Puna si mami dhe mjeke në spitale

Download PDF

hello-kitty-nurses_2101821i

Puna si mami dhe mjeke në spitale

Pyetje:

Selamu alejkum. Jam një motër muslimane praktikante e fesë dhe e mbuluar. Kam mbaruar fakultetin e infermierisë – dega mami-  dhe kam dëshirë që këtë profesion ta ushtroj. A më lejohet mua që të punoj në spitalet shtetërore (maternitet) duke marrë parasysh që aty ka mjek dhe puna është  me turne. Pres përgjigjen tuaj, Allahu jua shpërbleftë.

– Pas kësaj pyetje komisioni e pa të arsyeshme të marrë informacion shtesë nga pyetësja rreth natyrës së punës në maternitet dhe prej saj erdhi ky informacion:

Për sa i përket natyrës së punës ajo është si vijon: orari i turneve është kështu: turni i parë: 07.00-14.00, turni i dytë: 14.00-20.00, turni i tretë: 20.00-07.00. Ndërsa stafi mjekësor është i njëjtë si në të tria turnet, pra varet se kush caktohet nga ajo që harton orarin e stafit. Mjek roje mund të caktohet burrë ose grua. Unë kam bërë praktikën atje dhe e them me plot bindje se 96-97% e stafit mjekësor në një turn janë femra (mjeke, infermiere, pastruese). Desha të shtoj edhe diçka tjetër; materniteti është i vetmi vend ku unë mund të ushtroj dhe mësoj zanatin tim. Në perspektivë shpresoj për diçka më të mirë, ndoshta ndonjë nisme private inshallah. Sigurisht që para se unë të kërkoj punë do të fal namazin e istihares. Allahu jua shpërbleftë.

 

Përgjigje:

Nëse gjendja është kështu siç përmendet në informacion mendojmë se, puna në maternitet ose spitale, si mami apo diçka e ngjashme me të, është e lejuar, për këto arsye:

Së pari, duke qenë se nevoja për punë është e madhe dhe njerëzit kanë probleme të mëdha ekonomike, ata duhet të shfrytëzojnë ato hapësira punësimi ku e kanë më të lehtë të punojnë, sidomos muslimanët. Shpresojmë që kjo t’i ndihmojë ata që në të ardhmen të ushtrojnë të tilla profesione në maternitetet e tyre private, ku respektohet etika e besimit islam.

Së dyti, kryesisht muslimanët, por edhe shoqëria ku jetojmë, përgjithësisht kanë nevojë për mami muslimane në rastet e lindjeve, sepse këto gra besimtare janë më të kujdesshme në ruajtjen e rregullave dhe etikës islame me njerëzit, më mirë se kushdo tjetër.

Gjatë punës në këto institucione mjekësore duhet të kihen parasysh këto elementë:

Së pari, ajo grua që punon në të tilla institucione duhet të mos i cenohet feja dhe nderi i saj, atje ku ajo punon. Pra të mos bëhet shkak kjo punë që ajo të privohet seriozisht nga namazi, agjërimi, shamia…etj. Ajo gjithashtu duhet të ruhet nga veçimet me meshkuj në ambiente të ndryshme, si dhe të gjejë mundësinë që të jetë në prezencë të vazhdueshme me femra të tjera.

Së dyti, një mami ose mjeke besimtare duhet që në çdo moment të përçoj me sjelljen e saj moralin dhe bamirësinë islame dhe brenda mundësive edhe mesazhin e kësaj feje. Mamia muslimane duhet të jetë shembull për shoqërinë shqiptare me sinqeritetin, profesionalizmin, moralin dhe etikën e saj, cilësi këto që duhen shfaqur tek njerëzit në ambientet spitalore dhe kudo tjetër.

Allahu e di më së miri!

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Share