Liria e besimit, shekullarizmi, komunikimi dhe kufizimet e lirive njerezore

secularism

Liria e besimit, shekullarizmi, komunikimi dhe kufizimet e lirive njerezore

Epoka në të cilën sot gjendet shoqëria njerëzore është një botë më së shumti e përkufizuar ose të paktën e kuptuar nga mënyra se si e paraqet atë televizioni, interneti dhe në tërësi mjetet e komunikimit.  Arsyet pse ka marrë këtë pushtet televizioni apo mediat  janë të shumta,  por paralelisht me këtë fuqizim vihet re një fuqizim i rolit të shtetit, një rritje e shtetit dhe kufizimi i lirive të njeriut nga ana tjetër. Shteti sot në shumicën e vendeve të Perëndimit është shumë më i madh se sa 30 apo 40 vite më parë. Jo vetëm pesha e tij në ekonomi, por edhe ndikimi i tij në liritë njerëzore është më e madhe. Shteti sot ka nisur të shpërndajë të drejta, të krijojë të drejta siç janë ato të aksionit afirmativ, apo ato të lëvizjes gender apo të lëvizjes gay. Shteti sot ka marrë fuqinë në mjaft raste të tregojë se çfarë është martesa, se çfarë është shkolla, se si duhet të jetë dhe se çfarë duhet të mësohet në shkolla. Këto nuk janë të vërteta abstrakte, por këto janë disa prej shqetësimeve reale të shoqërive. Shumë studiues mendojnë se një prej arsyeve të krizës së madhe financiare ka të bëjë me këtë rol të rritur të shtetit. Në pamje të parë duket se kemi të bëjmë me një kontradiktë: fuqizimi i   medias dhe i televizionit duhet të çonte në një shkallë më të madhe të Demokracisë dhe për rrjedhojë në një shkallë më të madhe të lirisë. Në fakt kjo nuk ka ndodhur dhe shkaku themelor është se media dhe televizioni janë shndërruar në elementë përbërës të makinerisë së madhe sociale që funksionon sipas rregullave të shoqërisë së konsumit. Duke qenë kështu ka një zgjerim të hapësirës së sekularizmit, ka një pushtet në rritje të tij dhe ajo që detyrohet të paguajë është feja, janë liritë fetare dhe ato të besimit. Në një farë mënyre edhe termat, konceptet dhe fjalët nisin të marrin ngjyrat e kësaj epoke dhe rreken të përcjellin atë që ajo përfaqëson. Në fakt kështu ka ndodhur gjithnjë, por sot kjo  është  shumëfishuar për  shkak  të  rolit të medies dhe të televizionit në veçanti. Shekullarizmi, bota shekullare ka të sajën paradigmën e pushtetit, të fuqisë në të cilën domini dhe kontrolli janë vlera të brendshme. Për këtë botë efektiviteti është një kriter themelor. Shprehja më bazike e gjithë kësaj bote thotë Loui Safi, një studiues amerikan gjendet tek Makiaveli: “Qëllimi justifikon mjetin”. Kjo është një shprehje që shërben si parim udhërrëfyes në botën shekullare. Shën Agustini shkroi mbi bashkëjetesën e trazuar të shekullares dhe religjiozes në veprën e tij

