Trashëgimia dhe nevoja e njohjes së kësaj shkence

Download PDF

Nga hoxhë Besim Nuzi

 

Falënderimet janë për Allahun, Zotin e Gjithësisë, ndërsa salavatet dhe përshëndetjet ia dërgojmë të dashurit të zemrave tona, mësuesit dhe edukatorit pejgamberit Muhamed a.s. familjes, shokëve të tij dhe të gjithë atyre, që e pasojnë udhën e tij me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

Familja zë një vend të veçantë dhe të rëndësishëm në fenë Islame. Ajo është baza e një shoqërie. Nëse duam që një shoqëri të jetë e shëndoshë dhe e fortë, atëherë duhet të kujdesemi për të patur një familje të shëndoshë.

Feja Islame porosit që të ruhen marrëdhëniet familjare dhe farefisnore. Kjo gjë bëhet më tepër e domosdoshme në ditët tona, kur shohim se që këto marrëdhënie dobësohen e madje shpeshherë edhe këputen. Arsyet për këtë janë të shumta, siç mund të jetë mënyra e edukimit, e jetesës etj. Një prej shkaqeve që krijon probleme të shumta mes anëtarve të familjes apo të afërmve farefisnorë është mënyra e ndarjes së trashëgimisë.

Allahu, që në krijimin e njeriut ka ngulitur në zemrën e tij dashurinë për pronën dhe pasurinë. Kjo gjë e shtyn atë ta kërkojë atë, e mbase në shumë raste edhe ta mbrojë atë me të gjitha mundësitë e tij. Mungesa e imanit (besimit tek Zoti) bën që njeriut t’i shtohet lakmia për të pasur sa më shumë pasuri, pa marrë parasysh se a është i drejtë ky vendim i marrë prej tij dhe ligjërisht a është e lejuar apo jo. Ky fenomen ndikon negativisht mes familjarëve dhe të afërmve, saqë ka shkaktuar plagë të rënda në shoqërinë njerëzore.

Kjo është një prej arsyeve që Krijuesi i Gjithëditur e ka pasqyruar ndarjen e pjesëve të trashëgimisë për çdonjërin prej trashëgimtarëve në mënyrë të qartë në Kuranin Fisnik. Ndryshe nga çështjet e tjera, të cilat Zoti nuk ka dhënë detaje të hollësishme, por ka treguar në mënyrë të përgjithshme, për ndarjen e trashëgimisë janë ajetet që përcaktojnë vlerat përkatëse për secilin trashëgimtar. Kjo gjë bëhet për të mos lënë aspak hapësirë për abuzime apo për t’i bërë padrejtësi ndonjërit prej trashëgimtarëve.

Mungesa dhe vakumi ligjor, i cili ka ekzistuar në vendin tonë, duke i shtuar edhe mungesën dhe dobësinë intelektuale fetare ka bërë, që të ndihet i domosdoshëm shkrimi i librave për të pasqyruar qartazi drejtësinë e vendosur nga Krijuesi për të jetuar një jetë të qetë e të lumtur. Për më tepër nevojitet të lexohet, sepse shumë shtete në kushtetutën e tyre e lejojnë që trashëgimtarët të bëjnë zgjedhjen e legjislacionit që duan të përdorin për ndarjen e trashëgimisë. Edhe në Republikën e Shqipërisë ligji i lejon trashëgimtarët të bëjnë një zgjedhje të tillë. Pra, vetë trashëgimtarët, nëse duan të ndajnë trashëgiminë sipas legjislacionit islam, ata deklarojnë para gjykatës, e cila e pranon këtë fakt dhe ekspertët fetarë dhe juridikë vendosin ndarjen e saj.

Në shkrimin e librit[1] u jam referuar shumë librave të autorëve të ndryshëm të botës islame. Kam lexuar nga librat e të katër medh’hebeve të pranuara nga myslimanët, nga Hanefijtë, Shafijtë, Malikijtë dhe Hanbelijtë.

