Një vështrim rreth kalendarit islam

Download PDF

isaslabecalenlrgNjë vështrim rreth kalendarit islam

 Nga hoxhë Dr. Abdullah Nabolli

Koha është krijim i Allahut. Allahu i madhëruar kur krijoi diellin dhe hënën dhe caktoi lëvizjet e tyre u bë e mundshme ndarja dhe llogaritja e kohës siç thotë në kuran:

“(Allahu) është ai i cili e bëri diellin ndriçim, hënën dritë dhe i përcaktoi asaj (hënës) rrathët që të dini të numëroni vitet dhe të bëni llogaritjen e tyre.” (Suratu Junus: 5)

Dhe thotë gjithashtu: “Ne e bëmë natën dhe ditën mrekulli. E shuam (e bëmë të errët) mrekullinë e natës dhe e ndriçuam mrekullinë e ditës në mënyrë që të kërkoni prej mirësive të Zotit tuaj dhe të dini të numëroni vitet dhe të bëni llogaritjen e tyre.” (Suratu El-Isra: 12).

Llogaritja e kohës është me rëndësi të madhe se me të janë lidhur ngushtë çdo gjë e jetës së njeriut: kohet e namazit, koha e agjërimit, koha e dhënies së zeqatit, koha e haxhit, po ashtu edhe koha e punës, koha e ngrënies, koha e qetësimit, ditët e netët e begata, muajt e shenjtë,  festat etj.

Koha sipas librit të Allahut ndahet në: ditë, javë, muaj dhe vite.

 

1- Ditët.

Me krijimin e diellit u formua dita dhe u nda nga nata në mënyrë që të përhapet jeta ne tokë dhe kjo është një prej mrekullive të Allahut siç thotë Allahu në Kuran në ajetin e lartpërmendur:

Ne e bëmë natën dhe ditën mrekulli. E shuam (e bëmë të errët) mrekullinë e natës dhe e ndriçuam mrekullinë e ditës në mënyrë që të kërkoni prej mirësive të Zotit tuaj.” (Suratu El-Isra: 12).

Ne e bëmë natën petk (për tu prehur nën mbulesën e saj) dhe ditën për të siguruar jetesën.” (Surat En-Nebe: 10-11).

Pra, ditën për të punuar dhe siguruar jetesën dhe kjo me prezencën e diellit kurse natën për tu qetësuar dhe prehur dhe kjo me perëndimin e diellit dhe kalimin në errësirën e natës.

Nata me ditën të dyja së bashku përbëjnë një cikël të plotë që njihet me emrin ditë ose një cikël  24-orësh siç e quajmë ne sot.

Allahu në kuran në shumë ajete kur përmend krijimin e natës dhe të ditës përmend të parën natën: “Është Ai i cili krijoi natën, ditën, diellin dhe hënën. Që të gjitha ecin në një trajektore.” Suratu El-Enbija: 33.

Kjo do të thotë se nata i paraprin ditës në kalendarin islam p.sh.: kur mbaron dita e fundit e Ramazanit dhe hyn nata dhe njerëzit presin te nesërmen për të festuar thonë: është natë bajrami. Kjo gjë thuhet për shkak se nata i paraprinë ditës.

Nata fillon me perëndimin e diellit dhe mbaron me lindjen e agimit kurse dita fillon me lindjen e agimit dhe mbaron me perëndimin e diellit.

Allahu i madhëruar thotë ne Kuran ne lidhje me agjërimin: “Hani e pini derisa te dallohet filli i bardhe nga filli i zi pastaj plotësojeni agjërimin deri në hyrjen e natës” Suretu El-bakara: 186.

Ky ajet tregon kufijtë e ditës dhe të natës:

1- Dallimi i fillit te bardhe nga i ziu është për qëllim dallimi bardhësisë se ditës nga e zeza e natës dhe ky është agimi sipas një hadithi te transmetuar nga Adij bin Hatim dhe duke qenë se agjërimi  nuk bëhet veçse ditën atëherë  agimi është pjese e ditës. Këtë gjë e vërteton edhe një ajet tjetër ku Allahu thotë: “Fale namazin në dy skajet e ditës dhe atë që vjen gjatë natës” suretu Hud: 11. Thotë imam Taberiu: ka ixhma mes dijetarëve se namazi i skajit te parë është namazi i sabahut. Pra agimi është skaji i parë i ditës i cili shënon gjithashtu edhe hyrjen e namazit të sabahut dhe fillimin e agjërimit.

2- Hyrja e natës është për qëllim perëndimi i diellit i cili shoqërohet me fillimin e errësirës siç thotë profeti alejhi selam në një hadith tjetër: “Kur të perëndojë dielli nga këtu duke bërë  me shenje nga perëndimi dhe te fillojë nata nga këtu duke bërë me shenjë nga lindja ka çelur agjëruesi”. Pra perëndimi i diellit është skaji i dytë i ditës i cili shënon gjithashtu hyrjen e natës.

Nga këtu kuptojmë ndryshimin mes ditës ne sheriatin islam dhe ditës ne kalendarin astronomik.

Ndryshimi i parë: Ne sheriatin islam e gjithë nata i paraprin ditës dhe se bashku me ditën ne vijim përbejnë një cikël të plotë pra një ditë 24 orëshe. Kurse ne kalendarin astronomik nata e një dite 24 oreshe ndahet ne dy pjese: pjesa e pare nga perëndimi i diellit deri ne 12 te natës, pjesa e dytë nga 12 e natës deri ne lindje, ku pjesa e pare i përket ditës përpara dhe pjesa e dytë i përket ditës ne vijim.

Ndryshimi i dytë: Pjesa e agimit deri ne lindje ne kalendarin tone është pjese e ditës kurse ne kalendarin astronomik është pjese e natës.

 

Kohet e adhurimit.

Adhurimet e një ditë që kanë lidhje me kohën janë namazi dhe agjërimi, secila prej tyre ka një kohë të caktuar që nuk mund të kryhet veçse në të.

Namazet janë pesë: Sabahu, Yleja, Ikindia, Akshami dhe Jacia. Kohet e tyre janë të përcaktuara nga Allahu siç thotë ai vetë në Kuran: “Namazi është për besimtarët është detyrë në kohën e caktuar”. Suretu En-Nisa: 103.

