MARTESA DHE USHQYERJA ME GJI, METODA MË EFIKASE NË PLANIFIKIMIN FAMILJAR

Download PDF

Nga dr. Rezart Ajazi

 

Rritja e popullatës në shumë vende është temë e debateve mbi kalkulimet ekonomike dhe përbën një lloj ankthi për të ardhmen e jetesës teë brezave që vijnë. Kjo gjë hodhi idenë e planifikimit familjar, që do të thotë idenë e përcaktimit të kohës dhe numrit të lindjeve në mënyrë që numri i popullsisë të jetë sa më i përshtatshëm me mundësitë dhe kushtet e jetesës, si dhe me rritjen e të ardhurave për çdo frymë.

Prej kohësh janë bërë përpjekje nga njerëzit për planifikimin familjar, sidomos në Europë gjatë shekullit 18, duke ndjekur mënyra të ndryshme për parandalimin e shtatzanive, martesat e vonshme apo mosmartesat, abortet etj.

Nisur nga rrethanat e ndryshme, për lehtësime edhe në detyrimet bashkëshortore, shumë njerez kanë pranuar idetë e planifikimit familjar.

Përcaktimi i lindjeve në mënyrë individuale në kushtet e domosdoshme e të vështira shëndetsore dhe social-ekonomike, në të vërtetë e bën të nevojshme planifikimin familjar, që nënkupton kohën dhe numrin e përcaktuar të fëmijëve për çdo çift.

 

MARTESAT, MUNDËSI PËR PLANIFIKIMIN FAMILJAR

 

Martesa e ligjshme është instrumenti që rritja e popullatës të jetë e orientuar në rregulla, larg kaosit nga çrregullimet dhe pasojat negative të raporteve seksuale. Martesat përveçse ligjërojnë jetesën seksuale dhe vazhdimësinë e llojit njerëzor, rrisin edhe përgjegjësinë prindërore për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve.

Allahu i Madhëruar thotë: “I martoni të pamartuarit dhe te pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm. Nëse janë të varfër, Allahu do t’i begatoje ata me dhuntinë e tij. Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm”. (Nur: 32).

Rëndësia e jetës martesore është e cituar shumë herë në Kuranin Famëlartë.

Allahu i Madhëruar thotë: “Natën e agjërimit iu është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. Allahu e di, se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar Allahu dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në itikafë) në xhami, mos t’iu afroheni atyre (për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e Allahut, pra mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta, që ata të ruhen.” (Bekare: 187).

Në këtë ligjshmëri të jetës martesore duhet të orientohet dhe vijueshmëria e pasardhësve. Allahu i Madhëruar thotë: “Gratë tuaja janë vendmbjellje e juaj, afrohuni  vendmbjelljes suaj si të dëshironi, por përgatituni për veten tuaj, dhe kini frikë Allahun, e ta dini se fundi juaj është tek Ai, e besimtarëve jepu myzhde.” (Bekare:223).

Shume thënie profetike fokusohen në jetën martesore.

Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Kush pëlqen natyrën time, le të ndjekë traditën time dhe prej tradites time është martesa”. Dhe: “Martohuni me një grua të mirë e që lind, sepse unë do të shtohem e do të krenohem me ju para profeteve Ditën e Kijametit”.

 

 

 

USHQYERJA ME GJI SI METODË PËR PLANIFIKIM FAMILJAR

 

