Namazi i natës në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit

 

Namazi i natës në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit

Pyetje:

Tani që futet dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit dhe në shumicën e xhamive fillon të falet namaz nate, përveç namazit të teravive, pyetja është sa rekate duhet të falim gjithsej? Të falim tetë rekate me xhemat për teravi ose dymbëdhjetë dhe t’i plotësojmë njëzet rekatë në mesnatë apo mund të falim njëzet rekat me xhemat për teravi e të falim rekat të tjerë shtesë si namaz nate në xhami?

Përgjigje:

Kemi sqaruar edhe më parë, se numri i rekateve të namazit të teravive për Ramazan nuk është i caktuar në mënyrë fikse, dhe nuk mund të ndryshohet. Profeti (alejhissalatu uesselam) vetë ka falur 11 rekate, por duke lënë hapësirë për të shtuar sa të duash, siç është rasti i dikujt që e pyeti rreth namazit të natës dhe ai (alejhissalatu uesselam) i tha: “Namazi i natës falet me dy e nga dy rekate, por nëse dikush ka frikë se e zë koha e sabahut, atëherë le ta mbyllë namazin duke falur një rekat tek (vitr).” (Buhariu nr. 472, 993 & Muslimi nr. 749)

Për të këtë arsye edhe në kohën e selefëve, në tre brezat fatlumë, do të vëmë re se nuk kishte një numër të fiksuar të rekateve që faleshin gjatë namazit të teravive. Dikush falej me 20 rekat, dikush me 36 rekat, dikush tjetër më pak e dikush më shumë, pa shkaktuar kjo mes tyre asnjë kontradiktë. Kështu që nuk ka kurrfarë problemi, nëse shtohet numri i rekateve në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit më shumë se në njëzet ditët e para të tij, duke i ndarë ato në dy pjesë, një pjesë e fal në fillim të natës të shkurtuara – Teravite, dhe pjesën tjetër të zgjatur në fund të natës.

I Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) përkushtohej në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit më shumë se në fillimin e tij, dhe ai kur fillonin dhjetë netët e fundit e shtrëngonte rrobën, e gjallëronte natën dhe i zgjonte njerëzit e shtëpisë, në mënyrë që të kapnin natën e Kadrit.

Komisioni i pyetje & përgjigjeve pranë LHSH.

Share