Këto kohë të caktuara janë intervale kohore me fillim e me mbarim, ku çdo namaz gjatë kryerjes së tij nuk e merr gjithë intervalin tij kohor prandaj dhe quhet detyrë me kohë të zgjeruar dhe mund të kryhet ose në fillim, ose në mes, ose në fund të çdo intervalit përkatës.

Kjo gjë është mirësi prej Allahut të madhëruar se namazi nga mënyra e kryerjes nuk mund të kryhet pa shkëputje nga puna dhe duke qenë se njeriu në këtë botë mund të preokupohet edhe me gjëra të tjera prandaj dhe detyra e kryerjes së tij është bërë me interval kohor të gjerë.

Sabahu: nga lindja e agimit deri në lindje të diellit siç thotë profeti alehi selam: “Koha e sabahut, përderisa nuk ka lindur dielli.” E transmeton Muslimi.

Yleja (Dreka): kur dielli kalon zenitin deri kur hija e një objekti është sa gjatësia e tij siç thotë profeti alejhi selam: “Koha e drekës është kur dielli kalon zenitin deri kur hija e një burri të jetë sa gjatësia e tij.” E transmeton Muslimi.

Dielli kur lind hija e çdo objekti është nga perëndimi dhe kjo hije vjen duke u zvogëluar deri ne zenit dhe pas zenitit dielli drejtohet nga perëndimi dhe hija kalon nga lindja. Pikërisht ky moment është fillimi i drekës dhe vazhdon deri sa gjatësia e hijes së një objekti që tashmë ka kaluar nga lindja të jetë sa gjatësia e objektit.

Ikindia (Pasditja): kur hija e objektit është sa gjatësia e tij deri në perëndim të diellit.

Thotë profeti alejhi selam: “Koha e ikindisë, përderisa nuk është zverdhur dielli”. E transmeton Muslimi. Gjithashtu profeti alejhi selam ka thënë: “Kush kap një rekat nga ikindia para se të perëndojë dielli, e ka kapur namazin.” E transmeton Muslimi.

Akshami: kur perëndon dielli deri në zhdukjen e shenjave të kuqe që lë dielli pas perëndimit.

Siç është transmetuar nga profeti alejhi selam: “Koha e akshamit përderisa nuk është zhdukur El-Shefek”. E transmeton Muslimi. Thotë Ibn Omeri: “El-Shefek është e kuqja (e perëndimit).”

Jacia (Darka): nga zhdukja e shenjave të kuqe deri në mesin e natës siç thotë profeti alejhi selam: “Koha e jacisë deri në gjysmën e natës.” E transmeton Muslimi.

Mesi i natës llogaritet duke parë intervalin kohor nga perëndimi i diellit deri në hyrjen e namazit të sabahut i cili përkon me lindjen e agimit. Gjysma e këtij intervali kohor është mesi i natës dhe ndryshon sipas stinëve të vitit.

Agjërimi është një lloj tjetër adhurimi që ka lidhje me kohën dhe ka fillimin dhe mbarimin e tij, fillon kur shfaqet agimi që është dhe hyrja e namazit të sabahut dhe mbaron kur perëndon dielli që është dhe hyrja e namazit të akshamit, por në ndryshim nga namazi që është detyrë e zgjeruar ai është detyrë e ngushtuar sepse agjërimi e merr gjithë kohën e caktuar për kryerjen e tij. Agjërimi edhe pse është detyrë e ngushtuar, mirësia e Allahut nuk mungon as këtu, se nga mënyra se si kryhet nuk kërkon shkëputje nga punët e tjera të ditës dhe e bën atë të lehtë për besimtarin.

Kohët e ndaluara për adhurim gjatë ditës.

Gjatë ditës ka tre kohë ku është ndaluar të falurit namaz dhe varrimi i të vdekurve siç transmetohet nga Ukbe bin Amir se ka thënë: “Në tre kohë, na ka pas ndaluar profeti alejhi selam të falemi dhe të varrosim të vdekurit tanë: kur lind dielli derisa të ngrihet në horizont, kur të jetë dielli në zenit (mesi i ditës) derisa të anojë (nga perëndimi) dhe kur dielli është duke perënduar.” E transmeton Muslimi.

Shkaku i ndalimit në kohën e lindjes dhe të perëndimit është se dielli lind e perëndon mes brirëve të shejtanit dhe në atë kohë qafirët i bëjnë sexhde diellit ndërsa për kohën e zenitit shkaku i ndalimit është ndezja e zjarrit të xhehenemit siç transmetohet nga Amr bin Abese se e ka pyetur profetin alejhi selam për namazin dhe i ka thënë: “Fal namazin e sabahut dhe pastaj lëre faljen deri sa të lind dielli dhe të ngrihet se ai del del mes dy brirëve të shejtanit dhe në atë kohë i bëjnë sexhde atij (diellit) qafirët, pastaj falu se namazi është i prezantuar (nga melaiket) derisa të ikë hija e shtizës, pastaj lëre namazin se në atë kohë ndizet zjarri i xhehenemit, pastaj kur të dalë hija falu se namazi është i prezantuar (nga melaiket) deri sa të falësh ikindinë pastaj lëre namazin derisa të perëndojë dielli sepse perëndon mes brirëve të shejtanit dhe në atë kohë i bëjnë sexhde atij qafirët.” E transmeton Muslimi.

Pra, sipas këtyre haditheve namazi është i ndaluar para lidjes së diellit dhe para perëndimit të tij por ama është kohë e bereqetshme për përkujtimin e Allahut siç thotë Allahu në Kuran: “Përkujtoje emrin e zotit tënd në mëngjes dhe në mbrëmje” Suretu El-Insan: 25. Prandaj dhe profeti alejhi selam e përkujtonte Allahun në këto dy kohë me dhikr të posaçëm.

Gjatë natës ka një orë të bereqetshme për lutje dhe namaz dhe që është një e treta e fundit e natës siç transmetohet nga Ebu Hurejra se profeti alejhi selam ka thënë: “Zbret zoti ynë çdo natë në qiellin e dynjasë kur është një e treta e fundit e natës dhe thotë: Kush më lutet, ti përgjigjem? Kush më kërkon diçka, ti jap? Kush më kërkon falje, ta fal?” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

Kohët e punës

Dita në përgjithësi është krijuar për të punuar -siç u përmend më lart- por gjatë ditës koha më e mirë për punë është mëngjesi i hershëm se profeti alejhi selam është lutur për bereqet në këtë kohë siç transmetohet nga Sakhr El-Gamidi se profeti alejhi selam ka thënë: [“O Allah jepi bereqet ymetit tim në mëngjesin e hershëm.” Profeti alejhi selam kur niste ndonjë çetë apo ushtri (për luftë) e niste në fillim të ditës. Sakhr ishte tregtar dhe e niste tregtinë në fillim të ditës dhe u pasurua duke iu shtuar pasuria.] E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.

