Në dyert e Mëshirës- Nata e Kadrit

Download PDF

nga hoxha Migen Matraku

Falënderimi është për Allahun, Zotin e botëve.
Atë e falenderojmë e prej Tij ndihmë kërkojmë.
Salavatet e selamet njeriut më të dashur tek Ai ne ia dedikojmë.
Nuk ka dyshim, se kur bëhet fjalë për të shkruar rreth një çështje të rëndësishme apo diçkaje të madhe, pena fillon e stepet sa nga rëndësia aq edhe nga përgjegjësia. E s’ka se si të ndodhi ndryshe edhe për një penë tepër të vogël si kjo imja të mos stepet përpara një teme kaq madhështore siç është Nata e Kadrit.
Është bërë traditë qysh prej kohësh të hershme të flitet për Natën e Kadrit. Në shtëpitë tona ajo tashmë, nuk është e panjohur. Respekti që ka çdo musliman e muslimane për këtë natë dëshmohet me mbushjen e xhamive në netët kur ajo vjen, si dhe me lutjet e ibadetet që i bëhen Allahut çdo Natë Kadri.
Të dashur vëllezër besimtarë, ne jemi Ymeti i Muhamedit alejhi salatu ue selam e për ne, posaçërisht për ne Allahu xheleshanuhu ka veçuar një natë, e cila ashtu siç e ka emrin është dhe në të vërtetë KADËR-MADHËSHTI.
Katadeja Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Allahu ka vlerësuar dhe zgjedhur disa nga krijesat e Tij, ka zgjedhur nga engjëjt të dërguar (Xhebrailin) dhe nga njerëzit Pejgamberë, nga fjalët lutjet, prej vendeve xhamitë, nga muajt Ramazanin, nga ditët të Xhumanë (të Premten), kurse nga netët Natën e Kadrit. Prandaj, o muslimanë, madhëroni ato që ka madhëruar Allahu.”
Së pari, që ta madhërojmë diçka duhet ta njohim atë.
Kjo natë e madhe quhet kështu, për shkak të pozitës së veçantë dhe nderimit të saj tek Allahu “Ha, Mimë. Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota!) Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit). (Duhan:1)
Kush kryen adhurime në të, bëhet me nder dhe pozitë të veçantë.
Allahu i Madhëruar ka shpallur në të një libër me pozitë të veçantë, tek një Profet me pozitë të veçantë, për një Ymet me pozitë të veçantë. Në të Allahu cakton çfarë të dojë për vitin vijues.
Allahu në të nuk cakton vetëm se paqe dhe mirësi (Kurtubiu në Tefsirin e tij).
“Në të zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.” (Duhan:1). Kjo do të thotë, se këtë natë përcaktohet kaderi i të gjitha krijesave për vitin që vjen, siç janë: kush do të lindë dhe kush do të vdesë, kush do të fitojë e kush do të humbasë, kush do të jetë i kënaqur dhe kush i hidhëruar. Pra, gjithçka dëshiron Zoti për atë vit.
Është natë e qetësisë dhe sigurisë.
Kjo natë është më e hajrit se një mijë muaj.
Kush privohet prej bereqetit dhe mirësisë së saj, vërtetë është i privuar nga diçka tepër e madhe.
Kush falet në të me besim dhe llogari në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e mëparshme. (Buhariu, Muslimi)
Dijetari i madh Abdul Gani Nabulsi Allahu e mëshiroftë na thotë: “Kjo falje përfshin mëkatet e mëdha dhe të vogla. Mirësia e Allahut është më e madhe se kjo (se sa ta kufizosh vetëm në faljen e mëkateve të vogla.).”
Prej madhështisë së kësaj nate është edhe hapja e dyerve të qiejve për të pranuar lutjet e atyre, që i drejtohen Zotit të tyre për t’i zgjidhur hallet, për t’i larguar vështirësitë dhe për t’i sjellë gëzim.
Për vlerën e saj Allahu ka shpallur një sure-kapitull në Kuran, e kjo është sureja me të njëjtin emër: Kadër.
Allahu thotë: Bismilahi Rrahmani Rrahim “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre (në atë natë) zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.”(Kadër:1-5)

