Namazi me maskën mbrojtëse për shkak të viruseve

Download PDF

Pyetje: Çështja e virusit Korona është përhapur në dhjetëra vende të botës dhe shumë vende kanë marrë masa të forta për t’u ruajtur nga ky virus. Për këtë arsye a lejohet të falemi duke vendosur maskë në fytyrë, kur jemi në xhami apo në vende të tjera në publik?

Përgjigje: Mbulimi i fytyrës apo i një pjese të fytyrës pa arsye është mekruh (e papëlqyeshme) te të katër medh’hebet, përveç medh’hebit hanefi, që mekruhin e përdorin zakonisht për ndalesat haram, të cilat nuk janë ndalesa (haram) të formës së prerë. Imam el-Kasani në librin e tij (Bedai es-Sanai’) 1/216 thotë, se është mekruh të mbulohet goja në namaz me dorë ose me rrobe, sepse Profeti (alejhis-salatu ues-selam) na ka ndaluar nga kjo. Bëhet fjalë për hadithin e Ebu Hurejres, i cili thotë, se Profeti (alejhis-salatu ues-selam) e ka ndaluar të mbulohet goja në namaz. Transmetoi Ebu Davudi nr. 643.

Ndërsa dijetarët e medh’hebeve të tjera, në shpjegim të hadithit kanë sqaruar, se bëhet fjalë për mekruh të lehtë dhe jo për haram, sidoqoftë të gjithë bashkë, përfshi edhe medh’hebin hanefi janë të mendimit, se kjo gjë nuk e prish namazin. Ndërkohë në rast nevoje të gjithë dijetarët bashkë janë të mendimit, se lejohet diçka e tillë, pra nëse ka arsye nuk përbën më as mekruh. Në rastin konkret frika nga epidemitë e ndryshme është një arsye e fortë për ta zbatuar këtë gjë, pra për t’u falur me maskë apo me masa të tjera mbrojtëse në xhami apo vende të tjera publike.  Gjithsesi duke qenë se namazi është një adhurim, që kërkon përkushtim, nuk është e mirë, që të përdoren masa të tilla pa patur një sinjal apo udhëzim konkret, që tregon për kërcënimin nga virusi.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Share