 

Kohët e qetësimit dhe të gjumit.

Gjatë ditës koha më e mirë për të pushuar dhe qetësuar është mesi i ditës. Thotë profeti alejhi selam: “Flini në drekë se shejtanët nuk flenë.” E transmeton Ebu Nuajm dhe e saktëson sheikh Albani.

Ndërsa nata e gjitha është bërë për qetësim -siç u tha më lart- me përjashtim të kohës para se të falet namazi i jacisë dhe koha më e mirë për të fjetur gjatë saj është menjëherë pas jacisë, siç është transmetuar nga Ebu Berze El-Eslemij se profeti alejhi selam: “E urrente gjumin para jacie dhe bisedat pas saj.” Mutefekun alejhi.

 

Kohët e ushqimit

Paraditja dhe pasditja është koha ngrënies së ushqimit bile në hadithe nuk përmenden më shumë se dy vakte ngrënie çka do të thotë se në kohën e profeti alejhi selam nuk hanin më shumë se dy herë në ditë: një herë paradite në kohën e Duhasë dhe një herë pasdite afër akshamit.

Transmetohet nga Aisha radiallahu anha se ka thënë: “Profeti alejhi selam vinte dhe na pyeste: Keni ndonjë gjë për El-Gada (vakti i paradites)? Ne, nëse i thoshim po, hante.  Nëse i thoshim jo, thoshte: unë po agjëroj.

Transmetohet nga Enesi radiallahu anhu se profeti alejhi selam ka thënë: “Nëse vjen El-Asha (ushqimi i pasdites) dhe bëhet ikameti për namaz, filloni me ushqimin.” E transmeton Muslimi.

Namazi i për mëndur në këtë hadith është namazi i akshamit

Këto dy vakte i ka përmendur së bashku Aisha radiallahu anha në një hadith tjetër ku thotë: “I shtrydhja lëng profetit alejhi selam në mëngjes dhe kur vinte pasditja e pinte për El-Asha (vakti i pasdites) dhe nëse tepronte gjë e derdhja. Pastaj i shtrydhja lëng natën dhe kur vinte mëngjesi e pinte për El-Gada (vakti i paradites). E laja enën dy herë në ditë”. E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.

2- Java.

Allahu i madhëruar pas krijimit të ditëve i grupoi ato në javë ku një javë ka shtatë ditë. Caktimi i këtij numri ka lidhje me krijimin e qiejve dhe të tokës i cili u bë në gjashtë ditë dhe ditën shtatë Allahu u lartësua mbi arsh, siç thuhet në kuran: “Zoti juaj është Allahu i cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë pastaj u lartësua mbi arsh” suratu Junus: 3.

Këto gjashtë ditë, katër prej tyre janë të krijimit të tokës dhe dy janë të krijimit të qiejve siç thotë Allahu i madhëruar: “Thuaju: ju po mohoni atë që ka krijuar tokën në dy ditë dhe po i bëni atij ortakë. Jo, ai është zoti i botëve. Ai bëri në të (tokë) male të palëkundshme nga ana sipërme e saj dhe derdhi mbi të bereqetin e tij dhe caktoi riskun e saj në katër ditë (katër ditë bashkë me dy ditët që u përmendën më lart). Shpjegim për këdo që pyet.  Pastaj iu drejtua qiellit i cili ishte tym dhe u tha atij dhe tokës: hajdeni me dëshirë ose detyrim! Ata i thanë: po vijmë me dëshirë. Ai i ndau ata në shtatë qiej në dy ditë dhe çdo qielli i dha detyrën e tij dhe e zbukuruam qiellin e dynjasë me drita dhe për ta ruajtur. Ky është krijimi i plotfuqishmit të dijshëm.” Suretu Fussilet: 9-11

Thotë sheikh el-Islam ibn Tejmije: “Koha ndahet në: ditë, javë, muaj dhe vit. Për sa i përket ditës ajo dallohet me anë të shikimit, po kështu edhe muaji edhe viti me anë të numërimit në kalendarin hënor dhe me anë të shikimit në kalendarin diellor. Ndërsa për sa i përket javës nuk mund ti vihet ndonjë kufi as me anë të shqisave dhe as logjikës por kjo është njohur nga lajmet e profetëve se Allahu e ka krijuar botën në gjashtë ditë pastaj u lartësua mbi arsh, prandaj dhe Allahu i ka bërë çdo ymeti një ditë ku të mblidhen për të adhuruar Allahun një dhe të jetë kjo gjë shkak për  regjistrimin e javës ”.

Tani lind pyetja se cila është dita e parë e javës?

Përgjigjja e kësaj pyetje ka lidhje me fillimin dhe mbarimin e krijimit. Ka dy mendime mes dijetarëve ne lidhje me këtë çështje:

Mendimi i parë: Dita e parë e krijimit është dita e diel.

Ky mendim është mendimi i shumicës së dijetarëve mes tyre Imam Taberiut dhe e ka përkrahur sheikhu Islam Ibn Tejmije dhe mbështetet në disa fjalë të selefeve si Abdullah bin Selam, Abdullah bin Abas,  Muxhahid etj. Le të përmendim mes tyre thënien e Abdullah bin Selam.

Thotë Abdullah bin Selam: “Allahu i madhëruar e filloi krijimin dhe e krijoi tokën në ditën e diel dhe të hënë”. E Transmeton Taberiu.

Mendimi i dytë: Dita e parë e krijimit është dita e shtune.

Ky mendim është i Muhamed ibn Is’hakut dijetarit të madh të historisë profetike dhe e ka përkrahur Imam Es-Suhejli dhe imam En-Neveviu siç duket në kapitujt ndarës që i ka bërë Sahih Muslimit dhe mbështetet  në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejra.