Qumështi i gjirit është burim ideal ushqimi për fëmijët e vegjël dhe jep mbrojtje imunologjike kundër infeksioneve. Ushqyerja me gji e fëmijës pas lindjes dhe lehonisë, gjatë fazës pa menstruacione është një metodë efektive natyrale kontraceptive. Ajo mund të përdoret nga gratë që kanë ushqim të plotë gjiri për fëmijët e tyre të pakteën deri në 6 muaj pas lindjes. Sa më të shpeshta ushqyerjet me gji, aq më i lartë bëhet niveli në gjak i hormonit Prolaktinë, që njëkohësisht bllokon ovulacionin në vezoret femërore (formimin e qelizës vezë e aftë për t’u fekonduar). Efikasiteti është i lartë, nuk ka kosto dhe nuk ka ndikim në jetën seksuale bashkëshortore. Metoda e këtij lloj planifikimi familjar të natyrshëm përdoret nga të gjitha gratë brenda së paku 6 muajve të parë pas lindjes, që ushqejnë fëmijën vetëm me gji pa shtesa dhe që nuk i ka filluar cikli menstrual. Të gjitha gratë pas lindjes duhet të inkurajohen për t’i ushqyer fëmijeët e tyre vetëm me qumësht gjiri së paku deri në 6 muajt e parë pas lindjes, pasi është ushqimi më i mirë për ta.

Nga rekomandimet më të fundit të OBSH dhe UNICEF, si dhe vendimeve të përbashkëta të shumë organizatave mjekësore, që kanë neë fokus mirërritjen e fëmijëve të vegjël, duhet që ushqyerja me gji të zgjasë deri në dy vjet.

Allahu i Madhëruar thotë: “Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t’iu japin gji fëmijëve të tyre, dy vjet të plota…. E nëse pas një konsultimi dhe pëlqimi (nga prindërit) shfaqin dëshirën për ndërprerjen (më herët) të gjirit, nuk është ndonjë mëkat për ta.” (Bekare, 233).

 

METODAT NATYRALE DHE MJEKËSORE TË PLANIFIKIMIT FAMILJAR.

 

Metodat mjekësore të planifikimit familjar, llogarisin efikasitetin e tyre në bazat e një indeksi (Pearl), që përcakton raportin e numrit të shtatzanive mbi 100 femra të ndjekura për një vit. Nga ana praktike ky efikasitet llogaritet edhe nga tolerancat fiziologjike dhe pranueshmëria psikologjike e metodës.

Në metodën më të natyrshme përshkruhet abstinenca periodike e raporteve seksuale në ditët më të mundshme për fekondimet e një cikliovarial (dita 12-17 e ciklit).

Preservativët mashkullorë apo diafragmat me spermicide janë metoda të njohura tashmë.

Kontraceptivët hormonalë, si me tableta (pilulat) ashtu edhe me injeksione janë më tekstualisht më të përdorshmit. Këto metoda synojnë të bllokojnë, në mënyrë të rikthyeshme formimin e qelizës-vezë në ovaret femërore, dhe njëkohësisht hollojnë shtresën e brendshme të mitrës (endometrium) duke frenuar mundësinë e rrënjëzimit (implantimit) të një shtatzanie fillestare.

Metoda hormonale mund të aplikohet edhe nëpërmjet një pajisje, që vendoset në hapësirën e mitrës dhe që zgjat efektin e saj kontraceptiv deri në 5 vjet. Aktualisht tek në kjo metodë njihet me emrin Mirena dhe ka përdorshmëri në disa raste.

Metoda tjetër me pajisje në hapësirën e mitrës (DIU) njihet me emrin spirale. Edhe kjo ka efikasitet deri në 5 vjet, por shoqërohet shpesh me efekte anësore, si dhimbje barku, çrregullime të sasisë së menseve, infeksione të shpeshta etj., dhe po hiqet dorë gjithnjë e më shumë.

Metodat kirurgjikale të kontracepsionit (parandalimit të shtatzanive) janë jo-të kthyeshme. Ato synojnë mbylljen definitive të tubave tek femrat apo lidhja e dy tubave të kalimit të lengut spermatik (vazdeferencë) tek meshkujt.

Në asnjë rrethanë aborti vullnetar nuk përbën një metode kontraceptive.

Planifikimi familjar për rritjen dhe edukimin sa më të mirë të pasardhësve, duhet të bazohet mbi jetesën e ligjshme e të rregullt martesore dhe kujdesin për ushqyerjen me gji në dy vitet e para të jetës.

Në rrethana të caktuara pas këshillimeve mjekësore, mund të percaktohet metoda mjekësore e duhur dhe efikase në ndihmë për një jetë të shëndetshme familjare.

Share