Nëse vonohem për namazin në xhami: a mund t’i lej pandoflat apo këpucët ku të mundem?

Download PDF

Pyetje: Parimisht e dimë,  që  vendosja e këpucëve apo pandoflave para derës së xhamisë rrëmujë,  dhe jo në  raftet e përgatitura enkas për to është  mungesë  rregulli dhe etike, dhe jep një  pamje jo të  mirë. Po në  rastin kur vijmë  me vonesë  dhe duam të  kapim rekatin, ose sa më  shumë  prej namazit a mund të  lihen këpucët para derës pa sistemuar, sepse kemi parë plot raste ku arsyetohen me vonesën?
Përgjigje: Islami është  fe, e cila përveç adhurimeve na mëson të  jetojmë  me rregull, etikë  dhe disiplinë,  dhe në  harmoni të  plotë  me njerëzit, kafshët, pemët, natyrën në  përgjithësi, dhe me ambientin që  na rrethon në  veçanti. Për fat të  keq sot shikojmë, që  shumë muslimanë nuk i sistemojnë  siç duhet gjërat në  jetën e përditshme, duke filluar nga këpucët, pandoflat, biçikletat, mjetet motorike, e deri te makinat, të  cilat i vendosin keq, pa rregull, të  pasistemuara dhe rrëmujë  në  shumë  prej xhamive ku ata falen. E gjithë  kjo në  emër të  vonesës, nxitimit, dhe arritjes së namazit, ndërkohë që kjo vjen më shumë si shkak i mungesës së edukatës, neglizhencës apo përtacisë… Mos të përmendim çështjen e korrektësisë  në orare, e cila është  bërë  e zakonshme mungesa e korrektësisë  pothuajse në  të  gjitha drejtimet, aq sa shpesh herë  kjo gjë  sjell dëm dhe padrejtësi te njëri-tjetri, pasi me prishjen e ekuilibrave të  komunikimit dhe të  menaxhimit të  rregullt është  e pamundur të  mos iu hysh në  hak njerëzve ose punëve, që  janë  marrë  përsipër dhe kjo shfaqet natyrshëm pikërisht te mënyra e sistemimit të  këpucëve përpara xhamisë.
Për rastin konkret Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Kur të  vini në  namaz ejani duke mos nxituar, çfarë  arritët prej tij faleni dhe çka ju iku plotësojeni!”  Muslimi, Ahmedi dhe Tirmidhiu. Hadithi na tregon të  mos nxitojmë, por çdo gjë  të  vijë  natyrshëm, çka do të  thotë  se mund të  sistemosh këpucët apo sendet e tjera, të  futesh në  xhami me qetësi dhe të  falesh në  formën më  të  mirë,  pa marrë  parasysh se sa rekate arrite të  kapësh, kështu fal namazin dhe ruan etikën dhe rregullat në tërësi.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Share