Thotë Ebu Hurejra: Më mori profeti alejhi selam për dore dhe më tha: “E ka krijuar Allahu dheun ditën e shtune, i ka krijuar në të malet ditën e diel, i ka krijuar në të pemët ditën e hënë, e ka krijuar të keqen ditën e martë, e ka krijuar dritën ditën e mërkure, i ka shpërndarë në të kafshët ditën e enjte dhe e ka krijuar Ademin pas ikindisë ditën e xhuma në fund të krijimit, në orët e fundit të ditës së xhuma mes ikindisë dhe akshamit ” E transmeton Muslimi.

Këtë hadith e kanë refuzuar dijetarët e mendimit të parë edhe pse e transmeton Muslimi për disa arsye:

1- E shpërndanë krijimin në shtatë ditë duke i përshirë të gjitha ditët e javës ndërkohë që Kurani e shpërndanë atë në gjashtë ditë.

2- Nuk përmend krijimin e qiejve.

3- Ky hadith në një prej rrugëve të tij të transmetimit nuk thuhet: nga Ebu Hurejra nga profeti alejhi selam por thuhet: nga Ebu Hurejra nga Ka’ab El-Ehbar (një ish dijetar çifut që kishte pranuar islamin) të cilin shpesh herë e pyeste Ebu Hurejra për lajme të përmendura në Teurat gjë që e bën hadithin të mos jetë i profetit alejhi selam por i Kabit –Allahu e mëshiroftë-.

4- Kundërshton kuptimin e ditëve në gjuhen arabe:

Ditët e javës në arabisht dhe kuptimi i tyre                        

E Diel                                   El-Ehad                 (e para)

E Hënë                                El-Ithnein              (e dyta)                                                              

E Martë                              Eth-Thulatha        (e treta)

E Mërkurë                          El-Erbia’a              (e katërta)

E Enjte                                El-Khamis             (e pesta)

E Xhuma (E Premte)         El-Xhumuah         (bashkimi)

E Shtune                             Es-Sebt                 (ndërprerja)

Pra siç shihet nga kuptimet e emrave nga dita e diel deri në ditën e enjte, kanë kuptime numrash dhe në rast se do të ishte dita e shtune dita e parë, nuk do të ishte dita e diel “El-Ehad” që do të thotë “E para” me këtë emër.

 

Dita e xhuma, festa e javës.

Dita më e mirë e javës është dita e xhuma. Thotë profeti alejhi selam: “Dita më e mirë që ka lindur në të dielli është dita e xhuma: në të është krijuar Ademi, në të është futur në xhenet, në të ka dal prej tij dhe nuk ka për tu bërë kiameti veçse ditën e xhuma”. E transmeton Muslimi.

Dita e xhuma është gjithashtu edhe festë siç ka ardhur në shumë hadithe:

Thotë profeti alejhi selam: “Kjo ditë (e xhuma) është festë që e ka bërë Allahu për myslimanët. Kush vjen për në xhuma le të lahet, nëse ka parfum le të hedhë prej tij dhe le të përdorë misvakun”. E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.

Transmetohet nga Ibn Abasi, Ebu Hurejra dhe Ibn Omeri se janë bashkuar në kohën e profetit alejhi selam dy festa dhe profeti alejhi selam ka thënë: “Janë bashkuar sot dy festa: festa e sotshme dhe xhumaja. Ne do ta falim xhumanë dhe kush do ta falë atë le të falet dhe kush nuk do, le të largohet”. E transmeton Ebu Daudi dhe Ibn Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.

Transmetohet se një çifut i ka thënë Umer bin El-Hattab: “O prijësi i besimtarëve, një ajet në librin tuaj dhe qe e lexoni sikur të na kishte zbritur ne çifutëve, do ta kishim marrë atë ditë festë. Umri i thotë: cili ajet? Ai i thotë: Sot e përsosa  për ju fenë tuaj dhe e plotësova mbi ju mirësinë time dhe zgjodha islamin fe per ju. Umri i thotë: E di ditën dhe vendin ku i ka zbritur profetit alejhi selam. I ka zbritur në Arafat dhe ka qenë ditë e xhuma (dhe që të dyja janë për ne festa)”. E transmeton Buhariu përveç pjesës në kllapa e cila është te Taberani.

Për këtë ditë na kanë zili edhe ymetet e tjera para nesh siç thotë profeti alejhi selam: “Ata nuk na kanë zili për ndonjë gjë më shumë sesa për xhumanë në të cilën Allahu na udhëzoi  ndërsa ata e humbën, për kiblen për të cilën na udhëzoi Allahu  ndërsa ata e humbën  dhe për fjalën Amin pas imamit”. E transmeton Imam Ahmedi.

Në ditën e xhuma është edhe një orë ku Allahu i përgjigjet duasë dhe është ora e fundit e ditës pas namazit të ikindisë siç thotë profeti alejhi selam: “Dita e xhuma është dymbëdhjetë orë. Prej tyre është një orë që kushdo që i lutet Allahut për diçka, ia jep atë. Kërkojeni atë në orën e fundit pas ikindisë” E Transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson Sheikh Albani.

 

Ditë të tjera me vlerë.

Ndër ditët e javës ka edhe dy ditë të tjera që janë me vlerë: dita e hënë dhe dita e enjte se në to shfaqen punët e njerëzve para Allahut dhe profeti alejhi selam u kushtonte rëndësi të veçantë këtyre dy ditëve duke i agjëruar.

Thotë profeti alejhi selam: “Punët shfaqen ditën e hënë dhe të enjte dhe unë dua që kur të shfaqet puna ime të jem me agjërim”. E transmeton Termidhiu dhe e saktëson Sheikh Albani.

Ditën e hënë dhe të enjte hapen edhe dyert e xhenetit siç thotë profeti alejhi selam: “Hapen dyert e xhenetit ditën e hënë dhe të enjte dhe i falen gjynahet çdo robi mysliman që nuk i bën gjë shok Allahut me përjashtim të një njeriu që i mban mëri vëllait të tij dhe u thuhet: Vonojeni (faljen e gjynaheve për) këta të dy derisa të ndreqen me njëri tjetrin”. E transmeton Muslimi.