Gjithashtu, duke qenë se kjo temë nuk është e lehtë për lexuesin, jam munduar që në libër të sjell metodën më të lehtë dhe të kuptueshme për të. Mënyra e radhitjes së temave, çeshtjeve dhe të ndarjes së trashëgimisë është përzgjedhur e grupuar për secilin trashëgimtar, me qëllim që lexuesi ta gjejë të plotë e ta ketë më të lehtë për ta kuptuar. Në libër janë trajtuar tema të cilat rrallë herë hasen në shoqëri por problematikat e tyre janë shfaqur në shumë shtete të botës. Këto shembuj janë sjellë për të dhënë një pasqyrë të saktë për të gjithë kohërat dhe të gjithë vendet e botës.

Për ta lehtësuar kuptimin e çeshtjeve e kemi ilustruar edhe me shembuj të shumtë. Në libër janë më shumë se 180 shembuj. Shumica e këtyre shembujve janë pasqyruar me tabelat përkatëse, për të treguar sa më qartë pjesët që i takojnë secilit trashëgimtar.

Një ndër shkaqet kryesore që nxit për të mësuar dhe studiuar shkencën që merret me ndarjen e trashëgimisë është mënyra se si e ka trajtuar dhe shprehur Allahu i Madhëruar në Kuranin fisnik. Në Kuran,  ndarja e trashëgimisë është trajtuar qartazi duke e përcaktuar mënyrën e ndarjes së saj në detaje, dhe kjo tregon për rëndësinë e saj.

Pejgamberi Muhamed (a.s.) ka thënë: “Mësojeni Kuranin dhe mësojuani atë të tjerëve! Mësojeni ndarjen e trashëgimisë dhe mësojuani atë të tjerëve, sepse unë jam njeri me shpirt dhe mund të vdes, kështu që po nuk e mësuat atë, dituria rreth saj do të zhduket, derisa të arrijë puna që do të ketë mosmarrëveshje mes dy personave për ndarjen e saj (trashëgimisë) dhe ju nuk do të keni mundësi të gjeni një person që t’ua ndajë atë atyre”.[2]

Gjithashtu,  transmetohet nga Ebu Hurejra, se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Mësojeni ndarjen e trashëgimisë dhe mësojuani atë të tjerëve, sepse ajo përbën gjysmën e diturisë. Dija rreth ndarjes së trashëgimisë do të jetë e para dije që do të harrohet dhe do të zhduket nga mendjet e pasuesve të mi.[3]

Po këtë hadith e shënon Hakimi, por sipas transmetimit të tij, Pejgamberi (a.s.) i ka thënë Ebu Hurejres: “O Ebu Hurejra, mësojeni ndarjen e trashëgimisë dhe mësojuani atë të tjerëve, sepse ajo përbën gjysmën e diturisë. Dija rreth ndarjes së trashëgimisë do të jetë e para dije që do të harrohet dhe do të zhduket nga mendjet e pasuesve të mi.[4]

Ndërsa Ebu Davudi sjell këtë hadith nga Pejgamberi (a.s.): “Njohuritë kryesore të detyrueshme për t’u mësuar janë tri: së pari, mësimi dhe kuptimi i ajeteve që janë burim i ligjeve të Sheriatit; së dyti, mësimi i Sunetit (traditës profetike) të qëndrueshëm; dhe, së treti, mësimi i ndarjes së trashëgimisë në mënyrë të drejtë. Ndërsa çdo njohuri tjetër veç këtyre është e pëlqyeshme për t’u mësuar.

 

Omer Ibn Hattabi ka thënë: “Mësojeni ndarjen e trashëgimisë, sepse ajo është pjesë e fesë sonë!”.

