Shqiptarët nga Mesjeta në kohën e re

Download PDF

Në vazhdën e takimeve të përmuajshme me hoxhallarë nga e gjithë Shqipëria tema e radhës ishte mbi “Shqiptarët nga Mesjeta në kohën e re” e lëvruar kjo nga historiani dr. Ardian Muhaj. Prezantimin e bëri hoxhë Justinian Topulli, i cili vërejti në fjalën e tij që përpara se ta përcaktojmë identitetin shqiptar si të Lindjes apo të Perëndimit ne duhet të njohim sa më mirë historinë e Shqiptarëve, duke theksuar kështu rëndësinë që ka kjo disiplinë.

Pasi shpjegoi me hollësi se nga e kishte nisur punën për librin e tij të fundit Dr. Muhaj shpjegoi edhe etapat kohore dhe pse e ka fokusuar vëmendjen pikërisht në këto zhvillime në kapërcyellin midis kalimit nga ndikimi veneto-bizantin me hyrjen e osmanëve në trojet shqiptare. “Libri trajton dy shekuj para hyrjes së osmanëve dhe dy shekuj më pas”,- tha ai. Sipas studimeve të bëra nga dr. Muhaj prania shqiptare ndihet në të gjithë Evropën dhe Ballkanin njëkohësisht. Një zhvillim pozitiv gjatë periudhës osmane ishte edhe zhvillimi i qyteteve në fushë, sepse u garantua qetësi dhe u hoqën shumë barriera doganore. Prania osmane në Ballkan daton me hyrjen sulltan Orhan Gaziut më 1360, i cili u thirr të ndërmjetësojë në ngatërresat midis princave Bizantinë dhe Osmanët brenda një periudhe të shkurtër e morën krejt gadishullin, aq shpejt sa nuk patën kohë t’i konvertojnë. Në vitin 1431 kur hyjnë në Krujë dhe e marrin të gjithë familjet janë të krishtera dhe kjo ka vazhduar për një kohë të gjatë. Kjo gjendje pra, ka vazhduar për një kohë të gjatë në të gjithë Ballkanin, sepse Osmanët nuk kishin institucione detyruese për t’i konvertuar të krishterët.

Më pas dr. Ardian Muhaj iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga hoxhallarët e pranishëm në takim, po ashtu u shkëmbyen edhe mendime e ide të ndryshme mbi këtë periudhë dhe ndikimin e Shqiptarëve.

 

Share