Gjithashtu kohë e bereqetshme mendohet të jetë edhe pjesa mes namazit të drekës dhe ikindisë në ditën e mërkurë sipas një hadithi të transmetuar nga Xhabir bin Abdilah ku thotë: “Ka bërë dua profeti alejhi selam në këtë xhami, xhaminë El-Fet’h (një prej shtatë xhamive që ishin në kohën e profetit alejhi selam në Medine) ditën e hënë, ditën e martë dhe ditën e mërkurë dhe i është përgjigjur Allahu atij mes dy namazeve ditën e mërkurë. Thotë Xhabiri: sa herë që më ndodhte diçka e rëndësishme e rezervoja për atë kohë dhe i jam lutur Allahut mes namazeve ditën e mërkurë në të njëjtën orë dhe më është përgjigjur.” E transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson sheikh Albani. (Duhet të dihet se ka edhe dijetarë të tjerë që nuk e saktësojnë këtë hadith prandaj dhe thashë pak më lart mendohet të jetë kohë e bereqetshme.)

 

Ditë të ndaluara për agjërim.

Ndalohet veçimi i ditës së xhuma për agjërim siç transmetohet nga Ebu Hurejra se profeti alejhi selam ka thënë: “Të mos agjërojë njeri ditën xhuma veçse nëse agjëron një ditë para sajë ose një ditë pas sajë”. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Shkaku i ndalimit të agjërimit në këtë ditë është se dita xhuma është festë siç transmetohet nga Kajs bin Seken se disa shokë të Abdullah bin Mesudit kalojnë nga Ebu Dher El-Gifari një ditë xhumaje dhe ishin me agjërim. Ai u thotë: Ju betohem në Allahun që ta çelni se kjo është ditë feste.

Gjithashtu ditë e ndaluar për agjërim mendohet të jetë edhe dita e shtunë siç transmetohet nga Es-Sama bint Busr se profeti alejhi selam ka thënë: “Mos e agjëroni ditën e shtune veçse kur është detyrë”. E transmeton Ebu Daudi dhe Termidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.

Thashë mendohet të jetë ditë e ndaluar për agjërim se disa dijetarë e kundërshtojnë këtë mendim duke e konsideruar si gjykim të anulluar në islam siç thotë transmetuesi i tij Ebu Daudi.

3- Muajt.

Pas grupimit të ditëve në javë, Allahu i grupoi në një grupim tjetër, i grupoi ato në muaj ku çdo muaj është i barabartë me 29 ose 30 ditë dhe si shenjë për këtë bëri hënën e cila në ciklin e saj mbushje-zbrazje do 29 ose 30 ditë. Thotë Allahu i madhëruar:

Është ai i cili e bëri diellin ndriçim dhe hënën dritë dhe i përcaktoi asaj (hënës) rrathët që të dini numrin e viteve dhe llogaritjen e tyre.” (Suratu Junus: 5)

“Të pyesin ty për hënat e reja, thuaju se ato janë përcaktuese të kohës për njerëzit dhe haxhin.” Suratu El-Bakara: 189

Thotë profeti alejhi selam në një hadith të transmetuar nga ibn Umri: “Ne jemi ymet analfabet nuk lexojmë dhe as llogarisim. Muaji është: kështu, kështu dhe kështu” duke bërë me gishta një herë 29 dhe një herë 30. E transmeton Buhariu.

Në çdo muaj ka tre ditë që janë ditët e netëve të bardha: dita e trembëdhjetë, dita e katërmbëdhjetë dhe dita e pesëmbëdhjetë. Janë quajtur të bardha sepse pasojnë netët ku hëna e tyre është e plotë dhe e bardhë. Profeti alejhi selam ka njoftuar se agjërimi i këtyre tre ditëve është i barabartë me agjërimin e vitit.

Thotë profeti alejhi selam: “Agjërimi i tre ditëve në muaj është i barabartë me agjërimin e gjithë kohës. Ato janë ditët e netëve të bardha: mëngjesi i ditës së trembëdhjetë, katërmbëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë.” E transmeton Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.

Thotë Ebu Hurejra: “Më ka porositur i dashuri im (profeti alejhi selam) për tre gjëra të cilat nuk do ti lë derisa të vdes: agjërimin e tre ditëve në çdo muaj, dy rekatet e duhasë dhe të fal vitrin para se të fle.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Gjithashtu gjatë muajit ka edhe tre ditë që janë caktuar për hixhame që janë: dita e shtatëmbëdhjetë, e nëntëmbëdhjetë dhe njëzet e një siç transmetohet nga Enes radiallahu anhu: “Profeti alejhi selam bënte hixhame në dy damarët e qafës (që vijnë në dy anët e shtyllës kurrizore) dhe mes shpatullave në ditën e shtatëmbëdhjetë, nëntëmbëdhjetë dhe njëzet e një”. E transmeton Termidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.

 

4- Vitet.

Pas grupimit të ditëve në javë dhe në muaj Allahu i madhëruar i grupoi muajt në vite ku çdo vit është i barabartë me 12 muaj (cikle hënore mbushje-zbrazje). Thotë Allahu i madhëruar:

“Numri i muajve te Allahu është 12 muaj, në librin e Allahut, atë ditë që ka krijuar qiellin dhe tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë pra mos i bëni në to zullum vetës tuaj.” (Surat Et-Teube: 36).

Muajt hënorë janë: Muharrem, Safar, Rabi-ul-Euuel, Rabi-ul-Akhir, Xhumade El-Ula, Xhumade el-Ukhra, Rexhep, Shaban, Ramazan, Sheval, Dhul-Kade, Dhul-Hixhxhe.

Katër prej tyre janë të shenjtë: Tre njëri pas tjetrit Dhul-Kade, Dhul-Hixhe, dhe Muharrem dhe një është tek; ai është Rexhepi.

Thotë profeti alejhi selam: “Viti është 12 muaj, katër janë të shenjtë: tre njëri pas tjetrit Dhul-Kade, Dhul-Hixhe, Muharrem dhe Rexhepi i Mudarit (sipas llogaritjes së fisit të Mudarit) i cili është mes Xhumades dhe Shabanit.” Mutefekun Alejhi.

Në këto muaj siç u përmend më lart Allahu thotë që të mos i bëjmë zullum veteve tona.

Në këto muaj të shenjtë është e ndaluar lufta. Allahu thotë:

Të pyesin ty për muajin e shenjtë dhe luftën në të. Thuaju: lufta në të është gjynah i madh…” Suratul- Bakara: 217.

