Promovohet libri “Etika dhe normat Islame” i hoxhë Mustafa Tërniqi

Download PDF

Një libër që përfshin 1010 hadithe dhe shpjegime të hollësishme dhe të nevojshme për sjelljet e muslimanit dhe që është një punim autorial në këtë fushë promovohet nga Lidhja e Hoxhallarëve e Shqipërisë. Ky libër u promovua me një grup të madh hoxhallarësh që vinin nga disa qytete të vendit Pogradeci, Kavaja, Durrësi, Berati, Tirana etj. Në fillim e mori fjalën kryetari i LHSH-së hoxhë Sokol Kondakçiu, që ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe e vlerësoi botimin e këtij libri autorial si të veçantë dhe që vjen pikërisht në kohën e duhur pas një periudhe të gjatë ku ne veç kemi përkthyer libra të ndryshëm nga autorë klasikë dhe bashkëkohorë. Po ashtu përshëndeti edhe hoxhë Ferid Piku, i cili e përshëndeti daljen e këtij libri si një kontribut të vlefshëm mbi të cilin do të na gjykojnë edhe brezat që do të vijnë pas nesh. Hoxhë Justinian Topulli në fjalën e tij foli rreth metodologjisë së ndërtimit të këtij libri të vlefshëm për besimtarin si dhe vlerësoi punën e bërë nga autori për t’i qëndruar maksimalisht metodologjisë së dijetarëve të hadithit. Ai theksoi se renditja e temave është bërë sipas regjimit ditor të besimtarit, qysh në çastin e parë të ditës e deri në çastin kur besimtari shkon të bjeri në gjumë. Më pas e mori fjalën hoxhë Mustafa Tërniqi, i cili tregoi për vështirësitë e hasura gjatë renditjes së temave dhe të kriterit kryesor që ai i kishte vënë vetes: atë të përcjelljes vetëm të haditheve të sakta. Janë 1010 hadithe të përfshira në këtë libër, i cili po sheh dritën e botimit falë edhe besimtarëve dashamirës që dëshirojnë të japin kontributin e tyre financiar në shërbim të fesë, si dhe po e ndihmojnë kështu Lidhjen e Hoxhallarëve të dali me një botim që i shërben sidomos Etikës dhe Normave Islame nga të cilat do të përfitojmë të gjithë ne.

Libri “Etika dhe Normat Islame” është një libër që përmbledh etikën, dhe normat e sjelljes të përzgjedhura në pjesën më të madhe nga hadithet profetike të sakta, dhe një pjesë e konsiderueshme nga ajetet kuranore, përfshi edhe plot transmetime nga thëniet e sahabëve apo brezave, që i pasuan ata prej tabiinëve dhe tabi-tabiinëve. Për këtë arsye libri është unik për nga lloji në gjuhën shqipe, sepse çdo rregull, normë apo sjellje në të përfitohet drejtpërdrejtë nga ajetet dhe hadithet profetike të renditura, sipas tematikave të ndryshme për të gjitha detajet në jetën e përditshme të besimtarit.

Ky libër synon të informojë muslimanët e të gjitha grupmoshave rreth bazave të etikës dhe normave islame, nëpërmjet të cilave besimtari përmirëson veten e tij, duke u pajisur me vetitë pozitive, virtytet e bukura, moralet e larta dhe sjelljet e mira, duke u ardhur në ndihmë të drejtpërdrejtë gjithashtu për ruatjen e identitetit fetar islam në kohën kur muslimanët po përjetojnë përzierje kulturash të cilat jo pak kanë ndikuar në jetën individuale dhe shoqërore të tyre.

Boton Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë

Share

Kibla, reviste social, historike, fetare e historike 17