“Kujdesja ndaj vetes”-

Download PDF

Vepra që ndikojnë në personalitetin e muslimanit-

 

Nga hoxhë Bledar Tefik Haxhiu

 

Falënderimi i takon Allahut paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve Muhamedin, familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nga gjërat të cilat ndikojnë në personalitetin e muslimani është dhe rëndësia që muslimani i jep vetes së tij. Feja islame kërkon prej muslimanëve, që të jenë njerëz me nivel në shoqëritë e tyre, të dallojnë në veshje, sjellje dhe veprime, në mënyrë që të jenë shembull i mirë e t’i bëjë ata të denjë për të mbajtur e përçuar këtë fe madhështore tek njerëzit. Në hadithin që përcjell Handhalije thuhet, se Profeti salallahu alejhi ue selem po kthehej nga udhëtimi me shokët e tij ndaj u tha atyre: “Ju jeni duke shkuar ke vëllezërit tuaj, sistemojini kafshët tuaja, dhe rregullojini rrobat tuaja, në mënyrë që të jeni shembull ke njerëzit, sepse Allahu nuk e do të çrregulltin e as të shëmtuarin”.1
Sigurisht që muslimani i vërtetë nuk e lë veten e tij pas dore, nuk e harron veten, përkundrazi ai kujdeset për të, ashtu sikurse kujdeset edhe për detyrimet e tjera të tij. Përkujdesja e muslimanit ndaj vetes mund të përqendrohet në tre pika: përkujdesja ndaj trupit, logjikës dhe shpirtit.
Muslimani në lidhje me trupin e tij.
a)- Është mesatar në ngrënie e pirje. Muslimani mundohet që trupin e tij ta ketë të rregullt dhe të shëndetshëm, ndaj dhe është i matur në ngrënien, pirjen dhe fjetjen e tij. Ha aq sa i hahet dhe pi aq sa i nevojitet, nuk e tejkalon masën dhe nuk e tepron, duke vepruar kështu në bazë të ajetit në të cilin Allahu thotë: “Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë”.2
Po ashtu ai ka parasysh gjithmonë thënien e profetit Muhamed salallahu alejhi ue selem: “Nuk mbush biri i Ademit enë më të keqe se barku i tij, por nëse patjetër duhet ta bëjë këtë, atëhere një e treta të jetë për ushqim, një e treta për ujë dhe një e treta për oksigjen (frymëmarrje)”.3
Muslimani largohet nga çdo gjë, e cila e shkatërron dhe e sfilit trupin e tij, ai largohet nga droga’ dhe të ngjashmet me të, fle herët dhe zgjohet herët, kështu që jeta e tij është në aktivitet që i shërben trupit të tij.
b)- I pastërt në trup dhe rroba.
Muslimani të cilin Islami e dëshiron shembull ke njerëzit është i pastërt në trupin e tij, lahet shpesh duke iu përgjigjur kështu udhëzimit të Profetit Muhamed salallahu alejhi ue selem, i cili ka nxitur për larje dhe parfumosjen, sidomos në ditën e premte (xhuma) ku thotë: “Lahuni ditën e Xhuma, lajini kokat tuaja edhe nëse nuk jeni xhunub dhe parfumosuni”.4 Po ashtu muslimani i kushton rëndësi rrobave të tij, nuk i lë ato pas dore dhe nuk i mban të pista e të çrregullta. Përcillet nga Xhabiri, se një herë Profetit i erdhi një vizitor, ndërkohë kur ai pa dikë me rroba të pista tha: “Po ky a nuk gjeti diçka me se të pastronte rrobat e tij”.5 Pra Profeti nuk e pëlqeu, që dikush të dalë përpara njerëzve me rroba të pisëta, përderisa e ka mundësinë t’i pastrojë ato. Madje ai ka nxitur që muslimani të ketë rroba të posaçme për ditët e shënuara kur thotë: “A nuk ka mundësi dikush, që për ditën e xhuma të gjej dy rroba përveç rrobave të punës”.6 Madje vetë Profeti mbante rroba të veçanta dhe enkas për ditë festash dhe kur i vinin delegacione. Nga ana tjetër një ditë Profeti salallahu alejhi ue selem pa një njeri me flokë të prishura e të çrregullta dhe tha: “A nuk gjen ky njeri diçka me se t’i rregullojë flokët e tij?”7
