Të cenosh shenjtëritë

Download PDF
hoxhe Justinian Topulli
Të tallesh me shenjtëritë e të tjerëve dhe t’i kritikosh ato janë dy gjëra të ndryshme. Edhe pse në thelb të dyja veprimet tregojnë refuzim të tyre, por në esencë kritika ruan etikën, nuk provokon dhunshëm ndjenjat e tjetrit dhe synon me anë të arsyetimit dhe argumenteve të ftohta t’i zhveshë këto shenjtëri nga tisi i tyre hyjnor.
Ndërkohë tallja, sharja, ofendimi dhe përdhosja e shenjtërive të të tjerëve, synon provokimin dhe irritimin e tyre dhe zhveshjen e shenjtërive të njerëzve në mënyrën më vulgare të mundshme; synon madje, pse jo, edhe për t’i bërë ata mish për top më pas.
Në një botë shekullare dhe demokratike, ku liria e mendimit dhe e besimit garantohen me ligj, kritika shihet si diçka normale, por tallja ndërkohë nuk është aspak e tillë. Nuk është e tillë, sepse tallja dhe ofendimi nuk janë shprehje e lirë e mendimit, sepse në thelb nuk kanë lidhje me vetë mendimin, por me shprehjen e urrejtjes së përzierë me mllefin dhe përçmimin për shenjtëritë dhe kulturën e tjetrit. Nëse shprehja e ndjenjës së përçmimit, deri në përdhosje të tjetrit, quhet liri, atëherë shtetet që pretendojnë se janë djepi i lirisë, vëllazërisë dhe barazisë, duhet të shfuqizojnë të gjitha ligjet që mbrojnë dinjitetin njerëzor nga përdhosja e të tjerëve; të lejojnë madje që të përdhosen publikisht edhe të gjitha shenjtëritë e tyre laike, duke nisur që nga parimet e Republikës e deri te flamuri i tyre. Nëse këtë nuk e bëjnë atëherë kjo tregon se ata janë të njëanshëm, diskriminues, të padrejtë dhe se e ashtuquajtura e tyre liri dhe demokraci nuk është veçse një realitet që synon të mbrojë vetëm lirinë që ruan disa shenjtëri të caktuara, në mënyrë selektive dhe diskriminuese. E thënë me terma të tjerë, kemi të bëjmë me një fe shekullare, ekstremiste, eskluziviste që përjashton dhunshëm çdo fe tjetër përveç vetes.
Ne si besimtarë muslimanë edhe pse pranojmë si shenjtëri të vërteta vetëm ato që na mëson feja jonë, jemi të urdhëruar të mos tallemi dhe ofendojmë shenjtëritë e askujt, edhe pse mund t’i kritikojmë ato dhe argumentojmë pavërtetësinë e tyre. Por në këtë botë jemi urdhëruar të bashkëekzistojmë me të tjerët, që nuk janë si ne, nuk besojnë dhe nuk mendojnë si ne. Dhe duke qenë se kjo botë ka vend për të gjithë, dhe duke qenë se gjyqin e ndërgjegjes së njerëzve e bën vetëm Krijuesi në botën tjetër, ne jemi urdhëruar nga ky Krijues, që të mos provokojmë asnjë njeri me ofendime dhe tallje, sepse pasojat e kësaj sjellje do të rëndojnë më pas edhe mbi vetë shenjtëritë dhe jetët tona.
Në fakt përdorimi i talljes dhe ofendimit si mjet përdhosje dhe ç’shenjtërimi buron nga kultura e mospranimit të tjetrit, mospranim ky që shkon deri në eliminimin fizik të tij. Evropa dhe në veçanti Franca ka mjaft se çfarë të tregojë nga historia e saj jo shumë e ndritur e kolonizimeve në Afrikë, apo masakra e natës së Shën Bartolomeut apo edhe kasaphana e jakobinëve, e atyre jakobinë që bënë revolucionin me të cilin nisi përdhosja e shenjtërive të Kishës Katolike dhe hyjnizimi i shenjtërive të Republikës.
Tallja në fakt është mjeti i parë dhe i fundit i atyre që nuk duan ta kuptojnë dhe as ta tolerojnë kulturën dhe besimin e tjetrit, dhe madje as të marrin mundimin të kufizohen vetëm tek kritika e ftohtë e tij. Tallja është mjeti i atyre që kanë dështuar të bindin nëpërmjet argumenteve, është arma e ndryshkur e moralit të dobët kundrejt atij të fortë, është shenja e një kulture të vetëkënaqur në epshet e saj, që po denigron përditë e më tepër në llumin e perversitetit moral.
Share