O ju që keni besuar mos e prishni shenjtërinë e shenjave të Allahut dhe as të muajit të shenjtë” Suratul-Maide: 2

Nuk ka kundërshtim mes dijetarëve se deri në çlirimin e Mekës ky ligj ka qenë në fuqi por pas çlirimit të Mekës a vazhdon të jetë në fuqi? Këtu dijetarët kanë rënë në kundërshtim dhe shkak për këtë është se çlirimi i Mekës u bë në ramazan dhe pas çlirimit të Mekës kur mushrikët filluan ti mbledhin forcat e tyre, profeti alejhi selam niset në fillim të muajit tjetër i cili është Shevali për ti luftuar dhe fiton kundra tyre në Hunejn. Mushrikët pas kësaj disfate mblidhen në El-Taif dhe profeti alejhi selam përsëri shkon atje dhe i rrethon për 40 ditë çka do të thotë se ka hyrë muaji i shenjtë Dhul-Kade duke qenë në këtë rrethim dhe për këtë shkak është thënë se ky ligj është shfuqizuar. Shumë dijetarë të tjerë janë të mendimit që ky ligj nuk është shfuqizuar por vazhdon të mbetet sepse i ndaluar është vetëm fillimi i luftës në këtë muaj ndërsa nëse e fillon luftën jashtë muajve të shenjtë dhe ajo zgjatet derisa të hyjë muaji i shenjtë atëherë kjo gjë është e lejuar dhe kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur me profetin alejhi selam, e filloi luftën në Sheval i cili nuk është muaj i shenjtë dhe më pas ajo u zgjat derisa përfshiu edhe një pjesë të muajit të shenjtë të Dhul-Kade.

Në muajt e shenjtë shumëfishohen sevapet e punëve të mira po ashtu edhe gjynahet e punëve të këqija.

Thotë ibn Abasi: Gjynahu në këta muaj është më i madh po ashtu edhe sevapi i punëve të mira është më i madh.

Thotë Katade: Padrejtësia në muajt e shenjtë është më me shumë gjynahe sesa në muajt e tjerë.

Arabët para islamit duke qenë se kishin gjëra të mbetura nga feja e pastër e Ibrahimit alejhi selam i madhëronin muajt e shenjtë për të cilët folëm pak më lart dhe nuk luftonin dhe as vrisnin mirëpo nga konfliktet e brendshme që kishin mes tyre nuk duronin dot pa luftë e sidomos në tre muajt që ishin rresht Dhul-Kade, Dhul-Hixhe dhe Muharrem. Për këtë arsye disa e vononin Muharremin duke e zëvendësuar atë me Saferin muajin tjetër pasues e disa të tjerë vononin muaj të tjerë që ti lejonin vetes së tyre luftën prandaj dhe Allahu i kritikon ata duke e quajtur këtë punë të tyre shtesë mbi mohimin, shirkun dhe idhujtarinë që gjendeshin. Thotë Allahu në Kuran: “Vonimi (i muajit të shenjtë) është shtesë në mohim.” (Suratu Et-Teube: 27). Pra është punë e keqe mbi punën e keqe të mohimit.

Ky vonim i muajve apo ndryshim bëri që të prishej llogaritja e kohës nga ajo që kishte krijuar Allahu në ditën e krijimit të saj mirëpo Allahu i madhëruar në haxhin e lamtumirës e rrotullon kohën që të jetë e njëjtë me krijimin e parë dhe thotë profeti alejhi selam: “Sot është rrotulluar koha dhe është bërë si në ditën e krijimit të qiellit dhe të tokës” Mutefekun alejhi. Pra, që nga haxhi i lamtumirës çdo muaj është në kohen e vet siç i ka krijuar Allahu.

Prej mirësisë së Allahut mbi këtë ymet është që kalendari ynë është i lidhur me hënën dhe hëna si gjë e dukshme është shumë e lehtë ta përcaktosh kohën dhe ditët nëpërmjet saj. Sikur të ishte me diellin do të ishte një vështirësi shumë e madhe sepse dielli nuk ndahet në rrathë si hëna por mban të njëjtë formë çka do të thotë se nëse nuk regjistrohet çdo ditë në vete do të humbësh rrjedhën e ditëve dhe prishet kalendari. Unë nuk kam aspak dyshim se kalendari diellor ka në të gabime në lidhje me ditët dhe muajt dhe sikur të kishim mundësi ta krahasonim këtë që është sot me atë që ka qenë para shekujve të mëparshëm do të gjesh ndryshime.

Prej punëve të mira që mund kryhen në këta muaj të shenjtë është agjërimi dhe sidomos në muajin Muharrem dhe po ashtu agjërimi është përmendur edhe për muajin Rexhep.

Transmetohet nga Ebu Hurejra se profeti alejhi selam ka thënë: “Agjërim është më i miri pas Ramazanit është muaji i Allahut Muharremi” E transmeton Muslimi.

Transmetohet nga Ibn Abasi se profeti alejhi selam agjëronte në Rexhep derisa thonim se ai nuk e çelte (agjerimin) dhe e çelte derisa thonim se nuk agjëronte. E transmeton Muslimi.

Një tjetër adhurim që kryhet në këta muaj të shenjtë është edhe një kurban në muajin e Rexhepit.

Transmetohet nga Mikhnef bin Suleim se ka thënë: Kur ishim duke qëndruar në Arafat me profetin alejhi selam, ai tha: “O ju njerëz! Për çdo familje në çdo vit duhet një Ud’hije (kurbani i Bajramit) dhe një Atira (kurbani i Rexhepit)” E transmeton Ebu Daudi, Termidhiu, Ibn Maxhe, Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.

Këtë hadith disa dijetarë -mes tyre Ebu Daudi- e kanë konsideruar të shfuqizuar se në një hadith tjetër të transmetuar nga Ebu Hurejra thuhet se profeti alejhi selam ka thënë: “Nuk ka as Fer’ë (i vogli i parë që lind një kafshë të cilin e bënin kurban kohën paraislame. Thuhet që e bënin për bereqet por edhe thuhet që e bënin për idhujt) dhe as Atira (kurbani i Rexhepit).” Mutefekun alejhi.