”Qyteti i Zotit”. Ky studiues i madh dhe një nga doktorët e kishës apo të Krishterimit siç quhet, tha se është e vështirë dhe madje e pamundur që këto dy botë të ndërvepronin apo të bashkëjetonin me njëra-tjetrën. Kohë më vonë, në Medine, myslimanët i treguan botës se  është e mundur që vlerat morale  të bëhen kriter i gjykimit politik. Në atë kohë, në Medine për herë të parë politika nuk gjykoi mbi paradigmën e fuqisë dhe të dominimit. Për herë të parë politika u bazua mbi vlerat morale dhe u udhëhoq vetëm nga ato. Në veprën e tij madhore “Historia e Filozofisë” Hegeli pranon se uniteti mes shekullares dhe spirituales zuri fill në shoqërinë myslimane shumë  më  herët  sesa  në  atë  të  krishterë. Bota e krishterë, edhe ajo arriti të krijojë një bashkëjetesë  të  shekullares  me  spiritualen dhe arriti që vlerat morale të kenë ndikim, peshë por edhe rol në politikën e vendit. Megjithatë zgjerimi i hapësirës shekullare ka vijuar pandalur të paktën që prej dy shekujsh dhe sot jemi në një pikë ku shoqëritë moderne janë më së shumti rezultat i ristrukturimeve sistematike në përshtatje me vlera morale  që përkufizojnë jetën moderne. Këtë proces Max Weber, një prej sociologëve më të njohur të shekullit të kaluar e quan racionalizim. Weberi megjithëse e admironte këtë proces vuri re se po shfaqej gjithnjë e më shumë një prirje për ta tkurrur hapësirën e lirive individuale, që për  pasojë  shkaktonte  humbjen  progresive të lirisë.  Kjo është në një farë mënyre, sipas këtij këndvështrimi pa dyshim të thjeshtuar, korniza në të cilën shekullarizmi dhe religjiozja janë të detyruara të ndërveprojnë sot. Në këtë kornizë  zhvillon jetën e tij edhe komunikimi, në këtë kornizë gjuha, fjalët dhe imazhi përcjellin ide, pikëpamje, formësojnë opinion dhe qëndrime. Në vitin 2005 revista Time, kishte në kopertinën e saj një pikturë të Monalizës, të mbuluar me shaminë islame. Kjo ishte gjetja e editorëve për të treguar se si perceptohet gruaja në Islam. Më shumë se kaq me këtë kopertinë iu tregohej lexuesve, se si Islami e gjykon artin perëndimor dhe se si Islami mund të rrezikojë mënyrën e tyre të jetesës. Padyshim që është një këndvështrim shekullar, është një këndvështrim i shekullares, që nuk kujdeset për besimin dhe ndërgjegjen e myslimanëve. Në anën tjetër kjo kopertinë nuk ka në fokus vetëm Islamin, por edhe fetë e tjera, sepse në thelb është një provokim ndaj besimit dhe lirisë së besimit. Dy vjet më parë kur në Zvicër u miratua nëpërmjet një referendumi ndalimi i ndërtimit të minareve, Ian Buruma një profesor në Oksford shkroi se zviceranët votuan nisur nga ajo që iu ka ofruar televizioni. Ian Buruma shkroi në Nju Jork Times se në Zvicër janë gjithsej katër minare dhe se që të gjitha ato ndodhen në periferi të qyteteve dhe askush nga qytetarët e Bernës, Bazelit, Gjenevës  apo Zyrihut nuk kishte parë ndonjë minare. Gjithashtu, tha Buruma, myslimanët me mjekër as që dalin nëpër qendrat e qyteteve dhe kështu që perceptimi i vetëm i tyre ishte ai i televizionit. Arsyeja pse ata votuan kundër minareve ishte televizioni. Të njëjtën gjë ka bërë televizioni edhe me Krishterimin, ku në shumë media është në fokus gjithçka ndodh në kisha apo dioqeza dhe ku sjellja e dobët e një prifti përdoret për të etiketuar si të tillë, problematike të gjithë kishën. Karikatura me priftërinj pranë fëmijëve, apo priftërinj që joshin vajza janë botuar në shumë media.  Bill O’Reilli, një gazetar i famshëm amerikan e quan sulmin në shkallë të gjerë nëpërmjet gjuhës dhe etiketimeve të medies ndaj kishës, si një sulm që vjen nga shekullarizmi. Shekullaristët, thotë Bill O’ Reilli, kanë një problem bazik me religjionin, ata kanë frikë se mos vihet në diskutim morali i tyre personal. Siç e thamë më sipër në thelb të shekullarizmit qëndron paradigma e pushtetit dhe e forcës, dhe padyshim e efektivitetit. E moralshme është e efektshmja. Për herë të parë në historinë e mendimit njerëzor po shfaqen studiues që ia kushtojnë punën e tyre përhapjes së ateizmit. Këta të quajtur evangjelistë ateistë  si Sam Harris, Richard Dawkins  apo Cris Hitchens shkruajnë mbi Zotin, si një krijesë të mendjes së njeriut, si një të krijesë të keqe që prodhon luftëra etj.  Ata, madje, kanë dalë edhe me pankarta në rrugë ku thonë se Zoti nuk ekziston dhe janë përpjekur të organizojnë manifestime të ateistëve. Hapësira shekullare ka tentuar gjithnjë të rritet, ka tentuar ta shtyjë religjionin  në  margjina,  ta  zhvendosë  nga jeta publike. Media por edhe i tërë mendimi liberal shekullarist ka krijuar klishetë e tij, si: i krishterë i moderuar, i krishterë konservator, islam radikal, islam i moderuar etj. etj. Këto klishe dhe shekullarizmi kanë zhvilluar dhe zhvillojnë jetën e tyre edhe në Shqipëri. Tërë thelbi i tyre synon në ngushtimin e lirive fetare, në diktimin në mjaft raste prej shtetit të kufijve të besimit. Dua të ndalem në një rast të fundit që ka ndodhur në Shqipëri, rast që duket se simbolizon plotësisht përmasën e madhe të mos-respektit për fenë dhe liritë.

