Përsëritja e namazit në një xhami të vetme për shkak të hapësirës së pamjaftueshme

Përsëritja e namazit në një xhami të vetme për shkak të hapësirës së pamjaftueshme

 

Parashtrimi i çështjes:

Nisur nga numri i vogël i xhamive në vendet ku jetojnë pakicat muslimane, ku toka është e shtrenjtë, muslimanët janë të detyruar ndonjëherë të falin namazin me xhemat disa herë në të njëjtën xhami. Çfarë gjykimi ka për këtë?

 

Dispozita e çështjes:

Për këtë çështje ka më shumë se një mendim mes dijetarëve, këtu po përmendim dy:

Opinioni i parë: Përcillet nga Ibn Mesudi, Sufjan eth-Theuri, Abdullah ibn Mubarek, Maliku, dhe Shafiu se në këtë rast namazi duhet të falet veç e veç dhe jo me xhemat.

Argumentet e këtij opinioni:

  • Thënia e Ibn Mesudit r.a.: “Kur ne nuk e arrinim xhematin faleshim veç e veç.”
  • Frika se ky veprim çon në përçarje dhe ndikon që njerëzit të vonohen për tu falur me atë imam që u pëlqen, gjë që do të sjellë pakënaqësi, urrejtje dhe hidhërim mes tyre.

Ky opinion edhe pse ka lidhje me një tjetër rrethanë, e ndryshme nga kjo e sotmja, por disa prej dijetarëve të sotëm e kanë marrë atë si argument duke bërë analogji me të, sepse vendi i pamjaftueshëm është i njëjtë si në rastin e vonimit për një shkak të caktuar.

Opinioni i dytë: lejimi i përsëritjes së namazit me xhemat në një xhami të vetme, sepse xhemati i dytë vjen më vonë se i pari, ose sepse nuk mjafton vendi ose për shkaqe të tjera të ngjashme.

Të këtij opinioni janë shumë prej dijetarëve bashkëkohor, këtu mund të përmendim si shembull: Asamblenë e Juristëve Muslimanë në Amerikë, në fetvanë e tyre me titull: “A duhet të falen me xhemat tjetër ata që vijnë me vonesë ndërkohë që ka përfunduar namazi me xhemat në xhami?”[1]

Argumentet e këtij opinioni:

  • Fjala e Allahut të Madhëruar: “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni.”[2]
  • Fjala e Profetit (alejhi salatu ue selam): “Nëse ju urdhëroj për diçka, bëni prej saj sa të mundni.”[3]
  • Përcillet nga Ebu Seid el-Hudri r.a. se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) pa një njeri që po falej vetëm dhe i tha: “A ka njeri që i bën sevap këtij duke u falur me të?” U ngrit dikush dhe u fal me të. Në një tjetër transmetim të Tirmidhiut nga Ebu Seidi r.a. përcillet se ai tha: Dikush erdhi ndërkohë që i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ishte falur dhe ai tha: “Kush merr sevap bashkë me këtë?” Dikush u ngrit dhe u fal bashkë me të.[4]

Ky hadith tregon se lejohet përsëritja e namazit me xhemat për atë që vjen me vonesë, kështu që për shkak të vendit të pamjaftueshëm është më parësore të lejohet, duke marrë parasysh nevojat që paraqiten në të tilla raste.

 

Referencat:

  • Faqja zyrtare e Asamblesë së Juristëve Muslimanë në Amerikë.
  • Fetvatë e Komisionit të Përhershëm për Studime dhe Fetva, në Mbretërinë e Arabisë Saudite, mbledhur dhe renditur nga Ahmed ibn Abdurrezak ed-Duejsh.
  • Dispozitat e xhamive në Sheriatin Islam, tezë mastër, përgatitur nga Ibrahim ibn Salih el-Khudajri, Universiteti Islamik Imam Muhamed ibn Saud, Fakulteti i Sheriatit, dega e Fikhut, 1406 h.
  • Dispozitat e përsëritjes së adhurimeve, tezë mastër, përgatitur nga Ahmed ibn Jahja ibn Muhamed Harisi. Universiteti Islamik Imam Muhamed ibn Saud, Fakulteti i Sheriatit, Instituti i Lartë i Drejtësisë, dega e Fikhut të Krahasuar 1422 h.

 

Burimi: ENCIKLOPEDIA E THJESHTUAR E FIKHUT PËR ÇËSHTJET BASHKËKOHORE (Çështjet që prekin pakicat muslimane) fq.24-26.

 

 

[1] Shih: Fetaua el-Lexhneh ed-Daimeh lilbuhuthi ue ilfta nr. 17170, 16593, 20242, 2583.

[2] Kurani 64:16.

[3] Buhariu nr. 7288, Muslimi nr. 1337.

[4] Tirimidhi nr. 217, duke e vlerësuar si hasen. Hadithi përcillet edhe nga Hakim në Mustedrek.

Share