Ndërsa në një hadith tjetër ai ka thënë: “Kush ka flokë të gjata le të kujdeset për to”.8
Kështu Profeti i nxiste muslimanët, që të formonin personalitetin e tyre duke qenë të rregullt dhe shembull, por nga ana tjetër dhe të shfaqnin mirësitë, që Allahu ua kishte dhuruar. Ai një herë ka thënë: “Allahu është i kënaqur të shohë gjurmët e mirësisë ndaj robit të Tij”.9
Allahu thotë: Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?”10
c) Muslimani në lidhje me mendjen dhe logjikën e tij
Duhet thënë se dija për muslimanin është detyrë, por edhe nder. Muslimani është në përpjekje të vazhdueshme për të shtuar dijen dhe për të rritur aftësitë e tij. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kërkimi i dijes është detyrë për çdo musliman”. 11
Mjafton si nxitje për muslimanin që të shtojë dijen fakti se gjëja e parë e cila ka zbritur prej shpalljes është ajeti: Ikra (Lexo). Po ashtu dhe fakti se Allahu i ka ngritur në gradë dhe i ka nderuar ata të cilët kanë dije me një nderim të veçantë ku thotë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët”.12
Është e vërtetë se Allahut nuk i frikësohet si duhet, vetëm se ata mendja e të cilëve është e ndriçuar, të cilët e kuptojnë fuqinë dhe madhështinë e Allahut, ndaj dhe Allahu i dalloi me të drejtë nga të tjerët: “Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Këshillat i pranojnë vetëm ata që dinë të mendojnë!”13
E gjithë kjo e bën muslimanin të jetë gjithmonë në kontakt me dijen dhe të mos e ndërpresë për asnjë çast kërkimin e saj duke vepruar kështu në bazë të fjalës së Allahut: “Dhe thuaj: Zoti im ma shto diturinë”.14 Duke u nisur nga ky këndvështrim ne gjejmë thëniet e të parëve tanë të mirë, që kanë qenë praktikë e gjallë e këtyre ndjenjave dhe praktikave.
Ibën Ebi Gasan ka thënë: “Do të vazhdojë njeriu të jetë dijetar, përderisa kërkon dijen (të mësojë), ndërsa nëse mendon se nuk ka më nevojë, ai është injorant”. Ndërsa imam Maliku ka thënë: “Nuk është meritë e askujt që ka dije, ta lëjë kërkimin e dijes”.
Imam Abdullah bin Mubarekut i thanë: -Deri kur duhet të kërkojmë dije?- Tha: -Deri në vdekje; ndoshta një fjalë e cila të bën dobi nuk e ke shënuar ende!”
Sufjan bin Ujejnen e pyetën një herë: Cili është ai që ka nevojë më shumë për të kërkuar dije?- Tha: -Ai që është më i dijshëm.- Të pranishmin e pyetën: -Përse vallë ai?- Sepse gabimi prej tij është më i shpifur!”15

[1] Ebu Daudi dhe Hakim. Hadithi është hasen.
[2] Sure Araf: 31.
[3] Ahmedi, Tirmidhiu dhe Hakim. Hadithi është i mirë.
[4] Buhari. Ahmedi dhe Nesai.
[5] Asfahani, Hiljetu el Evlija.
[6] Ebu Daud dhe Ibnu Maxhah. Hadithi është i saktë
[7] Ebu Daud Hadithi është i saktë
[8] Ebu Daud Hadithi është i saktë
[9] Tirmidhiu dhe Hakim. Hadithi është i mirë.
[10] Sure Araf: 32
[11]Ibnu Maxha. Hadithi është i mirë.
[12] Sure Fatir: 28.
[13] Sure Zumer: 9.
[14] Sure Taha: 113.
[15] Ibën Abdulberr, Xhamiu Bejan Ilmi ue Fadlihi,

Share