Ndër shokët e Pejgamberit (a.s.) të cilët shquheshin në fushën e ndarjes së trashëgimisë ishin Aliu, Abdullah ibn Abasi, Zejd ibn Thabiti dhe Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), saqë dijetarët kanë thënë se: nëse për një çështje të caktuar këta të katër sahabë[5] kanë dhënë të njëjtin mendim, atëherë këtë mendim e ka pranuar i gjithë umeti dhe të gjithë dijetarët muslimanë, pa e kontestuar; e nëse ata të katër kanë dhënë mendime të ndryshme, atëherë ajo çështje është e debatueshme edhe sot në ditët tona, qoftë edhe sikur tre prej tyre të kenë qenë unik në mendimin e tyre, ndërsa i katërti një mendim tjetër. Kjo pasqyrohet edhe në thënien e Pejgamberit (a.s.): Nga pasuesit e mi, njeriu më i mëshirshëm është Ebu Bekri, më i forti (më i kapuri) në fenë e Allahut është Omer Ibn Hattabi, më i sinqerti dhe më i turpshmi është Othman Ibn Affani, çështjet e hallallit dhe të haramit i njeh më së miri Muadh Ibn Xhebeli, ai që më së shumti e lexon Librin e Allahut është Ubeji, njohësi më i mirë për shqyrtimin e çështjeve të trashëgimisë, – për llogaritjen dhe ndarjen e saj, – është Zejd Ibn Thabiti, dhe çdo umet (popull) ka një besnik, e besniku i këtij umeti është Ebu Ubejdeh Ibn Xherrah.[6].

Gjatë shpjegimit dhe komentet për kuptimin e thënies së Pejgamberit (a.s.): “Mësojeni ndarjen e trashëgimisë dhe mësojuani atë të tjerëve, sepse ajo përbën gjysmën e diturisë”, dijetarët dhe studiuesit islamë kanë shprehur mendime të ndryshme. Disa prej tyre i kanë qëndruar kuptimit sipërfaqësor, pa e komentuar atë, ndërsa disa të tjerë janë shprehur se Pejgamberi (a.s.) e ka quajtur atë “gjysmën e diturisë” për të kuptuar se për çdo njeri ekzistojnë dy gjendje: e para është jeta dhe e dyta është vdekja, kështu që ndarja e trashëgimisë i përket gjendjes së dytë, sepse ajo bëhet pas vdekjes së çdo personi, ndërkohë që të gjitha adhurimet e tjera janë detyrime për gjendjen e parë, çka nënkupton se çdonjeri duhet t’i kryejë ato gjatë jetës së tij.

Dijetarë të tjerë kanë thënë së ajo është quajtur “gjysma e diturisë”, sepse i referohet shpërblimit që vjen pas ndarjes në mënyrë të drejtë të trashëgimisë mes pjesëtarëve që ajo u takon. Kështu, ndarja në mënyrë të drejtë cilësohet si gjysma e diturisë, sepse ajo bëhet shkak për të zhdukur problemet, mosmarrëveshjet dhe grindjet që lindin mes të afërmve, mes vëllezërve dhe pjesëtarëve të saj. Në rast të kundërt, kur ajo nuk ndahet në mënyrë të drejtë, pasojat do të ishin fatale, gjë e cila do të çonte në prishje të lidhjeve familjare e farefisnore.

[1] Hoxhë Besim Nuzi është autor i librit të botuar së fundmi “Ndarja e trashëgimisë sipas Legjislacionit Islam”.

[2]  Hakimi në “El Mustedrek”,  4/333, botim i ‘darul-mearif  el-othmanijeh’.  Sunnen të El-  Tirmidhij,  6/265, marrë nga “Tuhfetul-Ahvedhij”, botim i ‘mektubetus-selefijeh’.

[3] Sunnen të Ibn Maxhe, 2/908.

[4] Hakimi në “Mustedrek”,  4/332.

[5] Sahabë quhen ata njerëz që e takuan Pejgamerin a.s. i besuan dhe e pasuan udhën e tij

[6]  Transmeton Tirmidhiu.

 

Botuar në Kibla nr. 2/2017

Share