Nëse pezullohet falja në xhami, a mund ta falim xhumanë në shtëpi?

Download PDF

Pyetje: Me rastin e përhapjes së virusit Korona, nëse xhamitë mbyllen ose pezullohet namazi i xhumasë në to për një kohë të caktuar, a mund ta falim vetë xhumanë në shtëpi me pjesëtarët e familjes?

Përgjigje: Sipas shumicës së dijetarëve vlefshmëria e namazit të xhumasë, nuk kushtëzohet të jetë vetëm në xhami. Sipas medh’hebit Hanefi, Shafi dhe Hanbeli namazi i xhumasë mund të falet edhe në vende të tjera përveç xhamisë, kurse në medh’hebin Maliki është e ndaluar dhe nuk mund të falet vetëm se në xhami. Dijetarët kanë shpjeguar, se banorët e një vendi nuk e kanë kusht dëgjimin e ezanit për të falur xhumanë dhe nuk kushtëzohet të jetë patjetër xhami, por mund të mblidhen dhe në vende të tjera. Shih el-Havi el-Kebir 2/404 të el-Mauerdit, Tarh et-Tethrib 2/190 të Zejnuddin el-Iraki, el-Mugni të Ibn Kudames dhe el-Insaf 2/378 të Alauddin el-Mirdavit.

Ndërsa në rastin e pezullimit të faljes së namazit të xhumasë në xhami, si shkak ruajtje apo parandalimi i përhapjes së epidemive, ku njerëzit nuk mund të mblidhen të gjithë bashkë, edhe nëse do të ishte vend tjetër përveç xhamisë, sipas shumicës së dijetarëve bën që detyrimi i xhumasë të rrëzohet, sidomos në rastin e frikës së përhapjes së epidemisë dhe ndalimit të tubimeve në publik me vendim qeverie. Në këtë rast secili e fal drekën në shtëpi. Këto masa njihen edhe në traditën profetike, ku sqarohet se në atë vend ku ka rënë epidemia nuk duhet të shkohet dhe ata që janë të prekur nga epidemia, nuk duhet të dalin nga vendi i tyre. Ndërsa në rastin tonë, me përhapjen e këtij virusi të rrezikshëm çështja është më e ndërlikuar, sepse njerëzit mund të infektohen nga njëri-tjetri pa e kuptuar fare dhe pa pasur asnjë shenjë konkrete, madje zbulohet se është i prekur nga epidemia shumë ditë më vonë.

Mirëpo shumë njerëz e shikojnë të vështirë këtë pjesë dhe ndoshta e kanë të vështirë të binden, se detyrimi i xhumasë të bjerë kaq shpejt, kur ata kanë mundësi të falen dhe me xhemate të vogla në oborre, ose me vetë familjarët e tyre në shtëpi. Sidoqoftë edhe kjo pjesë nuk është aq e thjeshtë, sepse këtu luan rol edhe numri. Dijetarët nuk janë të gjithë të një mendimi për kuorumin, që duhet të mblidhet.

Sipas medh’hebit Shafi dhe Hanbeli duhet të jenë patjetër 40 burra.

Sipas medh’hebit Maliki duhet të jenë patjetër 12 burra pa imamin, pra bashkë me imamin 13.

Sipas medh’hebit Hanefi mund të jenë edhe tre burra, përveç imamit, pra bashkë me imamin katër.

Argumentet e secilit mendim janë shumë dhe nuk mund të përmblidhen në këtë përgjigje të shkurtër, mirëpo ne ju këshillojmë, që në qytetet e mëdha si Tirana dhe Durrësi, ku situata është me e ndërlikuar aq sa pritet të ndërpritet dhe qarkullimi rrugor në orare dhe ditë të caktuara, atëherë xhumaja nuk është më detyrë deri në qetësimin e situatës dhe për rrjedhojë nuk është e nevojshme të falet xhumaja edhe në ambiente më të mbyllura. Kurse në qytete të tjera ose në zona të largëta apo të thella, ku nuk ka aq shumë rrezik këto sqarime që përmendëm më lart janë pjesë diskutimi në varësi të masave, që marrin autoritetet atje për sigurinë e popullatës. Kjo vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit apo të Evropës, ku në disa qytete merren masa të rrepta e në disa të tjera jo. Allahu në Kuran thotë: “Allahu dëshiron për ju lehtësimin dhe jo vështirësimin.” Surja el-Bekare 185.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Share