Varoshi.

Në ceremoninë e varrimit të tij morën pjesë hoxhallarë jo vetëm të Kavajës, por edhe nga të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë në respekt të kontributit të dhënë prej tij, Allahu e pastë mëshiruar.

Medreseja e rihapur mbas 70 vitesh do të gjallëronte Qytetin e Kavajës

Mbasi ishin bërë hapat e para të veprimtarisë së lirisë fetare dhe ishin ngritur institucionet fetare me nismën e individëve muslimanë si Haxhi Xhaferr Shkodra, iniciatori kryesor që ka një meritë të padiskutueshme në këtë çështje, në shtator të 1991 do të hapej ‘fidanishtja prodhuese e hoxhallarëve’ për Kavajën dhe mbarë Shqipërinë, ose ndryshe Medreseja e Kavajës,  e cila në programin e saj do të kishte të gjithë lëndët e bëra në programin shtetëror, me përjashtim të disave si Muzika, Edukata Qytetare, Edukata Shoqërore e të ngjashme, të cilat ishin zëvendësuar me programin fetar me lëndë si: Besim, Fikh, Moral, Historia Islame, Ilahi, Arabisht etj., të cilat në total bëheshin rreth 8-10 orë mësim feje në javë. Realisht shkolla që u hap nuk ishte vetëm medrese por dhe mekteb, pra jo vetëm shkollë e mesme me program fetar dhe shkencor, pasi në të do të ishin edhe klasat më të ulta duke filluar që nga klasa e 5-të deri në klasën e 12. Haxhi Xhaferri u bë drejtori i parë i saj (1991-1998) dhe në shtator 1993, me iniciativën e drejtorit, Medresesë iu dha emri “Hafiz Ali Korça”. Në këtë shkollë, përveç lëndëve fetare, mësoheshin disa gjuhë të huaja, gjithashtu dhe lëndë shkencore. Nxënësit e saj, që kanë vazhduar studimet brenda dhe jashtë vendit, i kanë dhënë shkollës një vend të nderuar.

Haxhi Xhafer Shkodra (1931-2016) Lindi në 12 dhjetor 1931 në qytetin e Kavajës. I përkushtohet fesë qysh në rininë e hershme dhe arrin të studiojë me dijetarin Hafiz Ali Korça, me të cilin merr një edukim të mirë fetar. Shërben në Xhaminë e Madhe të Kavajës deri në momentet e fundit, kur feja ndalohet me ligj në vitin 1967. Gjatë kësaj kohe mbaron shkollën e mesme të përgjithshme “Medar Shtylla” 1964-1968 pa shkëputje nga puna dhe nuk i vazhdon dot më tej studimet, për shkak edhe të luftës që i bëri regjimi monist fesë. Punon në Shërbimet Komunale të Kavajës deri në prag të demokracisë. Ai u bë drejtori i parë i Medresesë së Kavajës (1991-1998) dhe në shtator 1993, me iniciativën e tij kësaj Medreseje iu dha emri “Hafiz Ali Korça”. Nga viti 1991 e deri sa ndërron jetë vesh petkun fetar dhe shërben me devotshmëri për ringjalljen dhe përhapjen e Islamit në qytetin e Kavajës dhe në rrethina.

REDAKSIA

revista KIBLA, nr. 1/2017

Share