Turpi si edukatë e shoqërimit me të diturit

Download PDF

Nga hoxhë Gentian Mara

 

 

Me Emrin e Allahut Mëshiruesit Mëshirëplotit

 

Gjithë falënderimet dhe lavdatat shkojnë për Zotin, Krijuesin e vetëm dhe të pashoq, shpikësin e gjithçkaje nga e paqena, Dërguesin e njerëzve të posaçëm me mesazhet e Tij, për t’ua përcjellë njerëzve dhe xhindëve.

Paqja, mirësitë, mëshira dhe begatitë e të Madhit Zot, qofshin mbi vulën dhe të përzgjedhurin e Profetëve, mbi të më mirën krijesë, mbi shembullin e devotshmërisë, drejtësisë dhe moralit të mirë, Muhamedin alejhis selam, familjen e tij të ndershme, shokët e tij eminent dhe besnik dhe mbi mbarë ata, të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e fundit.

Na përcjell Abdullah ibn Umeri r.a., se i Dërguari i Allahut alejhis selam ka thënë:

Në mesin e pemëve, ndodhet një pemë, të cilës nuk i bien gjethet, kjo i ngjason besimtarit. A mund të më thoni, se cila është ajo pemë?

Njerëzit filluan të mendonin rreth pemëve të shkretëtirës, ndërsa unë mendova se ajo është palma e hurmës,- thotë Abdullahu,- mirëpo më erdhi turp.- Të pranishmit i thanë:

-O i Dërguari i Allahut! Na trego se cila është ajo?- Profeti alejhis selam tha:

Ajo është palma.-

Abdullahu tha: -I tregova tim eti për atë që më erdhi ndërmend në lidhje me pyetjen, ndërsa ai më tha: -Sikur të ishe përgjigjur do ishte më e dashur për mua se të kisha këtë e atë.

E përcjell Imam Buhariu në kapitullin: Turpi në dituri, si dhe imam Muslimi me nr. 2811 në Sahihun e tij.

Përcjellësi i hadithit.

Abdullah ibn Omer ibn Hatabi r.a, një emër i njohur për masat e gjera islame. Ai lindi në Mekë rreth dhjetë vite para emigrimit të Profetit alejhi selam për ne Medine, ndërsa Islamin e pranoi në moshë shumë të vogël bashkë me babain e tij kalifin e dytë Umer ibn Hatabin. Abdullah ibn Umeri është shquar si një ndër dijetarët më në zë në mesin e sahabëve, si një ndër katër Abdullahët (Abdullah ibn Umeri, Abdullah ibn Amr ibn el As, Abdullah ibn Abasi dhe Abdullah ibn Zubejri), të cilët u lindën dhe u edukuan me Islam. Ai ishte një ndër njerëzit më të shquar në pasimin e rrugës profetike, madje na është përcjellë, se e ka pasuar Profetin alejhis selam edhe në nevoja fiziologjike. Profeti alejhis selam pati thënë për të: Burrë i mirë është Abdullahu, ah sikur ta falte dhe namazin e natës”. Dhe nga ajo ditë Abdullahu do të ishte një ndër më të rregulltit në namazin e natës. Ai shquhet si një ndër shtatë përcjellësit më të shumtë të fjalëve profetike, ku sipas Hafidh Bekij ibn Mahledit ai ka përcjellë në total bashkë me të përsëriturat plot 2630 hadithe profetike bashkë. Ndërroi jetë në qytetin e Mekës në vitin 73h.

Çfarë na mëson hadithi?!…

Ky hadith është një ndër perlat e shumta nga ato të Profetit Muhamed alejhis selam, ku në një përngjasim të shkurtër i Dërguari i Allahut, na jep një kapitull të tërë se si duhet të jetë besimtari dhe me çfarë karakterizohet ai, si për të na e vërtetuar edhe një herë tjetër fjalën e tij: “Jam veçuar ndër Profetët e tjerë me gjashtë gjëra: Më janë dhënë fjalët e përmbledhura ….[1] (fjalë të shkurtra por kuptimplota).