Disa dijetarë të tjerë mes tyre dhe imam Shafiu e kanë gjykuar si të pëlqyeshme kurbanin e Rexhepit se profeti alejhi selam në hadithin e mësipërm nuk ka dashur të tregojë se nuk ka fare kurban në Rexhep por ka dashur të tregojë se nuk është më detyrë kurbani i Rexhepit pasi që islami solli kurbanin e Bajramit.

 

Muaj të tjerë të begatë.

Muaj me vlerë të veçantë është edhe muaji i Shabanit se në atë muaj ngrihen punët për te Allahu dhe profeti alejhi selam agjëronte shumë në këtë muaj.

Transmetohet Usame bin Zeid se e ka pyetur profetin alejhi selam: O i dërguari i Allahut nuk të kam parë të agjërosh në ndonjë muaj prej muajve më shumë sesa në Shaban? Ai tha: “Ai është një muaj që njerëzit shkujdesen ndaj tij është mes Rexhepit dhe Ramazanit. Ai është muaji kur ngrihen punë për te zoti i botëve.” E transmeton Imam Ahmedi dhe Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.

Ndër muajt më me vlerë gjatë vitit përveç atyre që përmendëm është edhe muaji i Ramazanit. Vlera e këtij muaji vjen për shkak se në të ka zbritur Kurani. Thotë Allahu në Kuran: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin ka zbritur Kurani udhëzim për njerëzit, qartësues i udhës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga e kota). Ai që prezanton në këtë muaj, të agjërojë” Suretu El-Bakara: 185.

Zbritja e Kuranit e përmendur në këtë ajet është për qëllim zbritja nga Leuhil-Mahfudh për në qiellin e dynjasë dhe kjo ka ndodhur në natën e Kadrit e cila është prej netëve të Ramazanit siç thotë ibn Abasi radiallahu anhu: “Është zbritur Kurani natën e Kadrit nga qielli më i lartë në qiellin e dynjasë njëherazi pastaj është ndarë sipas viteve (d.m.th.: është ndarë zbritja e tij mbi profetin alejhi selam).” E transmeton Hakimi dhe e saktëson Imam Dhehebiu.

Zbritja e Kuranit si udhërrëfyes për mbarë njerëzimin është mirësia më e madhe që u ka bërë Allahu njerëzimit prandaj dhe u ka kërkuar agjërimin e ditëve të Ramazanit si falënderim për këtë mirësi ndërsa netët e tij ia ka kushtuar Kuranit duke e lexuar atë nëpër taravi.

 

Festat në Islam

E përmendëm më lart se xhumaja është festa e javës por në Islam ka edhe festa vjetore që janë: Festa e Fitrit (Çeljes) ose e Bajramit të madh e cila është dita e parë e muajit Sheval menjëherë pas mbarimit të muajit të Ramazanit , festa e Kurbanit ose festa e Bajrami të vogël e cila është dita e dhjetë e muajit Dhul-Hixhe dhe e pasojnë atë edhe tre ditë të tjera që quhen ditët e Teshrikut. Festë është edhe dita Arafatit (dita e nëntë e muajit Dhul-hixhe) pra, një ditë para bajramit të vogël edhe pse mënyra e festimit ndryshon nga dy festat e tjera.

Transmetohet nga Aishja radiallahu anha se Ebu Bekri shkoi tek ajo në ditën e çeljes ose ditën e kurbanit. Aty ishin profeti alejhi selam dhe dy vajza të vogla që këndonin me dajre siç kishin kënduar ensarët në luftën e Buathit dhe Ebu Bekri u tha: Fyelli i shejtanit në shtëpinë e të dërguarit të Allahut?  Profeti alejhi selam i tha: “Lëri ato o Ebu Bekr, se çdo ymet ka një festë dhe kjo ditë është festa jonë.” E transmeton Buhariu dhe Imam Ahmedi

Transmetohet nga Enes bin Malik se kur mbërriti profeti alejhi selam në Medine,  ata kishin dy ditë ku zbaviteshin dhe dëfreheshin në to, profeti alejhi selam pyet? “Çfarë janë këto dy ditë?” Ata i thonë: dëfreheshim në to në xhahilije (në kohën para islamit). Ai u thotë: “Allahu ua ka ndërruar ato me dy më të mira: Dita e çeljes dhe dita e kurbanit.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani.

Transmetohet nga Ukbe bin Amir se profeti alejhi selam ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e kurbanit dhe tre ditët e teshrikut (janë quajtur kështu se në kohet e hershme në këto ditë thanin në diell mishin e kurbanit) janë festat tona, ne pasuesit e islamit.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani.

Thamë se festimi i ditës së Arafatit ndryshon nga dy festat e tjera dhe kjo sepse profeti alejhi selam ka nxitur çdo njeri prej ymetit të tij që është jashtë haxhit të agjërojë atë ditë. Thotë profeti alejhi selam: “Agjërimi i ditës së Arafatit, shpresoj te Allahu të fshijë gjynahet e vitit të kaluar dhe vitit që vjen pas.” E transmeton Muslimi.

Ndërsa ai që është brenda haxhit (duke kryer ritet e haxhit) feston duke qëndruar në Arafat dhe duke iu lutur Allahut për falje sepse kjo është ditë ku Allahu fal shumë njerëz. Thotë profeti alejhi selam: “Nuk ka ndonjë ditë ku Allahu liron më shumë njerëz nga zjarri i xhehenemit sesa dita e Arafatit. Ai afrohet nga ata dhe krenohet para melaikeve duke thënë: Çfarë duan këta (njerëz)?!”. E transmeton Muslimi.

 

Ditë të tjera me vlerë të veçantë.

Përveç ditëve të festave ka edhe ditë të tjera me vlerë te Allahu. Këto janë: dita e Ashures, gjashtë ditë nga muaji i Shevalit dhe dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes që i paraprijnë festës së bajramit.

Vlera e ditës së Ashures ka ardhur për shkak se Allahu në të ka shpëtuar Musain alejhi selam nga Faraoni i Egjiptit siç thotë Ibn Abasi radiallahu anhu: “Kur mbërriti profeti alejhi selam në Medine i gjeti çifutët duke agjëruar ditën e Ashures dhe profeti alejhi selam u thotë: Ç’është kjo ditë? Ata i thanë: Kjo është ditë e madhe. Allahu e ka shpëtuar në këtë ditë Musain alejhi selam bashkë me popullin e tij. Musai e ka agjëruar këtë ditë si falënderim për Allahun prandaj dhe ne e agjërojmë atë. Profeti alejhi selam u thotë: Ne e meritojmë më shumë sesa ju ndjekjen e Musait. E agjëroi profeti alejhi selam atë ditë dhe i urdhëroi myslimanët ta agjërojnë atë. ” E Transmeton Buhariu  dhe Muslimi.

