Pjesëmarrja e muslimanit me jomuslimanët në votime

Akademia e Fikhut Islam me qendër në Mekë
Liga e Botës Islame
 
Vendimi Nr.5
Subjekti: Pjesëmarrja e muslimanit me jomuslimanët në votime.
 
Lavdërimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin për atë pas të cilit nuk ka profet tjetër, Profetin tonë Muhamed, për familjen dhe shokët e tij.
 
Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam në sesionin e tij të nëntëmbëdhjetë, i mbledhur në selinë e Ligës së Botës Islame, në Mekën e nderuar, nga data 22 – 26 Sheual 1428, që korrespondon më 3 – 7 Nëntor 2007, mori në shqyrtim temën: “Pjesëmarrja e muslimanit me jomuslimanët në votime, në vendet joislame.”
Tema në fjalë ishte një nga çështjet e cila u shty vendimi për të, në sesionin e gjashtëmbëdhjetë që u mblodh më 21 – 26 Sheual 1422, dhe për të cilën u vendos një shqyrtim më i plotë.
 
Këshilli pasi dëgjoi studimet që u paraqitën dhe pas debateve dhe diskutimeve që u zhvilluan, vendosi si më poshtë:
 
1.     Pjesëmarrja e myslimanit me jomyslimanët në votime, në vendet joislame, është një çështje që i përket fushës së politikës sheriatike (sijasetu sherije), gjykimi për të cilën nxirret nën dritën e peshimit ndërmjet dobive dhe dëmeve, fetvaja për të ndryshon sipas kohës, vendit dhe situatës.
2.     Lejohet për atë mysliman, që gëzon të drejtën e shtetësisë në një vend jomysliman, të marrë pjesë në votimet parlamentare dhe të ngjashme me to, sepse më së shumti pjesëmarrja e tij në to ka dobi më të mëdha, si p.sh.: paraqitja e një panorame të saktë për Islamin, mbrojtja e çështjeve që kanë të bëjnë me myslimanët në këtë vend, arritja e përfitimeve fetare dhe materiale për pakicat, forcimi i rolit të myslimanëve në qendrat e influencës, si dhe bashkëpunimi me njerëzit e drejtë dhe objektiv për përmbushjen e bashkëpunimit që është ngritur mbi bazën e së vërtetës dhe drejtësisë; dhe gjitha kjo duke respektuar kriteret e mëposhtme:
 
Së pari: Muslimani që merr pjesë në votime duhet të ketë si qëllim: dhënien e kontributit personal për myslimanët, për përfitimin e dobive dhe largimin e dëmeve prej tyre.
 
Së dyti: Muslimani që merr pjesë në votime duhet të ketë mbërritur në konkluzionin se, pjesëmarrja e tij sjell efekte pozitive dhe dobi për myslimanët në këtë vend, siç është: forcimi i pozitës së tyre, mbërritja e kërkesave të tyre në duart e vendimmarrjes dhe drejtuesve të qeverisë dhe mbrojtja e interesave fetare e materiale.
 
Së treti: Pjesëmarrja në këto votime duhet të mos jetë shkak që myslimani të lërë pas dore diçka prej fesë së tij.
 
Allahu është Ai që jep ndihmën dhe suksesin. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për Profetin tonë Muhamed, familjen dhe shokët e tij. 
 
Share
Facebook