-Hadithi na mëson për turpin që duhet të ketë muslimani gjatë marrjes së diturisë dhe shoqërimit me të diturin, duke i dhënë të drejtën më të mëdhenjve të përgjigjen, duke dëgjuar më shumë nga ç’mund të flasë, turp ky që nuk duhet të jetë deri në atë masë sa të bëhet shkak për privimin nga dituria, dhe këtë e vëmë re nga titulli i imam Buhariut në këtë kapitull: Turpi në dituri, ku në një hadith para përmendjes së këtij ai përmend lavdërimin e Aishes për femrat medinase, të cilat nuk i ndalonte turpi nga të mësuarit e fesë.

-Hadithi na mëson se i dituri duhet të përdorë metoda të ndryshme për aktivizimin e njerëzve, si metoda e pyetjes me qëllim përfitimi dhe jo me qëllim nënçmimi, dhe nëse e vëren se nuk arritën ta kuptojnë qëllimin e veprimit t’i sqarohet.

-Përdorimi i krahasimeve të ndryshme dhe konkrete, të cilat janë të qarta në përcjelljen e mesazhit.

-Hadithi na mëson se i dituri nuk duhet ta zgjasë shumë përgjigjen e pyetjes që jep, kur e shikon se po humbet vëmendja dhe përqendrimi.

-Pema e palmës është një pemë e fortë dhe e bereqetshme, ajo i bën ballë sfidave të jetës duke qëndruar e palëkundur, po ashtu duhet të jetë dhe besimtari, i cili nxjerr në pah brumin e tij në kohë sfidash.

-Në mesin e shkretëtirës dhe thatësirës mbillet palma, ku jeta lidhet ngushtë me të, ashtu duhet të jetë dhe besimtari për shoqërinë, nga një shoqëri e shkretë e shndërron në një shoqëri plot jetë dhe harmoni.

-Pema e palmës është vazhdimisht me gjethe, ku njerëzit pushojnë nën hijen e saj dhe ndjejnë kënaqësi në shikimin e saj, ashtu duhet të jetë dhe besimtari, t’iu vijë në ndihmë të gjithëve, ndërsa buzëqeshja e tij sikur ja lehtëson hallet dhe problematikat edhe të tjerëve.

-Frytet e saj janë vazhdimisht të dobishme dhe tepër të nevojshme, po ashtu dhe besimtari fjalët dhe veprat e tij duhet të jenë tepër të dobishme.

-Trupi dhe gjethet e palmës shërbejnë për shumë funksione, ashtu dhe besimtari duhet të shërbejë në fusha të ndryshme me dinjitetin e tij fetar.

-Hadithi na mëson se jo gjithmonë mosha tregon për gjithpërfshirje të diturisë, njohuria dhe qëllimi i të vërtetës mund të ndodhet tek më i vogli në moshë, kjo për ta pajisur besimtarin me më shumë thjeshtësi në pranimin e diturisë dhe mosnënçmimin e tjetrit, si pasojë e moshës.

-Hadithi na mëson rolin që duhet të ketë prindi, mbështetja e fëmijës në nismat e mira, e veçanërisht si kjo e diturisë, si rasti i Umerit me të birin ku i thotë: “Nëse do e kishe thënë do kish qenë më e dashur për mua se sa të kisha kaq e aq, pra e gjithë dynjaja për mua bir nuk vlen, sa më vlen që të të shoh të ditur.

-Hadithi na mëson se dituria qëndron mbi gjithçka tjetër, dhe se perfeksionimi i një çështje apo të qëlluarit duhet të jetë nxitës dhe motivues për t’u përpjekur dhe mësuar dhe më shumë.

-Hadithi na mëson se të diturin duhet ta ndjekim dhe dëgjojmë me vëmendje, të mos flasim vetëm se kur të na e kërkojë, të mos debatojmë por të përfitojmë nga dituria që nuk e dimë.

-Hadithi na mëson, se kush përpiqet arrin diçka, dhe se vlera e çdo pune lidhet ngushtë me vlerën e diturisë, dhe se vlera e këtij Umeti do të jetë e pranishme për aq sa do jetë dhe vetë ekzistenca e tij, sikurse thotë Profeti alejhi selam: “Shembulli i Umetit tim është si shembulli i shiut, nuk dihet se ku ndodhet hajri i vërtetë, në fillimin e tij apo në fundin e tij”. imam Ahmedi 3/143, Tirmidhiu 2869.

E lusim Zotin të na bëjë të dobishëm kudo që të ndodhemi, të na bëjë të dobishëm për fenë tonë, vatanin tonë, shoqërinë tonë dhe të na bëjë të dobishëm kudo që ne shkelim. Amin!

 

Share