Mbi incidentin dhe lirinë e fjalës…

Download PDF

Nga hoxhë Neki Kaloshi

 

Të nderuar besimtarë e besimtare!

Motra dhe vëllezër!

Allahu i Lartësuar na porosit në Kuranin Famëlartë, “O ju që keni besuar! Mos i zini për miq të ngushtë të tjerët jashtë mesit tuaj, sepse ata nuk do të pushojnë së vepruari në dëmin tuaj dhe dëshirojnë gjithçka që ju mundon. Urrejtja kundër jush shfaqet nga goja e tyre, por është më e madhe çka fshehin në kraharor. Ne pa dyshim ua kemi sqaruar argumentet, që t’i kuptoni.”

Krijuesi i gjithësisë na tregon më pas, “Nëse ju gëzoni ndonjë të mirë, kjo i dëshpëron ata. E nëse ju godet ndonjë e keqe, gëzohen për të. Por në qoftë se bëheni të durueshëm dhe të devotshëm, intriga e tyre nuk do t’ju dëmtojë aspak. Allahu përfshin me dijen dhe pushtetin e Tij gjithçka që ata bëjnë.”

I Gjithëpushtetshmi na bën me dije në një tjetër sure: “Të fuqishme qenë vërtet kurthet që përgatitën, por kurthet e tyre ishin në dorë të Allahut, edhe sikur të ishin të tilla që të shkulin malet.”

Gjatë këtyre ditëve kemi dëgjuar për një incident në Francë, me pasojë tragjike, por lehtësisht i shmangshëm nëse maturia do të mbizotëronte karshi dëshirës për të provokuar. Incidenti i përshkallëzuar fitoi një dimension global. Një mësues i dha të drejtë vetes në emër të lirisë të vërë në lojë Profetin Muhamed, atë që çdo musliman është edukuar ta ketë shembullin më të lartë në jetë dhe ta dojë më tepër se dhe veten. Një përballje e lirisë pa kufi me shenjtërinë e pakufishme! Rrjedhoja qe tragjike; mësuesi u ekzekutua. Shteti francez solidarizohet me mësuesin dhe lirinë pa kufij, popujt muslimanë solidarizohen me Profetin e tyre dhe shenjtërinë e tij.

Unë, si imam dhe besimtar musliman, lindur dhe rritur në këtë kontinent do të theksoja, se mësuesi bëri shumë gabim që lirinë e të shprehurit e shfrytëzoi në mënyrë abuzive për të bërë objekt talljeje Profetin Muhamed, të cilin e duan dhe e respektojnë të gjithë muslimanët, për të cilët shpotitja e tij është e pakonceptueshme dhe e papranueshme. I riu musliman gaboi kur e ekzekutoi mësuesin. Ai duhej të ishte treguar më i duruar, më i përmbajtur. Duhej të kishte gjetur forma të tjera të shprehjes së shqetësimit dhe zemërimit. Shteti francez dhe strukturat e tij bënë së tepërmi gabim me “ekzekutimin pa gjyq” të të riut. E politizuan këtë çështje dhe u përpoqën ta bindin botën, muslimanët të parët, se në emër të lirisë kanë të drejtë të tallen me Profetin e tyre. Po përpiqen të bindin globin, se kanë marrë përsipër misionin për t’i emancipuar muslimanët! Përndryshe është radikal, terrorist, kush nuk mendon si ata! Të gjendur para faktit absurd se qeveritë e tyre nuk reaguan, përveç presidentit turk, pakistanez, e ndonjë shtetari tjetër, popujt muslimanë nisën ta shprehin pakënaqësinë nëpërmjet bojkotit të prodhimeve franceze. Dhe protestave, sigurisht. E natyrshme dhe e kuptueshme që të ketë patur dhe reagime emocionale të pakontrolluara, të reflektuara përgjithësisht në rrjetet sociale.

Kjo çështje duhet të shërbejë si mësim për të gjithë mendjendriturit, në Francë dhe në botën islame, për t’u ulur e diskutuar me arsye e logjikë të shëndoshë, për të gjetur pikat e përbashkëta, që të gjithë të jetojnë në paqe me veten dhe të tjerët, që askush të mos ketë të drejtë ta lëndojë tjetrin, me liri të garantuar dhe kufij të rivënë njëkohësisht, për t’u mos u përsëritur më ngjarje të tilla.

Askush nuk duhet ta ndiejë veten superior ndaj tjetrit në shkallën që ta shohë si të lejuar nëpërkëmbjen e tij. Asnjë e mirë nuk vjen prej kësaj, për askënd!

Share