Mjekësia Islame në ndihmë të trajtimeve mjekësore

Download PDF

Nga Irila Matera dhe Selma Tërniqi

 

Mjekësia tradicionale islame është përkufizuar si “art”, i cili merret me mbrojtjen e shëndetit të mirë, me kundërvënien ndaj sëmundjes dhe me kthimin e shëndetit të personit të sëmurë. Format origjinale të mjekësisë islame janë themeluar mbi bazën e përmbledhjeve të teksteve, zakoneve, mënyrave dhe hulumtimeve.

Dituria për mjekësinë u përhap nëpër Kalifatin Islam në kohën në mes rënies së Perandorisë Romake në shek. V dhe Renesansës Evropiane në shek. XV. Lulëzimi i institucioneve mjekësore islame ka filluar gjatë shek. IX dhe përputhet me kohën e artë të Kalifatit Abasit në Lindje (749-1258). Ky det i diturisë, i cili rodhi gati katërqind vjet, më vonë u ndal nga invadimi mongol në Kalifatin e Lindjes dhe pas rënies së Kalifatit të Perëndimit në Spanjë.

Mjekësia tradicionale islame është ngritur mbi themelet e diturisë më të hershme mjekësore, duke përfshirë këtu diturinë indiane, romake, greke dhe siriane. Faza fillestare e zhvillimit të mjekësisë islame ishte koncentruar në përkthimin e veprave greke, persiane dhe nestoriane në gjuhën arabe. Kjo periudhë njihet me emrin Medresetu-Shurrah el-Igrikijjin (Shkolla e Komentuesve të Veprave Greke), në të cilën dijetarët kanë përkthyer të gjitha veprat greke mbi mjekësinë dhe shkencën, duke bërë kështu të mundur ruajtjen, ndërmjet të tjerash, të shumë veprave të Galenit dhe Hipokratit dhe Evropa për herë të parë është njohur me mjekësinë greke nëpëmjet përkthimeve arabe.

Në fazën tjetër të arritjes së shpejtë të shkencës greke dhe persiane, gjenerata e re e shkencëtarëve islamë ka dalë me konceptet e veta autentike (origjinale) dhe me kontributin e vet në mjekësi, ndërsa veprat e këtyre skolastikëve, siç janë veprat e Ibn Sinës, (Avicena), Raziut (Rhazes) dhe të tjerëve, kanë dominuar në shkollat mjekësore evropiane disa shekuj me radhë.

Mjekët dhe dijetarët arabë hodhën bazat e mjekësisë praktike në Evropë. Në një kohë civilizimi islam u përhap që nga India në Lindje e deri në Oqeanin Atlantik në Perëndim. Spitalet kryesore arabe ishin qendrat e edukimit mjekësor dhe arritën të zbulojnë shumë nga konceptet dhe strukturat, të cilat ne i shohim edhe sot në spitalet moderne, siç janë pavijonet e ndara veçmas për meshkuj dhe për femra, higjiena personale dhe institucionale, historiku i shërbimeve mjekësore, barnatoret etj. Kur në Evropë medicina është njohur për të parën herë, në Bagdad në vitin 949 ka pasur 890 mjekë, shumë shkolla për medicinë, spitale dhe farmaci. Mjekët islamë dalloheshin në ligjëratat e tyre, si për çështjet klinike, ashtu edhe për çështjet e mjekësisë bazike. Dituria mjekësore ishte përmbledhur në një vepër të shkruar, kështu që testet klinike kanë mundur të arsyetohen dhe të argumentohen deri në një kufi të caktuar. Shkencëtarët islamë kanë përmirësuar dhe kanë zhvilluar më tej edhe farmakologjinë dhe kiminë. Ata kanë përshkruar shumë ilaçe, si: sana, kamfori, arrat moskate, pykëzat etj. Kanë përdorur gjithashtu aldehidet, alkoolin dhe tretës të tjerë të ngjashëm duke zhvilluar edhe më tej metodat e testimit të pastërtisë së metaleve dhe kimikateve. Këmbëngulja e tyre në kërkimin e metodave të shndërrimit të metaleve në punime artistike rezultoi me zbulimin e disa kimikateve, siç janë metalet acidike, antimoni, amoniaku dhe bashkëdyzimet e zhivës. Fjalët arabe si alkool (arab. al-kuhul), shurup (arab. shurub) dhe të tjera, janë përdorur gjerësisht dhe shumica prej tyre përdoren edhe sot.

Filozofët muslimanë kanë dhënë një kontribut të madh në mjekësi.

Ibn Sina (Avicena) në Perëndim ishte njohur si “princi i mjekëve”. Sintezat e tij rreth mjekësisë islame, Al-Kanun fi’l Tibb (Kanuni i Mjekësisë), për shumë shekuj ka qenë autoriteti final në çështjet mjekësore në  Evropë. Ibn Sina u përpoq të bënte të pamundurën për të arritur kodifikimin e mjekësisë duke i harmonizuar elementet e saj me sistemet e Galenit dhe të Aristotelit. Veprat e tij patën ndikim me shekuj në Evropë.

