Sfida e fillimit të vitit të ri shkollor 2020-2021

Download PDF
imam Neki Kaloshi
Bismil’lahi’r-rahmani’r-rahim!
Të nderuar prindër!
Po i përcillni sot për në institucionet e dijes (çerdhe, kopshte e shkolla) më të dashurit e zemrave tuaja, fëmijët!
U thoni atyre rrugës për në shkollë, tek i merrni për dore, se dhe mësuesit janë po ashtu prindërit e tyre. T’i duan, t’i respektojnë, të sillen mirë, me edukatë, me ta.
Këshillojini që prej gojës t’u dalin vetëm fjalë të mira, e assesi të mos përdorin fjalë të pista.
U thoni fëmijëve se shokët e klasës i kanë vëllezër, e shoqet i kanë motra, se duhet të sillen si vëllai me vëllanë, si motra me motrën.
U tregoni se edukata është shumë e rëndësishme, po aq sa nxënia e dijes.
Kurrë mos flisni keq për mësuesit në sytë e fëmijëve tuaj!
Të dashur nxënës!
Ju që ecni rrugës së dijes, dijeni se gjatë këtij rrugëtimi ju shoqërojnë melekët (engjëjt) e Zotit, të kënaqur me hapat që po hidhni.
Ju jeni shpresa e prindërve tuaj, motivi i përpjekjes së tyre. Fryt i mundit dhe djersës së tyre, duke mësuar për veten tuaj, duke u sjellë me edukatë dhe kulturë, lumturoni dhe nderoni prindërit, familjen, lagjen, fshatin, krahinën tuaj, nderoni Shqipërinë!
Ngrihuni në nivelin e pritshmërive që shoqëria ka për ju!
Të nderuar mësues!
Ju jeni udhërrëfyesit e fëmijëve drejt hapësirave të dijes, të dritës, në horizontet e pafundme të krijimit.
Ju nuk mund t’ju këshillojmë, ngase prej jush presim këshilla. Nga ju presin fëmijët, presin prindërit, pret shoqëria.
Meritë të padiskutueshme do të keni nëse vendi ynë përparon një ditë.
Thjesht ju lutemi t’i trajtoni ëmbël, butë, fëmijët. T’i trajtoni me kujdes fëmijët tanë, pjesën më të dashur të zemrave tona. I edukoni, u jepni dije, i motivoni që të ecin përpara!
Bëhuni shembulli më i mirë për fëmijët! Ju jeni misionarë, jo thjesht rrogëtarë! Mos ta kushtëzojë paga juaj modeste dhënien e dijes.
Nuk ka çmim për dijen!
Share