Shqipëria është një vend që ka shumë më tepër dobësi se vendet e tjera, sidomos ato të Perëndimit pasi ka jetuar mbi 40 vjet në një regjim të deklaruar ateist dhe si i vetmi vend ateist në botë. Në Shqipëri shekullarizmi ka rrënjë shumë të forta që i burojnë nga komunizmi.

Shembulli ynë është ai i një gjyqtari në Tiranë, që  ka vendosur të mos lejojë të hyjë në një xhami imamin e saj Lulzim Plloçi. Gjyqtari thotë se “Lulzim Plloçi nuk lejohet të hyjë në xhaminë tek Medreseja, por mund t’i kryejë ritet fetare në një prej xhamive të tjera, nga të cilat Tirana ka plot”. Ka disa kohë që në media është raportuar, se Komuniteti Mysliman ka larguar nga Xhamia e Medresesë imamin Plloçi dhe ka emëruar atje dikë tjetër. Besimtarët nuk pranojnë imamin e ri që u ka çuar Komuniteti dhe gjatë kohës së faljeve i kërkojnë ish-imamit Plloçi t’i drejtojë ai. Komuniteti Mysliman e ka kallëzuar në polici ish-imamin. Ky është thirrur në polici, madje disa herë, nga zyra e Antiterrorit, e cila i ka kërkuar që të largohet në një kohë që ish- imami nuk e ka penguar imamin e emëruar rishtas. Besimtarët nuk e pranojnë imamin e ri t’i drejtojë ai në ritet fetare. Policia pa vendim  gjykate  thërret  dikë,  një  figurë të fesë, dhe i kërkon që të largohet nga drejtimi i besimtarëve, – sipas imamit, – edhe duke e fyer gjatë bisedave apo  treguar se çfarë të veshë dhe çfarë jo. Pa u zgjatur tashmë ka ardhur edhe vendimi i gjykatës. Ajo e ndalon imamin të shkojë në xhami. Gjyqtari ka marrë atributet e parlamentit dhe ka shkruar një ligj të ri, në fakt një paragraf të ri të kushtetutës së vendit: -atë të lirisë së besimit dhe të shprehjes së tij. Gjithashtu gjyqtari, duke u shndërruar në parlament ka rrëzuar njohjen që Shqipëria i ka bërë Kartës së të Drejtave të Njeriut. Veç kësaj gjyqtari ka vendosur se cili është roli i shtetit në rregullimin e çështjeve të besimit. Ai ka përkufizuar kështu edhe se çfarë është laiciteti ose ekziston ai  apo jo. Zgjedhja e imamit në një xhami, ose zgjedhja e njeriut që do t’u prijë besimtarëve në kryerjen e riteve fetare është një çështje shumë e rëndësishme në  besimin  islam.  Imami  dhe  besimtarët gjatë riteve funksionojnë si një trup. Që prej vitit 1944 e deri në vitin në vitin 1967 shteti komunist i asaj kohe e pa fenë si armik dhe në kisha e xhami ajri i rëndë i frymës së tij largoi  imamë,  priftërinj,  meshtarë,  dhjakë e çfarëdo lloj shërbyesi tjetër, dhe emëroi të tjerë. Ishte shteti komunist kreu i doktrinës dhe kreu i institucioneve fetare. Në atë kohë shteti komunist madje edhe kërkoi ta ndante kishën katolike nga Vatikani, të themelonte një  kishë  katolike  shqiptare.  Kjo  frymë vijon dhe u shfaq në vendimin e gjyqtarit, që urdhëroi moslejimin e imamit të hyjë në xhami. Mbi imamin nuk ka asnjë akuzë për dhunë, nuk ka akuzë penale për asgjë, madje Komuniteti Mysliman e ka në dispozicion si “kuadër”, siç e quan ai me gjuhën e vet.

