Pronësia e hapësirës virtuale publike…

Download PDF

Nga Justinian Topulli

 

Hapësira qoftë fizike apo e ndonjë natyre tjetër është një krijim i Zotit, ku në të bashkëveprojnë krijesat e Tij. Përvoja jonë konstaton se në jetë hasemi me hapësira individuale, familjare, institucionale, shtetërore, kolektive etj., ose ndryshe hapësira private dhe publike. Nga vetë tipizimi i tyre kuptojmë se çfarë do të thotë njëra dhe tjetra. Kështu hapësira publike, nisur nga këndvështrimi tokësor, është një pronë e përbashkët e mbarë njerëzve dhe u shërben interesave të tyre. Duke qenë e tillë ajo nuk ka një pronar privat, ndaj lipset të administrohet përmes rregullave dhe ligjeve që rregullojnë marrëdhëniet e njerëzve në këtë pronë të përbashkët. Kjo edhe për faktin jetik, tepër të rëndësishëm, që është se, hapësira publike është një ekzistencë e domosdoshme pa të cilën njerëzit nuk mund të jetojnë të lirë si njerëz në një bashkësi dhe të përmbushin të gjitha interesat e tyre materiale dhe shpirtërore.
Duke pasur parasysh këtë premisë, tepër të rëndësishme, na duhet të hedhim vështrim tek një çështje që sa vjen dhe bëhet përherë edhe më problematike, sidomos me ngjarjet e fundit që po ndodhin në botë, siç ndodhi së fundi edhe në SHBA. Kjo problematikë ka lidhje pikërisht me hapësirën virtuale publike, ose ndryshe hapësira e mediave sociale, të cilat janë zgjeruar në përmasa të stërmëdha dhe të frikshme, aq sa t’ia kalojnë nga përmasa numerike çdo shteti në botë, madje edhe shumë shteteve të marra së bashku, por edhe nga sasia dhe intensiteti i komunikimit dhe impaktit që ato kanë mbi jetën e njerëzve, shoqërive dhe shteteve. Mjafton këtu të pohojmë një fakt tashmë të pakundërshtueshëm se, revolucionet shoqërore, që nga ato më të butat e deri tek ato më të përgjakshmet janë zhvendosur dhe po nisen pikërisht nga hapësira publike e rrjeteve mediatike sociale. Kështu që, duke qenë se këto hapësira të reja publike moderne po bëhen gjithmonë e më imponuese në realitetin fizik, ato nuk mundet kurrsesi të administrohen nga tekat, dëshirat dhe pasionet e individëve të caktuar, që i kanë krijuar ato, dhe që i konsiderojnë ato pronë private. Një privat -bie fjala- mund të ndërtojë një stadium dhe marrë përfitime materiale prej tij, por ai nuk mundet që në një hapësirë të tillë, që kthehet në publike, nga prezenca e njerëzve që nuk janë pronë apo skllevër të tij, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, të lejojë apo ndalojë sipas preferencave të tij, gjëra që nuk i lejon ligji për hapësirat e tjera publike (si p.sh. rrahja apo vrasja), dhe që administrohen nga ligji përmes shtetit.
Pronari privat i një media sociale nuk mund të jetë ai gjykatësi dhe përmbaruesi, i cili nën pretekstin e pronësisë së saj të vendosë se kush do të flasë dhe kush jo, se çfarë dikush mund të thotë dhe çfarë jo, por edhe në këtë rast ashtu si në rastin e një hapësire publike fizike është ligji dhe institucionet e tij ata që duhet të kenë fjalën e parë dhe të fundit në këtë drejtim.
Shumë kush, me të drejtë, madje edhe shkruesi i këtyre rreshtave, mund të ngrenë shqetësimin se rrjetet sociale në mjaft raste po bëhen tepër shqetësues për dhunën verbale, mashtrimet, lajmet e rreme që përhapin etj… Padyshim që pikërisht edhe për këto gjëra këto rrjete kanë nevojë të administrohen shumë më ndryshe, duke mos lejuar çdo lloj poshtërsie në to, por as duke kufizuar çdo shprehje të lirë të mendimit.
Dikush me të drejtë mund të pyes: A mos do të thotë kjo që edhe mediat sociale kanë nevojë për një ligj më të detajuar për to, si për ata që i shfrytëzojnë si për ata që i administrojnë? Patjetër që është pikërisht kjo, përndryshe siç po vihet re përditë e më shumë këto hapësira të stërmëdha publike, po humbasin përditë e më shumë neutralitetin e tyre dhe po diktojnë sipas preferencave të “pronarëve” të tyre çfarë është e lejuar dhe çfarë jo, gjë që i përket në fakt ligjit dhe jo atyre. Pretendimi se ato janë pronë private dhe krijuesit e tyre mund të bëjnë ç’të duan në to, nuk bën gjë tjetër vetëm se i hap rrugë privatizimit të hapësirës publike dhe për rrjedhojë edhe vetë diktaturës të tipit orwellian.
Share

KIBLA 15- NUMËR SPECIAL MBI TIRANËN