Por si ta madhërojmë ne këtë natë?
Profeti alejhi salatu ue selam e zgjonte familjen e tij netët e dhjetëditëshit të fundit për të bërë ibadet. Aishja  (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “Kur fillonin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, Pejgamberi alejhi salatu ue selam e shtrëngonte rrobën e tij, e kalonte tërë natën zgjuar (në adhurim) dhe e zgjonte familjen e tij.” (Buhariu dhe Muslimi)
Prej ibadeteve-adhurimeve është namazi: “Kushdo që falet në Natën e Kadrit, me besim dhe duke kërkuar shpërblimin, atij do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.” (Buhariu dhe Muslimi)
Prej ibadeteve është dhe duaja-lutja: Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmeton, se e ka pyetur Profetin alejhi salatu ue selam: -“O i Dërguari i Allahut! Sikur unë ta dija, se cila është Nata e Kadrit, si të lutesha në të?”- Ai i tha: -“Thuaj: “Allahume inneke afuvun tuhibul afue fe afu ani” – O Allah! Ti je Falës dhe e do Faljen, pra më fal mua!” (Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe)
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: “Puna në Natën e Kadrit, sadakaja, namazi dhe dhënia e Zekatit, janë më me vlerë se sa (të kryhen në) njëmijë muaj (të tjerë).” (Ed-Durr-rrul menthur, 6/370)
Pra në këtë natë çdo punë të hajrit që e veprojmë është e shpërblyer nga Allahu pa kufi. Ta madhërojmë këtë natë pra dhe me dhikër: përmendjen e Allahut, me sadeka-lëmoshë, me istigfar-kërkim falje nga Allahu, me teubeh-pendim, me salavate ndaj Pejgamberit tonë alejhi salatu ue selam. Të ruhemi nga mëkatet e gjymtyrëve (duarve, këmbëve, syrit, veshit etj).

Kur është nata e Kadrit?
Na përcjell imam Buhariu nga Ubade ibnu Samit, se Profeti Muhamed alejhi salatu ue selam doli t’u tregojë muslimanëve natën e Kadrit. Me të dalë ai u ndesh me dy burra muslimanë, të cilët po grindeshin me njëri-tjetrin. Profeti alejhi salatu ue selam, tha:”Dola t’iu tregoj kur është nata e Kadrit, por për shkak se filani dhe filani po grindeshin, e harrova. Ndoshta është më e hajrit për ju.”

Ndërsa Ubej ibnu Kab dhe Ibnu Abasi mendonin, se nata e Kadrit ishte natën e 27 të Ramazanit. Madje Ubej ibnu Kabi betohej, se nata e Kadrit është natën e 27 të Ramazanit, për disa shenja që i kishte vënë re, gjë e cila mandej u përhap tek masat e gjera të muslimanëve, saqë tani kjo natë festohet dhe njihet si nata e Kadrit.
Në fakt, ajo që dihet është se nuk ka asgjë të sigurt lidhur me këtë pretendim.
Mendimet lidhur me natën e Kadrit, i ka numëruar Ibnu Haxheri, i cili thotë se janë 46 mendime të ndryshme. Por mendimi më i qëlluar mbetet ai që thotë, se kjo natë është në një nga netët teke të dhjetë-ditëshit të fundit të Ramazanit, dhe se nata e Kadrit ndryshon nga një vit në tjetrin, gjë e cila kuptohet nga tërësia e haditheve.

Urtësia e fshehtësisë së saj.

Imam Raziu Allahu e mëshiroftë thotë për këtë në tefsirin e tij:
“Allahu xh.sh. e ka fshehur atë si shumë gjëra të tjera; kështu Ai e ka fshehur kënaqësinë (razinë) e Tij në respektin që i bëjmë, ka fshehur hidhërimin e Tij për mëkatet që bëjmë, ka fshehur përgjigjen në Dua-lutje, që t’i bëhen lutje sa më shumë; e ka fshehur edhe këtë natë që t’i madhërojmë të gjitha netët e Ramazanit, e sidomos, dhjetë netët e fundit të tij.
Shejh Jusuf Kardavi Allahu e ruajt thotë:
E njëjtë me fshehtësinë e natës së Kadrit, është dhe ora e pranimit të lutjes ditën e Xhuma, ashtu siç është dhe fshehtësia e emrit më të madh të Zotit, me të cilin nëse dikush e lut Zotin, i përgjigjet dhe ia pranon lutjen. Këto të treja, janë ruajtur të fshehta me qëllim që ne ta lusim dhe adhurojmë Zotin sa më shumë. Allahun e lus që të na bëjë të mundur që ta madhërojmë ashtu si i ka hije kësaj natë të madhe dhe na begatoftë me mirësitë e Tij të pa fundme. Në rrugën e jetës ecin mirë vetëm ata që dinë se ku shkojnë.

Uel-hamdulilahi Rabil Alemin.

nga hoxha Migen Matraku

Share