Gjykatat Shqiptare në tërësi ende nuk e kuptojnë, se çfarë janë liritë fetare edhe vuajnë të  menduarit  me  partishmërinë  proletare të  njeriut të ri. Liritë fetare janë liri dhe të drejta themelore dhe janë të shenjta për çdo vend laik. Demokracia liberale i mbron ato me shumë forcë dhe ato mbizotërojnë mbi shumëçka. Rreth dy vite më parë, një gjykatë në Nju Xhersi, SHBA thirri për dëshmitar një myfti gjatë një çështjeje ku diskutohej grindja mes dy bashkëshortëve myslimanë. Gjykata duke iu referuar Amendamentit të parë të Kushtetutës Amerikane për lirinë e shprehjes dhe atë të besimit, mori vendimin duke marrë parasysh se çfarë thoshte besimi islam mbi atë çështje. Gjyqtari Mark Martin i Gjykatës Supreme të Karolinës së Veriut refuzoi të dënojë Talaag Elbayomy, një i ri mysliman që kishte rrahur një ateist, Ernie Perce, teksa ky po ecte në rrugë i veshur si një zombi i profetit Muhamed. Gjyqtari tha se Talaag Elbayomy ishte i detyruar ta bënte këtë, për shkak të besimit të tij dhe se Ernie Perce nuk duhet të provokojë dhe fyejë fenë e askujt pavarësisht se është ateist. Ky nuk është një shembull për të thënë se i padituri bëri mirë që qëlloi, por për të thënë se gjykatat e quajnë aq të shenjtë lirinë fetare, sa ajo mbizotëron mbi shumëçka, përndryshe gjyqtari do ta dënonte.

Kushtetuta jonë parashikon po atë që parashikon kushtetuta e SHBA-së për liritë fetare, siç në fakt bëjnë edhe Karta e të Drejtave të Njeriut, por edhe kushtetutat e të gjitha vendeve demokratike.  Në Gjykatën e Tiranës veprohet sikur të jemi në Republikën e 11 janarit të vitit 1945. Gjyqtari nuk do t’ia dijë se çfarë është një besimtar, çfarë  është liria fetare dhe çfarë është një imam, prift apo shërbestar tjetër. Ai e mendon fenë si një gjë që e di shteti. Veç kësaj gjykata në Shqipëri vendos nëse mund të hysh ose jo në xhami apo kishë. Kjo është e tmerrshme. Tani gjykata mund të vendosë edhe nëse mund të mbash agjërim apo të ngjyrosësh vezët për pashkë. Fakti që Komuniteti Mysliman bën marrëzira dhe heq e vë imamë sipas “tablosë sinoptike” që i shfaqet apo sipas mënyrës që ai e sheh këtë, nuk është argument për gjykatën. Për gjykatën argument është kushtetuta, konventat e të drejtave të njeriut dhe ligji. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka rreth njëzet vjet që nuk e heq drejtuesin e një kishe në Elbasan, At Nikolla Markun. At Nikolla Marku mendon se kisha që ai drejton është kisha e vërtetë autoqefale dhe besimtarët e kësaj kishe ndjekin atë.   Ai dhe besimtarët nuk ndjekin atë që i thotë kisha ortodokse autoqefale shqiptare që drejtohet nga hirësia e tij Janullatos, përkundrazi i kritikon ata për të shitur, për devijim, të pafe etj. etj.  Mos duhet gjykata e Tiranës të nxjerrë një urdhër që At Nikolla Marku, një shërbestar i dashur dhe shumë i respektuar në Elbasan të largohet dhe të mos futet në kishë si imami Lulzim Plloçi?! Do ishte marrëzi, do ishte diktim i shtetit se kë duhet të kenë besmtarët për drejtues të grigjës së tyre.

Nuk ka gjyqtar në botë sot të ndalojë hyrjen e një njeriu, e jo më të një kleriku, në kishë apo xhami e sinagogë, nuk ka gjykatë sot t’i tregojë besimtarit apo kujdto se ku mund të zhvillojë ritet fetare. Ne Shqiperi kjo gje mund te ndodhe me sa duket pasi sekularizmi, sipas paradigmës së pushtetit, mund të tregoje ai se çfarë është besimi dhe liritë fetare.

*Ky shkrim është përmbledhje e një kumtese të mbajtur nga autori në seminarin e zhvilluar nga LHSH me temë “Gjetja e rrugëve të komunikimit me shoqërinë e sotme”, Tiranë qershor 2012.

Share