Udhëtimi i gruas vetëm me avion!

Udhëtimi i gruas vetëm me avion!

Pyetje:  Jam një musliman që jetoj në Angli dhe gruaja ime i duhet të udhëtojë për në Shqipëri  por unë nuk mundem ta shoqëroj dot sepse nuk më japin leje në punë. A lejohet në fe që gruaja ime të udhëtojë vetëm për në Shqipëri dhe të kthehet gjithashtu?

Përgjigje: Në parim, sipas sheriatit islam, femra e ka të ndaluar të udhëtojë vetëm. Profeti (alejhissalatu uesselam)  ka thënë: “Nuk i lejohet një gruaje që beson në Allahun dhe në Ditën e Ahiretit të udhëtojë një ditë e një natë largësi vetëm se duke qenë e shoqëruar me mahrem (të afërm mashkull prej familjes së saj).”Transmetuan Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejre. Kjo sepse femra, duke qenë më e dobët dhe e cenueshme, është më e ekspozuar ndaj rrezikut për jetën, nderin dhe pasurinë e saj sesa mashkulli. Andaj dhe sheriati islam përckaton që ajo të udhëtojë çdo herë me meshkuj të familjes së saj. Mirëpo në rastin konkret, nëse është diçka e nevojshme dhe bëhet fjalë për udhëtim me avion, nëse linjat ajrore janë serioze dhe të sigurta dhe ka dikush nga familjarët që e përcjell në aeroport dhe dikush që e pret kur të mbërrijë në Shqipëri atëherë mund të udhëtojë. Mirëpo theksojmë që udhëtimi të jetë me avion të linjave serioze dhe të njohura sepse ato janë më të sigurta dhe kontrollohen më me imtësi si dhe janë nën mbikqyrje të vazhdueshme nga vetë kompanitë e mëdha dhe ligjet ndërkombëtare për sigurinë e udhëtarëve.

Allahu e di më së miri.

 

Share