Udhëtimi i jetës drejt vdekjes për t’u ringjallur

DSC_7899-600x398Udhëtimi i jetës drejt vdekjes për t’u ringjallur

Nga hoxhë: Migen Matraku

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të gjithësisë dhe salavatet janë për më të mirin e pejgamberëve Muhamedin, për familjen e tij e për të gjithë shokët e tij…

Në këtë artikull nuk do të shkruaj për ndonjë temë apo çështje fetare të caktuar, poë për një udhëtim të cilin e ndërmora para disa ditësh dhe destinacioni ishte një varrezë e cila ndodhet buzë kufirit administrativ të Shqipërisë me Greqinë aty ku i thuhet Qafë-Botë në një luginë e cila u shndërrua nga luginë e shpresës në luginën e vdekjes, në Kllogjer.

Po pse ky udhëtim?!

E tani dua të flas për origjinën time e më pas të futem në temë:

Unë jam Migen (Jakub) Matraku, baba i dy djemve Jusufit e Muhamedit, i biri i Gëzimit (Zeqirit), i biri i Halidit, i biri i Zeqirit, i biri i Isait, i biri i Is’hakut nga Qyteti i Margëlliçit në Çamëri.

Nga sa më sipër duket qartë se unë jam musliman (elhamdulilah) aq sa dhe vetë nuk e di se kur dhe me origjinë çam.

Këto dy emra (musliman e çam) më kanë formuar si njeri në personalitetin tim, egon time, dinjitetin tim, karakterin tim, krenarinë time dhe gjithçka në qënjen time.

Në Kuran në shumë ajete njerëzit kritikohen se ndjekin rrugën e te parëvë të tyre, sepse ata ishin të devijuar. Por tek ne çamët kjo gjë është ndryshe nga ajo e para, sepse të parët tanë nuk ishin të tillë. Por çfarë ishin? Unë nuk di të them se si ishin apo çfarë ishin, por di të them se në një moment në jetën e tyre ata e ndanë veten e tyre nga gjithçka kishin me një gjest të pa kuptuar nga shumica e njerëzve të cilët nuk e njohin fenë dhe burrëror për të gjithë ne si muslimanë.

Të parët e mi nuk ishin te varfër, por tepër të pasur. Rridhnin nga familje me dinjitet e pozitë në shoqëri, qoftë midis tyre (me çamët), por dhe tek grekët. Pra dynjaja për ta ishte nën këmbët e tyre (këtu nuk e kam fjalën vetëm për fisin tim, por për të gjithë krahinën e Çamërisë).

Dhe vjen një kohë kur Allahu e përmbys gjithçka. Këta njerëz me gjithë këto lukse të kësaj bote u vunë në sprovë: a të ruanin këto salltanete e të humbnin fenë e tyre ISLAMIN, apo të humbnin gjithçka kishin e të ruanin fenë e tyre.

Pasha Allahun sa herë rri e ndalem në këtë moment të jetës së të parëve të mi ndiej një krenari se unë rrjedh nga njerëz të cilët u sprovuan dhe e kaluan këtë sprovë. Por më kaplon dhe një frikë se po të isha unë në pozitën e tyre në ato momente a do rezistoja si ata?

E pra, të parët e mi ishin muslimanë të mirë dhe lanë gjithçka që posedonin në këtë jetë vetëm për fenë e tyre Islamin.

E shumë kush do të thotë me naivitet se ata u shpërngulën nga lufta, e lufta nuk të pyet se çfarë je musliman apo diçka tjetër.

Jo.! Në Çamëri ndodhi e kundërta, kur lufta mbaroi filloi sprova. Batalionet e gjeneralit famë keq Zerva rrethuan qytetet me popullsi muslimane dhe kërkuan besë të hynin në to.

Të pa besët kërkuan besë tek ata që kishin besë (Islam). Hynë në lagjet e muslimanëve  me besë. U futën në shtëpitë e muslimanëve si miq e në besë. Hëngrën e pinë e u rehatuan nga buka e muslimanëve.

Por…… momenti fatal i sprovës erdhi!!!

Përballë bukës së atij që kishte besë u drejtua pushka e të pa besit.

E unë këtu dua të ulërij e të bërtas me sa kam fuqi, qe ta marrin vesh të gjithë shqiptarët, sepse gjithçka tregohet e vetëm kjo nuk thuhet në asnjë vend, e ne  si muslimanë e kemi për detyrë të flasim se përse ngjau kjo gjëmë kaq e madhe e të mos e harrojmë kurrë.

Gjithçka filloi tek shtëpitë e hoxhallarëve, të cilët u bënë shehidët e parë të Islamit në këtë masakër. Pasi u ftuan të ndërrojnë fenë e të bëhën priftërinj erdhi përgjigja e pa pritur për qafirët e pa besë: gjithçka për ne është e zëvendësueshme vetëm Islami ynë kurrë. Doli kjo përgjigje nga zemra e një muslimani të devotshëm e të ditur siç ishte Salih Hafuzi shehidi i parë i Çamërisë martire. Ai u masakrua nuk u vra, ju prenë gjymtyrët një e nga një e deri sa e varën në çengel të gjallë duke ulëritur nga dhimbjet por vetëm atë që qafirët donin ta ndëgjonin nuk e dëgjuan kurrë por vetëm fjalën: LA I LAHE IL’LALLAH.

Deshën që popullata të tmerrohej e të tërhiqej nga shembulli i hoxhallarëve, por dhe ata i mbetën besnikë fesë së tyre njësoj si hoxhallarët e tyre.