Këtu është me rëndësi gjithashtu të përmendim Muhammed Ibn Zekerija el-Razin (lat. Rhazes, 865- 925), vepra kryesore e të cilit, El- Xhudariv el Hazba (Lija e madhe dhe fruthi) konsiderohet vepra më e vjetër e këtij lloji. Në këtë vepër ai përshkruan themelin e diagnostikimit mes këtyre dy sëmundjeve. Raziu ka shkruar gjithashtu librin mbi sëmundjet e fëmijëve dhe ai konsiderohet si “Babai i Pediatrisë”.

Mjekësia Profetike

Mjekësia e Pejgamberit, e njohur gjithashtu si Tibbu Nebevi, është themeluar mbi bazën e Shpalljes Kuranore dhe udhëzimeve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Gjithashtu disa ligjvënës, filozofë, juristë, teologë dhe historianë islamë, ndër të tjera kanë shpjeguar gjerësisht udhëzimet e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, dhe kanë qenë mjaft të suksesshëm në integrimin e mjekësisë islame.

Profesori Chris Boyatzis, studiues në Universitetin Baknil, pas kryerjes së studimeve eksperimentale, tha se kemi zbuluar një lidhje të dukshme midis besimit fetar dhe shanseve të shërimit. Sa më shumë të shtohet besimi tek Zoti, aq më shumë rritet siguria dhe mundësia në aftësitë e personit për ta kompletuar shërimin e tij. Trupi i njeriut mund të krahasohet në një farë mënyre me një makineri, e cila ka shumë pjesë mekanike dhe elektrike, por ajo nuk mund të funksionojë pa energji. Në të njëjtën mënyrë, në përbërje të njeriut nuk ka vetëm pjesë anatomike dhe fluide, por normalisht edhe shpirt. Që trupi i njeriut të funksionojë sipas natyrës së tij të plotë, duhet që këto pjesë anatomike dhe shpirti të jenë në harmoni të plotë. Pikërisht, kujdesi për shpirtin zë vend qëndror në aktin e adhurimit të Zotit në Islam. Ky kujdes përbëhet nga disa komponentë që janë: Besimi (Imani), i cili në Islam merr një kuptim specifik dhe nuk mund të barazohet me ndikimin, që ka tek njeriu një besim i thjeshtë, ashtu siç edhe namazi nuk është thjesht një lutje, apo abdesi një larje e thjeshtë, agjërimi thjesht një uri, zekati thjesht mëshirë, haxhi thjesht pelegrinazh në një vend të shenjtë, e kështu me radhë. Të gjitha këto në vetvete përfaqësojnë institucione që përmbushin në mënyrën më të shëndetshme nevojat komplekse të njeriut. Besimi në Zot është nevoja e parë dhe më e domosdoshme për një stabilitet shpirtëror. Mungesa e besimit në Krijuesin e Plotfuqishëm është një nga shkaqet, që e çojnë njeriun në çrregullime psikologjike. Njeriu është gjithmonë i ekspozuar ndaj stresorëve të shumtë dhe përpjekjet për t’u përshtatur me to janë po aq të shumta. Njeriu që beson Allahun e Plotfuqishëm dhe është i vetëdijshëm për ekzistencën e Tij, ka një mbështetje të madhe morale, e cila do ta ndihmojë atë në situatat më të vështira të jetës. Duke iu referuar një hadithi të Muhamedit (a.s.), i cili thotë: “Përkujtimi i Allahut jep kënaqësinë e zemrës.”, është logjike të mendojmë se besimi në një Zot, siç na mëson Islami, jep një mbështetje të madhe morale dhe siguron kënaqësinë e zemrës dhe sigurinë shpirtërore. Mosbesimi përshkruhet si sëmundje, që kryesisht shkaktohet nga arroganca dhe hezitimi në pranimin e së vërtetës.

“Zemrat e tyre janë të sëmura dhe Zoti e ka rënduar sëmundjen e tyre dhe i rëndë do të jetë ndëshkimi i tyre, sepse ata gënjejnë veten e tyre.” (Bekare, 10)

Janë të shumta studimet shkencore që kanë vërtetuar epërsinë e praktikave islame në luftën kundër sëmundjeve të ndryshme. Abdesi, përvec larjes fizike të pjesëve të trupit, i kujton muslimanit larjen e mëkateve dhe pastrimin prej tyre, gjë që i krijon qetësi shpirtërore.

“Zoti i do më tepër ata që janë me shpirt e me trup të pastër.” (Bekare, 222)

Gjithashtu, këndimi i Kuranit ka efekte shëruese në trup, mendje dhe zemër.

“Ne e shpallëm Kuranin, shërim dhe mëshirë për besimtarët, ndërsa jobesimtarëve nuk iu jep gjë tjetër përvec dëshpërimit.” Studiuesit muslimanë kanë treguar, se kur muslimani lexon Kuran, mendimet, ndjenjat, frika, fajet dhe gabimet e kaluara çlirohen dhe largohen, presioni i gjakut bie, frymëmarrja normalizohet dhe stresi pakësohet. Lëvizjet fizike në namaz janë të lehta, uniforme dhe përfshijnë të gjitha muskujt dhe artikulacionet në lëvizje. Shpenzimi kalorik ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit energjitik. Për të gjitha këto arsye e për më shumë e shumë të tjera, muslimani këshillohet t’i shtojë përmendjet e Allahut dhe praktikimin e rregullt të praktikave islame.

“O ju që besuat, kërkoni ndihmë me durim e me të falur (namaz) se vërtetë Allahu është me durimtarët.” (Bekare, 153).

Share