Thotë profeti alejhi selam: “Agjërimi i ditës së Ashurës, shpresoj te Allahu të fshijë gjynahet e vitit të kaluar.” E transmeton Muslimi.

Kurse vlera e gjashtë ditëve nga muaji Sheval vjen për shkak të Ramazanit se Shevali është muaji që e pason atë dhe agjërimi i gjashtë ditëve nga ky muaj pas plotësimit të Ramazanit është i barabartë me agjërimin e vitit . Transmetohet nga Ebu Ejub El-Ensari se profeti alejhi selam ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin dhe e pason atë me gjashtë ditë nga Shevali është si agjërimi i vitit.” E transmeton Muslimi.

Ndërsa për vlerën e dhjetë ditëve të para të para të Dhul-Hixhe thotë profeti alejhi selam: “Nuk ka ditë më me vlerë te Allahu dhe as punët e mira të jenë më të dashura te Allahu se sa në këto dhjetë ditë”. I thonë: as xhihadi në rrugën e Allahut? Ai u thotë: “As xhihadi në rrugën e Allahut përveç dikujt që del së bashku me pasurinë e tij dhe nuk kthehem më.” E transmeton Buhariu.

 

Ditë të ndaluara për agjërim gjatë vitit.

Gjatë vitit është i ndaluar agjërimi i ditës së çeljes që është bajrami i madh dhe ditës së kurban bajramit që është bajrami i vogël siç thotë Ebu Hurejra se profeti alejhi selam ka ndaluar agjërimin e dy ditëve: ditës së kurbanit dhe ditës së çeljes. E transmeton Muslimi.

Gjithashtu të ndaluara për agjërim janë edhe tre ditët pasuese të ditës së kurbanit dhe nuk përjashtohen nga ky gjykim veçse ata që janë më haxh dhe nuk kanë mundësi të therin kurban.

Thotë Nubeishe El-Hudheli se profeti alejhi selam ka thënë: “Ditët e teshrikut (ditët e tharjes së mishit të kurbaneve dhe që janë tre ditët pasuese të ditës së kurbanit) janë ditë ngrënie dhe pirje” e transmeton Muslimi.

Thotë Ibn Omeri rdiallahu anhu: Nuk është lejuar të agjërojë ditët e teshrikut veçse ai që nuk ka kurban (prej haxhilerëve). E transmeton Buhariu.

 

Netët e begata të vitit.

Gjatë vitit ka edhe netë me vlerë të veçantë: nata e mesme e muajit Shaban dhe nata e Kadrit.

Në natën e mesme të Shabanit Allahu falë gjynahet e njerëzve që nuk bëjnë shirk dhe nuk i mbajnë mëri njeri-tjetrit siç transmetohet nga Muadh bin Xhebel, Ebu Thalebe El-Khushenij, Abdullah bin Amr, Ebu Musa El-Esharij dhe Ebu Hurejra se profeti alejhi selam ka thënë: “Allahu i madhëruar u shfaqet krijesave të tij natën e gjysmës së muajit Shaban dhe i falë ata përveç mushrikut dhe atij që i mban mëri tjetrit.” E saktëson Sheikh Albani.

Kurse nata e kadrit vlera e saj vjen nga katër gjëra:

1- Zbritja e Kuranit siç thotë Allahu i madhëruar: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) natën e Kadrit” Suretu El-Kadr: 1.

2- Punët e mira në këtë natë shumëfishohen sa e bëjnë atë më të mirë se një mijë muaj siç thotë Allahu në Kuran: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” Suretu El-Kadr: 3.

3- Zbresin Melaiket dhe Xhibrili me caktimeve të vitit siç thotë Allahu në Kuran: “Në të zbresin melaiket dhe shpirti (Xhibrili) me caktimin e çdo gjëje.” Suretu El-Kadr: 4.

4- Kush e kalon atë natë me namaz i falen të gjitha gjynahet e kaluara siç thotë profeti alejhi selam: “Kush e kalon në namaz natën e Kadrit duke besuar në shpërblimin e Allahut dhe duke e llogaritur atë, i falen gjynahet e kaluara.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

Fillimi i kalendarit islamik.

Shënon imam Ibn Kethir në librin e tij “El-Bidaje ue En-Nihaje”: Vjen një burrë te Omeri radiallahu anhu dhe i paraqet një letër ku ishte regjistruar një borxh si dëshmi kundrejt një burri tjetër dhe në të shkruhej se data e shlyerjes së tij është muaji Shaban.

E pyet Omeri radiallahu anhu: Cili Shaban, Shabani i këtij viti apo Shabani i vitit kaluar, apo Shabani ardhshëm?

Atëherë Omeri radiallahu anhu mbledh sahabët për tu konsultuar me ta rreth vënies së një kalendari për regjistrimin e borxheve dhe u dhanë disa mendime prej tyre:

Dikush tha: të përdoret kalendari persian, dikush tha: të përdoret kalendari romak të cilët i referoheshin në llogaritjen e viteve Aleksandrit të Maqedonisë por Omeri radiallahu anhu nuk e pëlqeu këtë gjë.

Dikush tha: ti referohemi në llogaritje lindjes së profetit alejhi selam, dikush tha: dërgimit të tij si profet, dikush tha: hixhretit (emigrimit të profetit alejhi selam në Medine) dhe dikush tha: vdekjes së profetit alejhi selam.

Omerit radiallahu anhu i pëlqeu ti referoheshin hixhretit se me të u nda e vërteta nga e kota dhe ranë dakord me këtë mendim të gjithë sahabet. Pastaj caktojnë Muharremin si muajin e parë të vitit sepse është muaji kur kthehen haxhilerët nga haxhi dhe është muaj i shenjt.

Kjo është një përmbledhje e shkurtër e kalendarit islamik ku tregohen: ndarjet e tij, veçoritë e tij dhe zanafilla e tij.

Lus Allahun e lartësuar ta rezervojë këtë punë për atë ditë kur nuk bën dobi asgjë veç punëve të mira. Amin!

 

Share