Kjo ngjarje mund te jetë nga më unikalet sepse në të gjithë këtë fatkeqësi asnjë nuk u tërhoq nga feja e tij. Çfarë qëndrese, vetëm Islami mund ta japi këtë mundësi të qëndrosh kaq burrërisht.

E pra në Çamëri u vranë e u prenë më shumë se 7500 burra, gra, fëmijë e pleq vetëm sepse ata ishin muslimanë e nuk u tërhoqën prej fesë së tyre.

Por shkrimi im sot mori shkas nga një varrezë tjetër ku prehen mbi 2960 muslimanë të tjerë të Çamërisë të cilët nuk i vrau dora e qafirit, por i vrau lodhja, uria, etja, vapa e pamundësia.

Dua të përmend dhe diçka tjetër këtu. Në kohën kur muslimanët e Çamërisë u futën në tokën shqiptare dhe u ulën në fushën e Kllogjerit ishte Muaji Ramazan dhe njerëzit kishin filluar të agjëronin megjithë thirjet e hoxhallarëve që të mos agjëronin, sepse kjo detyrë për ta ishte e pa mundur nga gjëndja e tyre e mjeruar, përgjigja e tyre ishte në unison: nëse do na vijë vdekja le të na gjejë të agjërueshëm. SUBHANALLAH, edhe tani që po e shkruaj këtë artikull po më dridhet dora, sepse më del para syve gjyshja ime rahmet pastë e cila më thoshte se ishte shtatëzanë në atë kohë dhe ecte e ecte deri sa mbërriti në Kllogjer. Me thonte se atë Ramazan e fillonin agjërimin në suhur me nijet dhe e prishnin agjërimin në iftar me nijet, sepse nuk kishin asnjë gjë as për të ngrënë e as për të pirë, sepse në atë vit vapa kishte qenë tepër e ashpër. Më thonte se kishte raste që agjëronin pa ngrënë e pa pirë edhe 3 apo 4 ditë me rradhë.

Për mua sa herë e kujtoj këtë histori të Ramazanit të asaj vere shtangem dhe rri e meditoj se çfarë fuqie paska imani për muslimanin e çfarë mbështeje e fortë qënka për ne. e pra në këtë varrezë prehen njerëz të cilët e donin fenë e tyre fortdhe e dëshmuan me jetët e tyre, Allahu i mëshiroftë.

Të parët e mi kanë qenë gjithmonë  një shembull i mirë për mua, sepse tek ata shihja dashurinë për vendin e tyre, Çamërinë. Aq sa dhe ne që jemi pasardhësit e tyre e duam shumë vëndin tonë, sepse në çdo bisedë ata e shprehnin mallin e dashurinë për vendin e tyre. E ngushëllimi i vetëm për ta ishte feja nën të cilën ata gjetën strehën më të sigurtë për t’u mbështetur e për të hecur përpara. Islami ishte e vetmja gjë që mbanin kokën lart dhe na e mësuan edhe neve me plot dashuri.

Kjo është gjeneza ime, këta njerëz janë të parët e mi të cilët më bëjnë të ndihem mirë për origjinën nga jam.

E titullova këtë artikull kështu, sepse ky udhëtim u ndërmor nga një grup hoxhallarësh për dy arsye: për të bërë dua për ata që vdiqën në këtë masakër dhe për t’u folur diçka rreth Islamit të pranishmëve, për fenë e tyre dhe e të parëve të tyre.

Kështu pra ishte kjo nismë dhe ky udhëtim që u mundësua të falej namazi i xhenazes në mungesë për të gjithë këta njerëz mbas 69 vjetësh.

Para namazit u mbajt një ligjëratë për të pranishmit dhe mbas namazit u bë një dua për të gjithë popullin tonë dhe për të vdekurit tanë.

Nuk do rri pa e përmendur edhe një fakt tjeter sepse në fund të gjithë kësaj Allahu lëshoi disa pika shiu të cilat nuk ka fizikant t’i shpjegojë se nga erdhën sepse qielli ishte pa asnjë re. Në këtë ceremoni mësova diçka se ne si hoxhallarë duhet të jemi gjithmonë shembulli më i mirë për t’u ndjekur dhe se ky popull që ne jetojmë të ftohet e ne të afrohemi me ta me Islam.

Gjatë fjalës së hoxhës njerëzit të cilët ndoshta nuk kanë pasur asnjë pëvojë në jetën e tyre me Islamin filluan të thërrasin Allahu Ekber dhe në atë moment mu duk se po thonin se ne jemi bijtë e nipërit e atyre që dhanë jetën për këtë fe. E kjo na obligon akoma dhe më shumë ne si hoxhallarë që të jemi më të vëmendshëm për popullin tonë për  t’i mësuar fenë e tyre, Islamin.

E ndiej çdo ditë se Islami po e ringjall këtë popull dhe ky udhëtim dashtë Allahu t’i shërbejë kësaj gjëje: Të gjallët në udhëtim për tek të vdekurit, e atje të gjejnë ringjalljen e zemrave të tyre.

O Allah të lutem Ty me Emrat e Tu të bukur të na zbukurosh zemrat tona me iman e të na bësh muslimanë të mirë. O Allah mëshiro të parët tanë e na bashko me ta në xhenetet e Tua të larta. Amin!

Shënim: e gjithë kjo që kam shkruar në këtë artikull është produkt i asaj që kam ndëgjuar nga gjyshërit e mi, Allahu i mëshiroftë.

Share